TIRANE- Në mediat online qarkulloi lajmi se ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj kishte dhënë dorëheqje, pasi PD publikoi sot një audio-përgjim që implikonte vëllain e tij si të përfshirë në trafik droge.

Por, gazetarja Klodiana Lala pohon se një lajm i tillë nuk është i vërtetë. E ftuar në “Studio e Hapur” Lala tha se nga komunikimi që ka pasur me stafin e ministrit, nuk i është konfirmuar asgjë e tillë.

“Nuk më është konfirmuar zyrtarisht, edhe pse kanë qarkulluar zëra të tilla gjatë gjithë ditës. Kam kontaktuar me stafin e ngushtë të zotit Xhafaj dhe nuk më konfirmojnë këtë gjë. Ndoshta në orët në vijim…”, tha Lala.

Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Ardi Bita konfirmoi për “BalkanWeb” se Xhafaj nuk ka dhënë dorëheqjen, ndërsa shtoi se sapo kishte dalë nga zyra e tij.

Sakaq, gazetari Mentor Kikia pohoi se nëse Xhafaj ka dhënë dorëheqje, nuk ka nevojë për firmën e Ramës. “Nëse e ka dhënë dorëheqjen, e ka dhënë dhe nuk ka nevojë nëse e firmos apo jo Rama”, tha ai.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: