Prifti serb Sava Janjic, i cili është i njohur për kundërshtimin e ashpër të pavarësisë së Kosovës, ka dhënë shenja të ndërrimit të qëndrimit karshi kësaj çështjeje, shkruan Express. Ai e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin për privatizimin e tokave rreth Manastirit të Deçanit dhe vendimin e ka postuar në Twitter

Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka vënë masë të përkohshme çështjes së tokës të cilat Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme kishte vendosur se i takonin ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria”.

Kushtetuesja thotë se nëse vazhdojnë më tej procedurat, Manastiri mund të pësojë dëme të pariparueshme. Si argument të fortë ka përmendur faktin që Manastiri është nën mbrojtjen e UNESKO-s.

Ati Janjic ka bërë kërkesë në emër të Manastirit të Deçanit për vlerësim të kushtetutshmërisë se dy vendimeve të 12 qershorit 2015 të Kolegjit të Ankesave të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Në një postim në Twitter Janjic ka shkruar se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, ka bllokuar përkohësisht çështjen e tokës rreth Manastirit të Deçanit.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb