NJU JORK

Shqipëria bëhet vend anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurisë të OKB.

Nga Nju Jorku, ku ndodhet për një vizitë zyrtare, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, flet për televizionin francez “TV5Monde” për aspiratat evropiane të Tiranës dhe pritjen e refugjatëve afganë në vendin e tij.

INTERVISTA

Ç’kanë të përbashkët mbretëresha e popit anglez Dua Lipa dhe Nënë Tereza? Ato vijnë që të dyja nga një vend i Ballkanit me më pak se 3 milionë banorë në veri të Greqisë, përballë çizmes italiane, në pikëtakimin e qytetërimeve romake, bizantine dhe osmane; bëhet fjalë për Shqipërinë.

Edi Rama, mirëmbrëma. Ju jeni kryeministri i Shqipërisë Faleminderit që jeni me ne, nga Nju Jorku,. Shqipëria do të ketë një vend në Këshillin e Sigurisë të OKB në 2022, pra vitin e ardhshëm dhe 2023, si anëtar jo i përhershëm. Çfarë mund t’i sjellë vendi juaj bashkësisë ndërkombëtare?

KM Edi Rama: Jemi shumë të nderuar. Për ne është ngjarje vërtet historike që të bëjmë pjesë në Këshillin e Sigurisë të OKB. Sigurisht, jemi një vend i vogël, por kemi ide shumë të qarta, do të bëjmë gjithçka duhet, për të çuar përpara bashkë me të tjerët objektivat e Kombeve të Bashkuara dhe ecur drejt objektivave të përbashkët për një botë më të mbrojtur ndaj ndryshimeve klimatike, për një botë me më shumë barazi ndërmjet burrave dhe grave, për një botë më solidare, dhe sigurisht, për një botë të bashkuar kundër të keqes, kundër terrorizmit, dhe fondamentalizmave të të gjitha anëve.

Ju kuptojmë mirë. Ju mbroni multilateralizmin, kriza trans-atlantike ka vend në OKB me çështjen e nëndetëseve. Si vend evropian shumë i lidhur me SHBA, në cilin krah qëndron Shqipëria, në anën e Francës apo në anën e Uashingtonit?

KM Edi Rama: Jo. Ne jemi vërtet aleatë krenarë të SHBA, por jemi gjithashtu miq shumë krenarë të Francës, dhe nuk hyjmë në këtë lloj krize, le të themi, mes atyre të dyve, sepse nga njëra anë nuk mund të bëjmë asgjë për ta zgjidhur dhe nga ana tjetër, jam i sigurt që ndërmjet presidentit Macron dhe presidentit të SHBA Joe Biden, ka mjaft aftësi për të dialoguar dhe për ta zgjidhur krizën në mënyrën më miqësore.

Edi Rama, do të interesohemi për vendin tuaj. Shqipëria është një nga vendet më të varfëra të Evropës, ajo po zbrazet nga banorët e saj. Cilat janë sfidat me të cilat ndeshen banorët e saj? Shpjegimet nga Milène Geraldo.

Shqipëria. Deti i saj vaj, malet e saj përrallore të privuara nga turistët. Por në fakt, ku është Shqipëria? Drejtimi: juglindja e Evropës, pikërisht përballë Italisë, në zemër të Ballkanit.

Shqipëria ka në kufi Malin e Zi, Kosovën dhe Greqinë. Thuajse po aq e madhe sa Belgjika, 3 milionë banorët e saj flasin gjuhën shqipe, kryeqyteti i saj është Tirana, dhe regjimi është republikë parlamentare.

Në zgjedhjet legjislative të pranverës së kaluar, kryeministri Edi Rama fiton një mandat të tretë, fitues i një fushate të dhunshme, e shënuar si gjithmonë nga fyerje, akuzat për mashtrime dhe blerje votash, por mbi të gjitha, nga lodhja e popullsisë

(Normal që jemi të lodhur, se rinia bën studime, shpenzon para për t’u shkolluar mirë, për të gjetur punë; ajo u beson premtimeve, por në fund nuk fiton asgjë. E vetmja gjë që duam, është të kemi punë, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë).

Zgjedhje të kontrolluara me lupë nga Bashkimi Evropian, ka 30 vite që ish shteti komunist troket në derën e BE-së, vitin e kaluar Brukseli dha më në fund miratimin e tij për hapjen e negociatave të anëtarësimit, por pa caktuar një datë. Për kancelaren gjermane integrimi i Ballkanit në Bashkimin Evropian është strategjik.

“Ne, evropianët, që jemi tashmë anëtarë të Bashkimit Evropian, duhet të mbajmë gjithmonë parasysh se pranimi real i këtyre vendeve në gjirin e Bashkimit Evropian ka një interes gjeostrategjik absolut për ne dhe mund të shohim, siç e thatë ju, që ka kthime prapa, ka edhe ndikime nga shumë rajone të tjera të botës.

Por sot, sipas vetë pohimit të kryeministrit të saj, ajo nuk është ende gati, duhen kryer ende reforma të rëndësishme për të luftuar kundër korrupsionit dhe trafikut të drogës, që sundojnë në vend.

Zoti kryeministër, a është gjithmonë Shqipëria e pajtueshme me Evropën?

KM Edi Rama: Së pari, doja të thoja se nuk jemi ndër vendet më të varfra, jemi ndërmjet vendeve më pak të pasura, dhe këtu ka një ndryshim, sepse kur ju flisni për një varfëri, kjo u jep teleshikuesve tuaj idenë e një vendi të varfër në ndonjë kontinent të largët, ndërsa ne jemi ndër më pak të pasurit, por po ecim përpara.

Së dyti, nuk patëm një fushatë zgjedhore të dhunshme, dhe nuk patëm një fushatë zgjedhore plot me fyerje. Patëm një fushatë me një pjesëmarrje shumë të madhe, rreth 80 % e banorëve rezidentë në Shqipëri. Kjo besoj se kjo flet vetë për pjesëmarrjen dhe për gjallërinë e demokracisë sonë.

Së treti, po, jemi një vend evropian në mes të Europës, kemi probleme, përpiqemi t’i zgjidhim, bëjmë reforma, rruga është e gjatë sigurisht, por jemi në drejtimin e duhur, pa dyshim, përndryshe Këshilli Evropian nuk do ta kishte marrë unanimisht vendimin për të hapur negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë.

Brukseli e ka bërë luftën kundër korrupsionit një kusht për anëtarësim. Në maj një ish-drejtues i Prokurorisë u dënua me 2 vite për korrupsion.

Po jua përsëris pyetjen, a është Shqipëria e pajtueshme me Evropën, në varësi të asaj çka ju kërkon Brukseli?

KM Edi Rama: Famti që pandëshkueshmëria në Shqipëri nuk është më një normë, dhe fakti që ka njerëz nga pushtete të forta që kanë dalë para gjykatave dhe janë dënuar, flet vetë. Po bëjmë një luftë të hapur kundër korrupsionit, po bëjmë një luftë të hapur për shtetin e të drejtës dhe dua të shtoj edhe luftën kundër trafikut të drogës; së pari nuk jemi një përjashtim në Evropë, së dyti po të flasim për sasi, jemi ndër vendet me sasinë më pak të konsiderueshme dhe së treti kemi bërë përparime shumë të rëndësishme edhe në këtë drejtim.

U bënë vite që prisni? A është frustruese? Në ç’pikë janë negociatat me Brukselin?

KM Edi Rama: Të themi të vërtetën, nuk është frustruese, sepse e kuptojmë që vetë Evropa është e frustruar nga problemet e saj të brendshme.

Prej krizës së refugjatëve të 2015, po ndodhin shumë gjëra në nivelin evropian, të cilat bëjnë që Bashkimi Evropian të mos arrijë të funksionojë në të gjitha frontet dhe as të menaxhojë nacionalizmat që po lulëzojnë në shumë vende. Edhe pse ekstremi i djathtë për fat të mirë nuk është në pushtet në asnjë vend evropian, qasjet e ekstremit të djathtë ndikojnë sidoqoftë mbi qëndrimet e qeverive të moderuara, e të vetë Bashkimit Evropian. Në këtë pikë, jemi të qartë, ne duhet të bëjmë gjithçka duhet për t’u bërë një vend evropian, për t’u bërë një vend i BE, për t’u bërë një vend i shtetit të së drejtës, sepse e bëjmë këtë për fëmijët tanë. Nuk e bëjmë sepse është dikush në Bruksel, në Paris, apo në Berlin që na e kërkon dhe kjo është rruga e vetme, nuk ka alternativë tjetër. Ne jemi vërtet krenarë që të vazhdojmë në këtë udhë, ka pengesa por s’ke ç’i bën, ne vazhdojmë.

Ndoshta ka alternativa të tjera? Ju keni takuar këtë javë presidentin turk Rexhep Tahip Erdogan në Nju Jork. A po forcohet interesi për Turqinë, në dëm të Bashkimit Evropian?

KM Edi Rama: Jo. Kjo është bla-bla-bla, në përgjithësi, sepse Turqia është një vend mik i Shqipërisë prej një kohe shumë të gjatë. Me Turqinë, Greqinë dhe Italinë ne kemi një partneritet strategjik dhe miqësia me Turqinë dhe marrëdhëniet me Turqinë nuk janë një alternativë ndaj Bashkimit Evropian. Aspak.

Edi Rama, Shqipëria është zotuar të presë përkohësisht 4 mijë refugjatë afganë, derisa ata të marrin një vizë për të shkuar në SHBA. Ju kemi parë që keni shkuar t’i takoni. Vendi juaj është vendosur në pararojë për pritjen e tyre, me kërkesë të SHBA. Po përpiqeni të përfitoni favore nga Uashingtoni?

KM Edi Rama: Jo. Nuk është kaq e thjeshtë. Së pari, ne s’ua hapëm derën me kërkesë të SHBA, të qeverisë së SHBA.

E hapëm derën sapo na kontaktuan disa organizata humanitare dhe të të drejtave të njeriut në SHBA, dhe thamë “PO”. Sepse për ne, kjo është çështje respekti ndaj historisë, ne jemi një vend mikpritës, një vend që, me krenari ka qenë vendi i vetëm në Evropë që pati më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore sesa para saj, dhe ku asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve, jemi një vend që ka pritur gjysmë milion refugjatë lufte që u ikën masakrave të regjimit të Sllobodan Milosheviçit në 1999 dhe jemi një vend ku është shumë e rëndësishme që të mos harrohet, se ka një kohë për të kërkuar, ka një kohë për të dhënë. Ne kemi qenë afganët para 30 vjetëve, dhe po të mos kishte qenë mikpritja e italianëve dhe e të tjerëve nuk do të kishim mundur të dilnim nga ferri ynë, që nuk ishte një ferr i talibanëve islamistë, por ishte një ferr i talibanëve të kuq. Për të gjitha këto, për ne kjo është thjesht e natyrshme.

A nuk është Shqipëria në një farë mënyre një ferr për popullsinë e saj, pasi ka një eksod në masë, pasi shqiptarët largohen drejt Francës, largohen drejt Zvicrës, a nuk ka një kontradiktë?

KM Edi Rama: Jo, sepse së pari, në të gjitha vendet e Lindjes, qofshin vende anëtare të BE, qofshin vende kandidate të BE, ka pasur një lëvizje masive të njerëzve drejt Perëndimit, dhe, nëse për ata që janë anëtarë, bëhet fjalë për lëvizje brenda një perimetri tregu të lirë të punës, për shqiptarët dhe të tjerët bëhet fjalë për një lëvizje që nuk është vërtet e lirë. Është një lëvizje e lidhur sigurisht me çështje ekonomike, por është e lidhur gjithashtu me rrjete të emigracionit të paligjshëm.
Thënë kjo këtu nuk ka aspak kontradiktë, sepse ne jemi një vend mikpritës, i kemi pritur gjithmonë njerëzit në nevojë dhe do ta bëjmë gjithmonë.

Për ta mbyllur, cili është projekti juaj për Shqipërinë? Ju sapo jeni rizgjedhur për një mandat të tretë.

KM Edi Rama: Do të vazhdojmë përpjekjet tona për të modernizuar vendin,do të vazhdojmë përpjekjet për ta transformuar Shqipërinë në një shtet të së drejtës në standartet e Bashkimit Evropian, me një reformë të drejtësisë që shkon përpara, me reforma të tjera që shkojnë përpara, jemi një vend që sot ka qeverinë me pjesëmarrjen me të madhe të grave në qeveri ndërmjet vendeve të Kombeve të Bashkuara, jemi një vend që sigurisht duhet të luftojmë me shumë gjëra që vijnë nga e shkuara e që janë ende aty, por ku sigurisht ka shpresë, sigurisht ka të ardhme.

Edi Rama. Po ju lëmë të shkoni në tribunën e Kombeve të Bashkuara ku do të mbani fjalën tuaj. Kryeministër i Shqipërisë, faleminderit shumë që ishit me ne

KM Edi Rama: Faleminderit juve

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: