PARIS

Kryeministri Edi Rama është pyetur gjatë një prononcimi në Paris nëse presidenti i Francës, Macron i ka kërkuar të jetë ndërmjetës midis Kosovës dhe Serbisë. Ai deklaroi se nuk është njeriu i duhur dhe se është palë që mbron interesat e Shqipërisë dhe Kosovës.

Rama theksoi se iu takon udhëheqësve në Kosovë që të çojnë përpara dialogun.

“Nuk jam njeriu i duhur për të ndërmjetësuar midis Kosovës dhe Serbisë, unë jam palë dhe si palë unë mbroj detyrimisht interesat e Shqipërisë dhe të Kosovës bashkë dhe ky është një proces ku u takon udhëheqësve në Kosovë që të çojnë përpara dialogun ashtu siç ata e mendojnë të arsyeshme. Natyrisht me të gjithë mbështetjen time dhe të qeverisë sot dhe nesër në Tiranë, natyrisht në momente të caktuara mund të kemi qasje të ndryshme si të arrijmë tek qëllimi, por qëllimi është absolutisht i njëjtë dhe unë jam palë”, deklaroi Rama.

Ai u pyet dhe nëse ka marrë sinjale pozitive për integrimin nga ky takim, por theksoi se është një proces që vazhdon dhe se gjithçka do varet nga situata brenda për brenda Këshillit Europian dhe nga dinamikat brenda për brenda bendeve të BE.
“Është një proces që vazhdon. Unë e kam thënë dhe e përsëris që nuk ka asnjë sekret. Është një…sekreti më i madh publik nëse mund ta them është që ne i kemi bërë detyrat tona dhe gjithçka do varet nga situata brenda për brenda Këshillit Europian dhe nga dinamikat brenda për brenda bendeve të BE. Kështu që kjo është një gjë e ditur dhe s’ka nevojë për t’u zgjatur”, deklaroi Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb