TIRANË

Policia Rrugore e Tiranës ka ndaluar dy drejtues mjetesh që kanë tentuar t’u japin para policëve rrugorë për t’i shpëtuar masës administrative. Shoferët i kanë futur paratë mes letrave por policët kanë njoftuar patrullën duke deklaruar tentativën për korrupsion. Një prej shoferëve i ka kërkuar policit ta lejojë të ikë për punë duke i futur një 10 mijëshe mes letrave.

Policia bën të ditur se në funksion të patrullimeve me përzgjedhje, rrugorët e kryeqytetit kanë ndaluar në rrugën “Jordan Misja” drejtuesin e mjetit me iniciale H. K., 43 vjeç, i cili po drejtonte mjetin pa vendosur rripin e sigurisë, dhe gjatë kontrollit policor, me qëllim shmangien e penalizimit, i ka ofruar agjentit verifikues një shumë lekësh.

Gjithashtu te sheshi “Karl Topia” është ndaluar drejtuesi i mjetit me iniciale K. C., 24 vjeç, i cili është konstatuar se nuk u jep përparësi këmbësorëve, drejtonte mjetin pa vendosur rripin e sigurisë, nuk kishte regjistruar ndryshimet e pronësisë në afat, dhe me qëllim shmangien e penalizimit, i ka ofruar agjentit verifikues një shumë lekësh.

Në të dy rastet efektivët e Policisë Rrugore kanë bërë arrestimin e dy drejtuesve të mjeteve në kushtet e flagrancës, për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, gjithashtu janë bërë procedurat administrative për kundravajtjet e konstatuara.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb