TIRANË

Deputeti i opozitës në parlament, Halit Valteri kërkoi sot llogari nga ministri i shtetit për rindërtim, Arben Ahmetaj lidhur me procesin e rindërtimit pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit.  Në fjalën e tij, ndërsa bëri një përmbledhje të dëmeve të tërmetit, Valteri tha se ndërsa banorët e prekur duhet të kishin solidaritetin maksimal të qeverisë, u përballën me arrogancë e shpërfillje të pushtetit qëndror e vendor.

“Ajo që konstatohet me keqardhje, është se edhe pse po bëhet një vit, mijëra familje vijojnë të jetojnë në cadër, ose me qera.  Qeveria nuk ka bërë transparencë për projektet, sot e kësaj dite kemi vetëm projekte 3D” tha Valteri ndërsa parashtroi një sërë pyetjesh për ministrin Ahmetaj.

Pyetjet e ngritura nga deputeti Valteri në interpelancë me ministrin Ahmetaj:

A keni ju një shifër sa njerëz ndodhen sot në cadra?
Sa familje po përfitojnë bonus qeraje, për sa kohë do të jetë aktiv ky bonus? Kemi punime me hapin e breshkës.
Sa pallate do ndërtohen? Sa shtëpi private janë rindërtuar ?
Vende të ndryshme u solidarizuan, a janë lëvruar fondet e konferencës së donatatorëve?

A ka fajtor për viktimat?
Kush është përgjegjës për pallatet në Thumanë, që duhet të klasifikoheshin të pabanueshme prej tërmetit të shtatorit?
A keni detyrim moral, sa serioz jeni ju si ministër i ngarkuar për t’u marr me hallet e qytetarëve ?

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb