Në bashkinë e Dibrës, por edhe të Klosit, u ripërsërit një fenomen i njohur, i shitjes dhe trafikimit të votës, e cila kësaj here, nga e majta kaloi djathtas. Nuk ka ndodhur për herë të parë dhe nuk mendoj se kjo është hera e fundit. Ka patur “figura” të njohura të së majtës që kanë shkuar djathtas, ashtu si ka pasur edhe të djathtë të thekur që një ditë kanë shkuar majtas. Për fat të keq, në historinë e politikës shqiptare kemi pasur edhe lëvizje të pallogaritshme: Nga e majta ekstreme, në të majtë të moderuar, në të djathtë të paditur dhe më pas në të djathtë ekstreme, pa e ditur as vetë se ku është kufiri mes njërës apo tjetrës, por duke e ditur krejt mirë se ku është burimi i përfitimit.

Pra, kjo që ndodhi në bashkinë e Dibrës, e më pas edhe të Klosit, kjo shitblerje e turpshme votash, nuk është se solli ndonjë çudi të madhe, por ajo bart në vete një pyetje, e cila po shtrohet gjithnjë e më shumë në rrethe të mbyllura, për të pritur një ditë “me shpërthye pa frikë e pa zori”. A i duhet Shqipërisë një koalicion i gjerë, mes dy partive kryesore, historikisht përballë njëra-tjetrës e herë-herë në ndeshje të ashpër me njëra tjetrën? Gazetari i njohur Andrea Stefani e trajtoi mjeshtërisht këtë temë disa ditë më parë në këtë gazetë, DITA , e megjithatë ndodhia e rishfaqur e shitjes për pesë aspra, e shtron edhe një herë pyetjen: Duhet apo jo një koalicion i tillë? Struktura të PD-së e kanë ngritur tinëzisht disa herë këtë temë, si një shpresë për të qenë në pushtet, pas të cilit janë jargavitur tetë vite dhe e kanë rrjepur, po ashtu tetë vite. Më shumë se një mëri politike ndaj LSI, si mundohen ta hedhin në tregun mediatik, është një përplasje shpirti për pushtetin e humbur, dhe, të cilin, kështu si e kanë nisur, e dinë fare mirë se do e marrin rishtas shumë vonë, dhe kjo tarifë politike ndoshta nuk do të jetë më në skenë. Socialistët, jo të gjithë, e kanë belbëzuar disi mjegullisht, si një shkak për t’i thënë aleates së saj se “sillu mirë, pasi edhe mund të bëjmë një pushtet ndryshe”, por edhe si joshje për një paqe politike mes dy të përplasurve të vjetër. Fenomeni i shitjes së votës, atëherë, do të ishte i kotë, sepse askush nuk do të kishte nevojë të blinte vota apo të ishte i shitur, pasi, dy partitë e mëdha, edhe të vetme bëjnë ligjin. Që nga parlamenti, qeveria, presidenti, që do të bnte më në fund në qetësi, bashkitë, sistemi gjyqësor që e ka lidhur bishtin pas politikës dhe frymon prej tij… Të fshehtët entuziastë të koalicionit të madh mund të sjellin shembullin e baskisë së madhe të Dibrës si një precedent që mund të ishte i paqenë; e po ashtu mund të sjellin edhe shembuj të tjerë. Ata do të thërrasin në ndihmë shembuj kohorë politikë, si të shtetit gjerman, ku qeverisin së bashku, në një koalicion të madh, dy kampet kryesore politike; redaksional A i duhet Shqipërisë “Koalicioni i madh” (ose një analizë mbi aguridhen politike të radhës) apo edhe Kosovën, në të cilën qeverisin në një koalicion të madh dy partitë kryesore,historikisht kundërshtare të njëra- tjetrës, kundërshtim që është edhe sot i pranishëm.

Le të përjashtojmë Kosovën nga shembulli ynë, pasi qeveria e atjeshme ishte një zgjidhje halli e jo qejfi. Në fund të fundit është një qeveri, e cila, edhe pse qeveris së bashku, ndasitë më të mëdha i ka brenda vetes dhe në strukturat e secilës. Shqipërisë nuk i duhet, jo vetëm sot, por edhe për shumë kohë, një koalicion i gjerë, i madh, mes dy forcave kryesore politike. Nuk i duhet për disa arsye, të cilat, jo vetëm nuk duhen harruar, por është thellësisht e domosdoshme të jenë struktura mbi të cilat ngrihet jeta politike, e më pas, edhe ajo financiare në Shqipëri. Reformim apo deformim

Një qeveri e përbashkët, e ndërtuar sipas parimit të shumicës dërmuese, nuk është një reformim i pushtetit, por deformim i tij. Për shumë vite, që kur u shpall për herë të parë statusi i shtetit të ri shqiptar, e deri më tani, vuajtja ka ardhur nga shumica qeverisëse, e cila nuk ka pasur alternativë për të qenë më e durueshme. Shumica, kur ia del të të detyrojë, nuk denjon të të bindë. Shumica, edhe kur nuk është mizore, nuk të torturon e as të djeg, duke qenë pushtet mbi pushtetin, ushtron

mbi njerëzit një tirani administrative. Nga një subjekt i politikës, njerëzit kthehen në objekt të saj, dhe ky është fillimi i fundit të demokracisë. Për cilin ligj na kanë bindur deri më tani se kemi qenë pjesë e tij? Bindja përgjithësisht ka qenë politike, edhe nëse nuk e kanë dashur një ligj, njerëzit kanë ngritur dorën, kur atë e ka sjellë partia e tyre. Vetëm droja politike se mund të ndodhë që rreshtimi politik i njerëzve të ndryshojë nga tirania administrative, i ka bërë partitë më të matura dhe jo malli për të parë një njeri sovran.

Qeveria e përbashkët zhduk çdo droje, ajo e bën shtetin si pjesë e oligarkisë politike e financiare dhe ndan tortën në dy pjesë, që edhe pa këtë koalicion po ndahet herë pas here.

Gëzim apo zhgënjim

Ata që do të gëzoheshin nga koalicioni i madh janë shumë më të paktë se ata që do të zhgënjeheshin. Të gëzuar do të mund të ishin një pakicë që pret nga pushteti një pjesë të tortës, të zhgënjyer do të ishte shumica që as nuk e dinte se ka një tortë të tillë, por që prisnin ndryshimin.

Si mund të gëzohesh, për shembull, kur në një qeveri të përbashkët do të silleshin përsëri një skotë politike e përçudnuar, e cila në tetë vite solli aq shumë dëme, të cilat do të duan kohë të gjatë për të sjellë një gjendje normale. A e mendon kush Ristanin, për shembull, zëvendësministër të Punëve të Brendshme, duke pasë shef Tahirin; a e mendon kush rishtas Halimin ministër Drejtësie, duke i dhënë llogari shefit të qeverisë se si e bënë farsën e komisionit parlamentar të 21 janarit; si mund të përballosh mendimin se Muli i Kukësit do të jetë pjesë e kabinetit qeveritar, ta zëmë bashkë me Bushatin.

Një qeveri e këtij lloji do të ishte ndoshta gjëja më e turpshme e përjetimit politik në dekadat e fundit. Dhe, njëkohësisht, do të ishte gjëja më e fantaksur në dëm të rritjes financiare të jetës njerëzore.

Një klasë e tërë politike, përmbledhur nën një emër të vetëm, SHQUPAS, në tetë vite bëri aq shumë dëme dhe skicoi aq shumë figura përverse të politikës, sa që do të jetë e vështirë të sjellë një ekip tjetër qeveritar. Atëherë, a mund të jetë përsëri pjesë e rilindjes një deformim i tillë politik, që, për më tepër, nuk do të sjellë pas vetes thuajse asnjë figurë ndaj të cilit njerëzit të ndjeheshin të detyruar të ngriheshin në këmbë. Rehabilitim apo përçmim..

Risjellja e kësaj klase politike në jetën qeveritare, duke qenë pjesë e saj, në të gjitha hallkat nuk është vetëm rehabilitim i saj, çka askush nuk ka të drejtë ta bëjë; ajo është edhe përçmim ndaj një milion njerëzve që të kanë besuar dy herë në kufirin e dy viteve. Në tetë vitet që shkuan, para ardhjes në pushtet të së majtës së moderuar, mbi Shqipërinë u bënë aq shumë mizori, sa që do të mjaftonin për të rrëzuar disa qeveri. Mizori, të cilat, si askurrë më parë, nisën që nga dita e parë dhe deri në çastin e fundit të lënies së pushtetit. Në tetë vite oligarkia financiare u kthye në një pushtet politik, dhe ky i fundit u kthye në një oligarki financiare. Dëmi ekonomik ka qenë në disa miliardë euro, qindra milionë euro dolën nga vendi dhe shkuan drejt parajsave fiskale, hynë në këtë vend gjithëfarë banditë politikë, më i njohuri nga të gjithë ishte Fazlliqi, miku i shtëpisë i familjes kryeministrore, Berisha dhe nuni politik i djalit politik, Basha. Shpërtheu një epidemi korrupsioni si mënyrë jetese, që edhe ashtu nuk ishte i pakët. Njerëzit u vranë rrugës qeveritare, për hir të një pushteti; të tjerë u hodhën në erë, përsëri nga familja kryeministrore; u shit gjithçka që mund të shitej dhe u vodh gjithçka që mund të vidhej.

Të harrosh gjithë këtë nuk është rehabilitim, mbi të gjitha është përçmim i votës së popullit, i cili, megithëse të besoi dy herë, të tretën mund të të japë një flakareshë, nga e cila sytë të të nxjerrin xixa politike. Nëse ndodh kjo, fjala ndershmëri, që edhe kështu është e vakët, nuk do të ketë më asnjë kuptim në politikën shqiptare.

Së fundi…

Ndryshimet dramatike në Kushtetutën e Shqipërisë disa vite më parë synonin pikërisht këtë: Krijimin e dy poleve politike dhe shuarjen e strukturave të tjera, kushdo qofshin ato. Megjithatë, për hir të së mirës, kjo nuk u arrit. Disa nga partitë politike arritën të mbijetonin; disa në parlament e disa jashtë saj.

“E treta” e mallkuar, LSI, u bë e treta e domosdoshme e pushtetit, megjithëse qëllimi themelor kishte qenë shuarja e saj. Tani, të dy shefat e politikës e dinë krejt mirë se mund të bësh politikë kundër LSI, por nuk mund të qeverisësh pa të. Koalicioni i madh është një aguridhe politike që kërkon kohë të piqet.

Në një parlament ku gjysma akuzon gjysmën tjetër si kriminelë, dhe gjysma tjetër i hedh dorashkën për luftë, nuk mund të presësh të bësh në një gotë, çerekët që kanë mbetur e që vështirë të bëhen dy gjysma. Gjithçka ka kohën e saj. Shembulli i Bashkisë së Dibrës dëshmon se koha e maskarenjve është ende në vulgun e saj.

Marrë nga Gazeta “Dita”

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: