TIRANË

Bledar Dervishi, këshilltar ligjor i Presidentit të Republikës Ilir Meta ka qenë sonte në “A show” në News24 për të folur për nismën e një pjese të deputetëve për shkarkimin e Kreut të Shtetit. Ai tha se institucioni i Presidencës është vënë në dijeni për kërkesën duke u shprehur jo i surprizuar referuar dhe reagimit politik dhe rezolutës së miratuar të enjten që shkoi.

I pyetur nëse ka Presidenti një ‘as’ nën mëngë, Dervishi tha se flasim për një proces që do të jetë ligjor duke rikujtuar se çfarë parashikon në këto raste Kushtetuta.

“Po, ka pasur një deklaratë sot për shtyp të kryetarit të grupit parlamentar të PS ku ka konfirmuar depozitimin e një kërkese të një numri të caktuar deputetësh për të kërkuar shkarkimin e Presidentit të Republikës dhe për këtë jemi vënë në dijeni ne si institucion.
Që pas daljes së dekretit të Presidentit të Republikës, ditën e hënë para një jave, ku ai u shpreh me dekret për shfuqizimin e dekretit të mëparshëm dhe anulimin e procesit zgjedhor të planifikuar për 30 qershor pati një reagim politik, një aktivitet parlamentar. Për sa i takon, ditën e enjte, seancën e kaluar pati një rezolutë e Kuvendit, ku ndër paragrafët e kësaj rezolute vlerësohej mundësia e inicimit të mekanizmit të hetimit parlamentar mbi procesin e shkarkimin të Presidentit të Republikës. Brenda kësaj rezolute mbështetej KQZ për të anashkaluar aktin e Presidentit. Kështu që ishte e pritshme edhe sot kjo kërkesë.
As nën mëngë? Nuk mund të flasim për asa nën mëngë por flasim për një proces që do të jetë ligjor. Kushtetuta në nenin 90 parashikon mënyrën se si ndërmerret iniciativa për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Pra, një kërkesë që duhet të paraqitet nga ¼ e anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë. Ajo duhet të mbështet nga 2/3 e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij dhe më pas do të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që do të vendosë nëse presidenti i Republikës ka kryer ose jo një shkelje të rëndë të Kushtetutës”, deklaroi Dervishi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb