ELBASAN- “Nuk na besohet kjo që ndodhi, një tragjedi”. Kështu dëshmojnë fqinjët  çiftit Shyqo (Vasil) Liçit, 65 vjeç dhe Sabire Liçit, 60 vjeçe, të cilët u gjetën të djegur në shtëpinë e tyre në fshatin Gjergjan të Elbasanit. Në një kohë kur policia dyshon se ka qenë kryefamiljari ai që i vuri vetë flakën banesës, fqinjët e tij pohojnë se nuk mund ta besojnë këtë fakt. Në një prononcim për gazetarin Fatmir Popja të siguruar për ‘BalkanWeb’ fqinjët e çiftit thonë se ata ishin një familje e mirë dhe e respektuar.

“Keqardhje të madhe përcjellim sot. Nuk na besohet. Ne i njohim për njerëz të mirë ata. Mbrëmë në darkë e morëm vesh kur erdhi policia. Unë isha në gjumë, se rashë herët mbrëmë. Dhe më ngriti gruaja tha; ka ardhur policia. Dola të shoh çfarë po ndodhte. Ne i jemi njohur për njerëz jashtëzakonisht të mirë. Ne kemi respekt edhe për të ndjerin dhe të shoqen e tij. E përcjellim me shumë dhimbje (preket). Nuk dyshojmë për asnjë gjë, përveç të mirave. Për asgjë tjetër. Nusja e tij ka qenë e sëmurë, kishte një 1 e gjysmë apo 2. Ai i shërbente vet. Madje kohët e fundit i mori edhe një njeri që i kryente shërbimet. Rrinte dy orë në mëngjes apo mbasdite, bënte bukën dhe punët”, tha fqinji i çiftit tejet i prekur ndërsa nuk i ndal edhe lotët, shkruan ‘BalkanWeb’.

Ndërkohë bashkëshortja e këtij të fundit tha se: “Ne e njohim Shyqon (Vasil) si njeri shumë të mirë, i respektuar, bashkë me të shoqen. Se nga erdhi, një Zot e di. Zgjova burrin nga gjumi dhe i thash; çohu se erdhi policia. Se di ça ka bërë Shyqua. S’dimë gjë tjetër”, pohoi ajo.

Akti ekstrem dyshohet të jetë marrë nga burri për shkak të sëmundjes së rëndë të gruas dhe neglizhencës së tre fëmijëve emigrantë të çiftit që nuk iu telefonin prej kohësh. Gazetari Popja raporton se një bombol gazi është gjetur e çmontuar qëllimisht në katin e parë dhe një tjetër në katin e dytë të banesës ku jetonin burrë e grua. Aktualisht në banesë ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: