“Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është i lidhur me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut. Ka njerëz që thonë se aplikimi i Shqipërisë për anëtarësim në BE duhet të ndahet nga ai i Maqedonisë së Veriut, që vendi ynë të vlerësohet për meritat e veta. Të tjerë thonë që duhet të vazhdojmë të presim Maqedoninë e Veriut. Si mendoni ju?”

Kjo është pyetja e 11-të e qeverisë në pyetësorin drejtuar qytetarëve shqiptarë në kuadër të “Këshillimit kombëtar”, por sa e ka në dorë Shqipëria ndarjen e rrugës së integrimit nga vendi fqinj? Kryeministri Rama deklaroi sot në emisionin “Open” se Shqipëria ka shumë në dorë, dhe është një politikë agresive në dyert e Europës për t’u ndarë nga Maqedonia e Veriut.

“Për sa i përket ndarjes nga Maqedonia kemi shumë në dorë. Patjetër ka shumë në dorë Shqipëria. Kemi pasur në dorë të bëjmë një politikë agresive ndarjeje dhe të shkojmë në çdo derë dhe çdo debat me europianët dhe të themi ç’punë kemi ne që na mbani këtu. Kjo është një politikë tjetër nga politika që kemi ndjekur deri sot që kemi pranuar të mos flasim, të mos kërkojmë ndarje por të ecim paralelisht për arsye të një vendimmarrje të bazuar në disa argumente. Në rast se Franca nuk do ta ndajë dot, atëherë është e arsyeshme të mendohet që ne mund të ndryshojmë vijë dhe të fillojmë të trokasim derë më derë për ta ndarë Shqipërinë nga Maqedonia. Natyrisht marrja e mendimit të njerëzve është shumë e rëndësishme këtu për qeverinë”, tha Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: