TIRANË- Emiljano Shullazi mbetet në qendër të akuzave të PD-së ndaj maxhorancës. Kreu i departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj akuzon Ministrin e Brendshëm se ka komunikuar me Shullazin para ndalimit të tij dhe se i ka dhënë garanci. Sipas Alibeajt, pakti u prish nga prokuroria. Kreu i Departamentit të Sigurisë në PD akuzon edhe një zyrtar të policisë.

“A ka biseduar Saimir Tahiri me Emiliano Shullazin, përpara ndalimit të tij nga policia? A e ka garantuar Tahiri, Shullazin, se thjesht do të shoqërohej do të pyetej për kërcënimin e kandidatit per rektor, e më pas do lihej i lirë? Të gjitha të dhënat tregojnë se kështu ka ndodhur. Pakti u prish, sepse prokuroria urdhëroi arrestimin për akuzat e gjobvënies e kanosjes, pas punës disa mujore që kishte bërë për sigurimin e provave, sigurisht pa dijeninë e Tahirit”, tha Alibeaj.

Sipas tij, Tahiri ka komunikuar me Shullazin nëpërmjet nëndrejtorit të policisë së Tiranës. Alibeaj e ka akuzuar atë për trafik e paligjshmëri të tjera.

“Burime serioze, oficerë që janë në dijeni dhe që kanë qenë prezentë në aksion, dëshmojnë se Sajmir Tahiri ka folur me Emiliano Shullazin përmes telefonit të nëndrejtorit të policisë së Tiranës, Ermal Muça. Ky funksionar i policisë rezulton të jetë një nga personat e besuar për shumë paligjshmëri e trafiqe që bëhen me dijeninë dhe bekimin e Tahirit”, tha Alibeaj.

Më tej ai ka deklaruar se Ermal Muça dhe Qebini i doganave shoqëroheshin me 36-vjeçarin Elton Çiço, i vrarë më 1 maj dhe lidhjet e tyre zbulohen nga telefoni i viktimës.

“Nëse prokuroria merr pamjet e dy muajve të fundit të lokalit ku ndodhi ekzekutimi i Elton Çiços, do të shohë se pothuajse çdo natë Ermal Muça dhe Qebini i doganave ishin në shoqërinë e viktimës. Dhe të gjitha këto lidhje përfshijnë Shullazin e të çojnë tek Tahiri. Eshtë kjo arsyeja pse arma dhe telefoni i viktimës u morën natën e krimit. Sepse arma dhe sidomos telefoni zbulojnë lidhjet me krerët e policisë dhe janë provë e dëshmi e trafiqeve të drogës. Ky është pra drejtimi që i bëhet policisë së shtetit, inkriminimi i saj në pikat kryesore. Ky është shteti kriminal, ku Edi Rama e ministri i Brendshëm janë një me bandat, bëjnë pazare, ofrojnë siguri e paprekshmëri për to. Ndaj jeta e qytetarëve sot është më e pasigurtë se kurrë, droga ka mbuluar vendin, dhe trafikantët e bandat sundojnë kudo”, theksoi Alibeaj.

(m.k/BalkanWeb) ​

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: