FSHF ka kallëzuar në polici se gjyqtarët e ndeshjes së fundit Kastrioti-Laçi, e përfunduar 2-1, janë kërcënuar me jetë. “Një javë më parë, në ndeshjen Kastrioti-Laçi arbitrat e ndeshjes janë kërcënuar me jetë dhe janë detyruar të anulojnë një gol për skuadrën e Laçit”, – shkruhet në komunikatën e sotme të FSHF-së.

Është e qartë se rezultati i sfidës është diktuar nga faktorë të jashtëm. Bëhet fjalë për anulimin e një goli në minutën e 88-të të takimit, kur rezultati ishte në barazim 1-1 dhe, që nëse do të akordohej, mund të kishte ndryshuar krejt rrjedhën e takimit.

Në dritën e fakteve të reja, klubit të Laçit i lind e drejta të pretendojë për verdiktin e kësaj sfide në organet kompetente të Federatës, duke patur në dorë një armë të fortë dhe thuajse të pakontestueshme, faktin se vetë Federata ka konfirmuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë manipulimin e ndeshjes për shkak të kërcënimeve me jetë ndaj arbitrave.

E ndërkohë që kjo pritet të jetë një tjetër çështje për t’u vendosur nga Komisioni i Disiplinës dhe ai i Etikës në FSHF, prapaskena e rëndë e zbuluar nga vetë Federata është një këmbanë e rëndë alarmi për një fenomen që prish garën në kampionatin e Kategorisë Superiore pikërisht në fazën më të nxehtë të tij për sa i përket verdikteve sezonale.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb