Sot kryeministri i Shqipërisë deklaroi nga Athina se zgjidhja e marëveshjes së detit mund të bëhet me ndihmën e një pale të tretë duke nënkuptuar ftesën që i bënte palës Greke për të pranuar mundësinë që të gjejmë një zgjidhje në një Gjykatë ndërkombëtare. Në pamje të parë duket një vendim i detyruar i Kryeministrit kur situata në rajon është një situatë e cila është tejet e nxehtë, dhe njëkohësisht çdo vendim i marëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë sidomos pas deklarimit të Kryeministrit Grek në parlament se Greqia do të zgjeronte detin terrritorial nga 6 -12 milje detare do të kishte impakt rajonal sidomos duke patur në mëndje konfliktet aktuale që janë sot me ishujt Grek (sidomos rasti Kastelorizos dhe Chios).

Nga ana tjeter dhe furtuna që është krijuar në Shqipëri lidhur me këtë çështje i ka trazuar jo pak ujërat dhe mosbesimi publik i krijuar ndaj politikës lidhur me këtë çështje do ta bënte çdo vendim të atakueshem dhe jo të pranueshëm nga ana e opinionit të gjerë. Për më tepër dhe situate parazgjedhore nuk e bën të favorshme aspak zhvillimin e negociatave pasi një gjë e tillë nuk do ti shpëtonte dhe politizimeve elektorale gjë që do ta komplikonte akoma dhe më shumë çështjen dhe do të çfokusonte rëndesën e problemit. Ndaj dhe ideja e dërgimit të kësaj marëveshje nga palët në një gjykatë ndërkombëtare duke konsideruar të gjitha rrethanat duket një zgjidhje racionale e cila është krejtësisht e vonuar dhe kjo vonesë padiskutim që ka sjellë komplikimet e veta.

Fill pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ne vitin 2010, qeveria Shqiptare dhe ajo Greke ranë dakort në parim që çështja e delimititmit ti besohej nje arbitri ndërkombëtar, mirëpo ndryshimi i pushtetit në vitin 2013, e anashkaloi një vendim të tillë dhe më pas në vitin 2017 qeveria Rama vendosi të paraqesë në tryezën e bisedimeve një paketë çështjesh për tu zgjidhur me palën Greke, ku njëra ndër çështjet ishte dhe çështja e detit. Bashkimi disa çështjeve në një paketë të përbashkët ishte një strategji jo fort e gjetur pasi secila çështje kishte rëndësinë dhe veçoritë e saja, e për më tepër çështja e detit e cila vinte pas atij diskutimi të gjerë publik dhe atakimit e rrëzimit në gjykatë Kushtetuese nga ana e Partisë Socialiste e bënte këtë të fundit akoma dhe më përgjegjëse për të arritur një marëveshje e cila të adresonte pikërisht ato gjera të për të cilat kishte apeluar dhe e kishte rrëzuar mërëveshjen e vitit 2009 në Gjykatën Kushtetuese. Për më tepër në mënyrë surprizë, ish ministri i jashtëm Grek Kotzias, do të deklaronte për herë të parë se Greqia kishte vendosur të zgjeronte detin territorial nga 6 në 12 milje dhe se për këtë nga ana e palës shqiptare nuk kishte asnjë kundershtim madje pala shqiptare ishte dakort.

Një deklarim shqetësues ky i cili kurrsesi nuk ishte në favor të zgjidhjes drejtë të marëveshjes e për më tepër që bisedimet kishin filluar me të tjera rregulla loje. Shqetësues ishte dhe fakti se në atë kohë (fundi Janarit 2018) kryeministri Rama deklaronte se marëveshja do të ishte gati në Prill, kur në atë kohë as grupi negociator nuk ishte formuar akoma. Një nxitim i paspjegueshëm, ose çka është akoma më e papranueshme një pranim i një arritje politike të një marëveshje pa bërë asnjë negociatë. Njëkohësisht dhe deklarimi i Kryeministrit Grek Mitcotaqis për zgjerimin e detit territorial nga 6-12 milje tashme rihapi dhe një herë arenën e diskutimeve dhe ajo çka e komplikoi sërish situatën ishin dhe deklarimet e politikanëve shqiptarë se një zgjerim i tillë është e drejtë e Greqisë dhe nuk prek interest e Shqipërisë. Deri në pjesën e parë të parë të deklarimit ska ndonjë gjë për tu shqetësuar pasi Konventa e parashikon një gjë të tillë dhe sigurisht nuk besoj se i duhej dhe konfirmimi ynë Greqisë për një gjë të tillë, por pjesa në vazhdim se “ky zgjerim nuk cënon hapësirat shqiptare” ishte krejtësisht i tepruar dhe aspak në favor të asaj çka Shqipëria pretendon se i takon nga delimitimi i hapësirave detare sipas të drejtës ndërkombëtare. Për më tepër pyetja tjetër që shtrohet është: sa ishte e përgatitur qeveria të adresonte të gjitha çështjet për të cilat u rrëzua në Gjykatën Kushtetuese marëveshja e vitit 2009?

Ne fakt, për hir dhe të mungesës së transparencës që patën negociatat, nuk është se kemi ndonjë informi publik lidhur me atë çka është pretenduar nga ana e palës shqiptare të negociatorëve dhe çfar është arritur dhe këtu une e përsëris duhet tia dime “për nder” palës Greke e cila herë pas herë e ka informuar opinionin e saj publik në çdo rast që ka arritur ndonjë objektiv ne negociata. Pa dashur të paragjykoj them se nëse do të kishim patur ndonjë sukses, nuk besoj se qeveria do të na e kishte “kursyer”. Me sa shihet, shanset e arritjes së një suksesi në adresimin e atyre pretendimeve të paraqitura në Gjykatën Kushtetuese dukeshin minimale për të mos thënë inekzistente dhe e vetmja rrugë elegante për të dalë nga kjo situatë duket thirrja në ndihmë e një pale të tretë, dmth gjykate ndërkombëtare.

Dërgimi i një çështje të tillë në një gjykatë ndërkombëtare është një praktikë mjaft e njohur dhe në fakt ka rezultuar efkase në rastin e shumë mosmarëvesgjeve ndërmjet shteteve. Një gjë e tillë është parashikuar në vetë Konventën UNCLOS-82 Pjesa XV dhe në nenin 287 paragrafi 1 i këtij neni përcaktohen dhe mjetet me të cilat vëndet mund të zgjidhin mosmarëveshjet ndërmjet tyre dhe përcakton se për qëllimet e kësaj Konvente, gjykatat e mëposhtme mund të bëjne interpretimet sipas saj:
• Tribunalit Ndërkombëtarpër Ligjin e detit i themeluar në përputhje me Aneksin VI;
• Gjykatës ndërkombëtare te Drejtësisë;
• Një arbitrazhi ndërkombëtar i konstituuar në përputhje me Annekxin VII të Konventës
Rastetet e gjykuara nga gjykatat ndërkombetare përfshijnë një mori situatash dhe pretendimesh të palëve dhe në shumë raste kanë shërbyer edhe si precedent në ngritjen e pretendimeve të shteteve në arritjen e marëveshjeve të deloimititmit të tyre me vëndet e tjera. Ndaj dhe ftesën e kryeministrit për ta dërguar zgjidhjen e çështjes së delimitimit e shoh sikurse e thashe të vonuar por në këtë moment gjëne e duhur.

Por çdo të hotë të dërgosh zgijidhjen e marëveshjes në një palë të tretë? A mos vallë delegimi tek pala e tretë do të thotë larje duarsh alla “Pons Pilati”? kurrsesi jo! Tashmë qeveria ndodhet para një përgjegjësie të shtuar pasi nëse deri më tani rëndesa e çështjes ishte më shumë teknike në përcktimin e pretendimeve, tashmë mer më shumë prioritet trajtimi ligjor për të mbrojtur të gjitha pretendimet mbi hapësirat detare. Ndaj dhe është shumë e rëndësishme që të fillohet puna e mënjëherëshme në identifikimin e grupit teknik i cili do të hartojë të gjithë pretendimet teknike. Pavarësisht se në pamje të parë janë thënë shumë gjëra, çdo detaj duhet vlerësuar, filluar që nga deklarimet e fundit të palës Greke sikurse janë zgjerimi i hapësirës se detit territorial nga 6-12 milje, deklarimi per aplikimkin e vijës së drejtë bazë (të dyja këto janë ndryshim rregullash loje nga fillimi i negociatave), kontekstin historik të ushtrimit të sovranitetit të vëndeve gjatë periudhës nga protokolli I Firences e deri më tash (pavarësisht mos pasjes se një mareveshje te mirëfillte detare ndërmjet vëndeve, sërish ka patur një vijë të pranuar në mënyrë të heshtur e cila është zbatuar në të drejtën e lundrimit), çështjen e trajtimit të shkëmbit ‘Barketa”, çështjen e gjireve, dhe çka është më e rëndësishme kur vjen puna tek delimitimi i Zonës Ekonomike Ekskluzive, efektin që duhet ti jepet ishujve. Kjo do të jetë mbase dhe një nga çështjet më të nxehta pasi përpos faktit se zgjerimi i hapësirave te detit territorial zgjeron në mënyrë të dyfishtë sovranitetin e shtetit grek në pjesën përballë ujërave shqiptare, por cënon dhe hapësirat e pretenduara për ZEE nga ana e palës shqiptare. Njëkohsisht efekti I ishujve mund të paragjykojë dhe hapësirat e ndara ndërmjet Italisë dhe Greqisë në marëveshjen ndërmjet tyre sidomos në zonën afër pikës së bashkimit të tre vëndeve.

Ndaj dhe është shumë e rëndësishme që puna përgatitore duhet të jetë e përmasave të jashtëzakonshme, e për më tepër duhet të mbulojë dhe gjithë këtë vakum të krijuar në këto vite për faktin se kjo marëveshje më shumë është trajtuar politikisht se sa teknikisht. Humbja e kohës në tërë këto vite na ka vënë në disavantazh të theksuar karshi palës Greke e cila ka në përbërje të saj ekspertët më të mirë për vetë eksperiencën dhe problematikat me të cilat janë ndeshur në të gjithë eksperiencën e tyre, pa lënë pas dore institucionet akademike detare mjaft të zhvilluara në këtë fushë. Rrjedhimisht dhe angazhimi i ekpertëve me të mirë shqiptarë është prioriteti numër një, në mënyrë që parapërgatitja të jetë sa më profesionale dhe natyrisht të parashtrohen të gjitha pretendimet që Republika e Shqipërisë pretendon në hapësirën detare që do të delimitohet. Për më tepër krijimi i një grupi ekskpertësh duhet të shikohet edhe si një objektiv strategjik i Shqipërisë duke menduar se kemi akoma të hapura çështje me fqinjin verior Malin e Zi dhe me Republikën e Italisë me të cilën kemi vetëm një marëveshje të ndarjes së Shelfit Kontinental por jo të ZEE.

Suksesi i një vendimi sa më të drejtë në gjykatë varet nga ajo që do të pretendohet teknikisht e do të mbrohet ligjërisht ndaj dhe angazhimi i ekspertëve më të mirë ligjirë vëndas me njohuri në këtë fushë është tashmë një çëstje e padiskutueshme, por e pamjaftueshme. Vënde madje shumë të zhvilluara nuk kanë neglizhuar përdorimin e konsulencave të specializuara. Të tilla konsulenca janë të kushtueshme por në asnjë rast nuk kushtojnë më shume se sa mos përftimi i te drejtës që të takon në delimitimin e hapësirave detare.
Shpresojmë që këtë herë të ketë një reflektim serioz dhe një vëmendje reale ndaj këtij interesi madhor kombëtar pertej politizimevedhe drejt një zgjidhje të drejtë dhe të ndershme!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb