Masakra e Fushë-Krujës që tronditi të dielën e tretë të korrikut dhe la të vdekur tre persona në mes të ditës në një zonë me mbingarkesë lëvizjesh ka ngritur më këmbë Policinë e Shtetit, e cila prej ditës së djeshme po kryen veprime intensive për zbardhjen e ngjarjes, megjithëse ende nuk ka asnjë të dyshuar.

Por dyshime për aftësinë e autorëve nuk ka. Gazetari Igli Çelmeta raportoi për “BalkanWeb” se saktësia në qitje, mënyra e daljes nga makina të tre në mënyrë simetrike ka ngjallur dyshimet e grupit hetimor se ekzekutorët mund të kenë qenë ish-pjesëtarë të forcave speciale. Kjo, nisur dhe nga organizimi tyre edhe nga qetësia e saktësia e veprimeve.

Armën automatike MP 5 mund ta përdorin vetëm pjesëtarë të forcave speciale për shkak të precizionit pasi është armë që vështirë mund të kontrollohet në qitje. Sipas hetuesve vetëm pjesëtarë të forcave speciale të RENEA, Reparti operacioneve speciale të ushtrisë edhe të GARDËS janë të aftë ta përdorin.

Brilant Martinaj, 23 vjeç, Dikler Vata, 30 vjeç dhe Besmir Hoxha, 36 vjeç u ekzekutuan në një ndjekje që pasoi me pritë te Mbikalimi i Fushë-Krujës. Vata arriti të dilte nga mjeti, por u qëllua jashtë tij, teksa Martinaj dhe Hoxha u dogjën nga autorët, të cilët i vunë flakën makinës pasi e bënë shoshë me breshëri plumbash.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb