Për herë të parë gjatë viteve të fundit, Banka e Shqipërisë raportoi se çmimi i banesave ishte në tendencë rënëse në 6 mujorin e dytë të 2022-t.

Sipas indeksit Fischer të çmimit të banesave, që llogaritet nga BSH me bazë 6-mujore, çmimi mesatar i banesave të shitura gjatë 6-mujorit të dytë 2022 ka rezultuar në rritje me 16.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, por është ulur me 9.1% në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit.

Kjo tendencë erdhi pasi në gjysmën e parë të vitit çmimet ishin rritur tre herë më shpejt se mesatarja historike.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), në deklaratën e fundit të dhjetorit 2022, paralajmëroi për rreziqet që mund t’i vijnë sistemit financiar nga një krizë e tregut të pasurive të paluajtshme.

Fondi këshilloi që të tregohet kujdes për ndikimin që mund të ketë vrulli i ndërtimeve dhe zgjerimi i tregut të pasurive të paluajtshme në stabilitetin e sektorit financiar.

“Ne bëjmë thirrje për monitorim nga afër dhe menaxhim të rreziqeve të mundshme nga rritja e lartë e kreditimit gjatë viteve të fundit, përfshirë huadhënien e rritur në monedhë të huaj”, tha FMN.

Sejko: Ekspozimi i bankave ndaj sektorit të ndërtimit shfaqet i kontrolluar
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka pohuar në një intervistë për Monitor se ekspozimi i bankave ndaj sektorit të ndërtimit shfaqet i kontrolluar.

Z. Sejko tha se ekspozimi i sektorit bankar ndaj tregut të pasurive të paluajtshme është i përmbajtur. Ai shton se gjithsesi, Banka e Shqipërisë po analizon në vazhdimësi zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme, si dhe monitoron me kujdes ekspozimin e sektorit bankar ndaj këtij tregu dhe për zhvillimin e instrumenteve të nevojshme për atë adresuar çdo kontingjencë të mundshme.

“Tregu i pasurive të paluajtshme është karakterizuar nga një rritje e shpejtë e çmimeve, kryesisht për banesa rezidenciale, gjatë 4 – 5 viteve të fundit.

Ecuria është nxitur, në një masë të madhe, nga rritja e kërkesës për to, por gjithashtu, ajo ka pasqyruar edhe rritjen e kostove të ndërtimit. Fenomeni ka qenë i pranishëm jo vetëm në tregun shqiptar, por edhe në atë botëror.

Nga këndvështrimi ynë si mbikëqyrës e rregullator, ekspozimi i bankave ndaj sektorit të ndërtimit shfaqet i kontrolluar.

Ekspozimi merr si formën e financimit për blerjen apo zhvillimin e pasurive të paluajtshme, ashtu dhe atë të pranimit të tyre si kolateral.

Në rastin e parë, ekspozimi direkt apo indirekt i kredisë bankare ndaj ecurisë së çmimeve në sektorin e ndërtimit rezidencial përbën një pjesë relativisht të vogël, ndonëse jo të neglizhueshëm, të portofolit total të kredisë.

Në rastin e dytë, ne konstatojmë se shkalla e mbulimit me kolateral të kredisë ofron marzhe relativisht të larta fleksibiliteti për sektorin.

Për këto arsye, ne vlerësojmë se ekspozimi i sektorit bankar ndaj tregut të pasurive të paluajtshme është i përmbajtur.

Madhësia relativisht e kufizuar e kredisë bankare për pasuri të paluajtshme dhe standardet e forta që bankat po aplikojnë në praktikat e kredidhënies zbusin ndjeshëm rrezikun që mund t’i vijë industrisë bankare prej ndryshimeve potenciale në trendet aktuale të vërejtura në këtë treg.

Gjithsesi, Banka e Shqipërisë po analizon në vazhdimësi zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme, si dhe monitoron me kujdes ekspozimin e sektorit bankar ndaj këtij tregu.

Përmirësimi i kuadrit të monitorimit dhe administrimit të rreziqeve në këtë drejtim është në fokus të punës sonë. Paralelisht me to, ne po punojmë edhe për zhvillimin e instrumenteve të nevojshme, për të adresuar çdo kontigjencë të mundshme”, tha guvernatori.

Kredia për ndërtimin po udhëheq huamarrjen
Në dhjetor të vitit 2022 stoku i huasë për ndërtim arriti në 72 miliardë lekë, ose 620 milionë euro. Në raport me fundin e 2021-t, huaja për ndërtimin u rrit me 17%.

Ndërtimi ka udhëhequr zgjerimin e stokut të huamarrjes në 2022, duke ndikar në 62% të rritjes (stoku i huasë për ndërtimin u rrit me 10.2 miliardë lekë, nga 16.7 miliardë lekë që u zgjerua huadhënia totale për ekonominë në 2022).

Pesha e kredisë për ndërtimin ndaj totalit ka arritur në rreth 18%, nga 15% që ishte në fund të 2021. Një rënie e çmimit të banesave do të ulte vlerën e kolateralit që kompanitë e ndërtimit apo individët kanë lënë si garanci për të marrë huan në bankë, duke rritur rrezikun për rritjen e kredive me probleme.

Screenshot 20230502 193352 Word
Screenshot 20230502 193352 Word

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb