Nga: KIÇO BLUSHI *
Në shkrimin e kaluar “Nga një rrugëtim jashtë Tirane” nuk e di përse dhe si fjala bojkot kishte “rënë” (ndoshta nga pakujdesia ime e redaktimit) në frazën e mëposhtme: “E pra, votuesit tani ia dinë vlerën votës së tyre, ndaj të zhgënjyer e të pakënaqur nga rrugët që ka ndjekur politika të thonë në intimitet se ka rrezik të përdoret bojkoti nga zgjedhësit për të zgjedhurit, si i vetmi dhe i pari ndëshkim demokratik që bën zgjedhësi”.
Shqetësimi dhe meraku i një bojkoti të zgjedhjeve nga votuesit më shtyn t’i rikthehem kësaj dileme e të shtjelloj dyshimin, që kësaj here duket i  mundshëm. Po sikur, largqoftë, zgjedhësit kësaj here të bëhen shumicë, mbi 50% e të bojkotohen zgjedhjet e 21 qershorit? Në Elbasan, Pogradec e Korçë takova jo pak qytetarë, të cilët pohonin kokëfortësisht: kësaj here nuk do të shkojmë të votojmë. Arsyet që jepnin ishin të llojllojshme. Në fakt populli, në të gjitha zgjedhjet e lira demokratike, pavarësisht manipulimeve, ka votuar me intuitë e mençuri. Ka krijuar maxhoranca të forta, si kjo e fundit, së cilës ju dhanë numrat e mjaftueshëm në Kuvend që të kryente ndryshime e reforma rrënjësore, ashtu edhe maxhoranca fluide, si ato të 2005-ës, kur populli nuk ishte i sigurtë për asnjë palë… Por sa dhe si e kanë justifikuar zgjedhjet kësodore verdiktin e popullit?
Te kjo pyetje fshihet enigma e zgjedhjeve të ardhshme, paçka se janë për pushtetin vendor.
***  
Edhe kësaj here numri i mosvotuesve të presupozuar, vështirë të përllogaritet. Sepse të pavendosurit, të zhgënjyerit dhe bojkotarët i ngjajnë rrjedhës së një përroi që të përmbyt varësisht nga moti, dmth nga prurjet e shiut, sa kohë hidrovoret dhe kolektorët e qeverive kanë mbetur jashtë funksionit. Në këto kushte pyetjet e mëposhtme do të jenë përcaktuese, vendimtare: Sa dhe si mund të ndikojë deri më 21 qershor fushata e përndezur, rutinore, pa risi e pa alternativa të besueshme e krerëve të partiakë, që do t’i bien sërish kryq e tërthor Shqipërisë për të na bindur se janë “më të mirët”, edhe pse janë të njëjtët? A do të besohen premtimet dhe mësymjet me shpip-sharje të ndërsjellta po ashtu e po aq si në zgjedhjet e shkuara? A do të vidhen e blihen votat, pra a do të pranojnë ta shesin votën e tyre qytetarët “për një thes me miell”, a një vend pune? Ç’ndikim do të ketë largimi i ca “xhaketave të vjetra”, i të ashtuquajturve pashallarë dhe zëvendësimi i tyre me urdhër nga lart, me do fytyra të reja, të cilët me gjasë do të na serviren si “specialistë të pakonsumuar” nga krerët partiakë? A do të bashkëpunojnë për fitoren të fortët? A do të hapin sërish thesin biznesmenët për të parablerë influencën? Mos do të punojnë nën rrogoz krerët e larguar bashkiakë, ca me gjykata dhe prokurori, ca me denoncime publike e ca me dorëheqje të detyruar, bashkë me mbështetësit dhe klientët e tyre? A do të gëlltiten nga zgjedhësit allishverishet paraprake të kryetarëve të partive në koalicion, të tipit: më jep këtë bashki, të të jap mbështetje, përndryshe do të “iki në drejtim të paditur”? A do të votojnë militantët pëdëistë të Durrësit për kandidatin republikan dhe pësëistët e Pogradecit apo të Gjirokastrës për një të lësëisë, vetëm se këtë e dëshiron/e urdhëron/e dikton kryetari përkatës? Sa është realisht përqindja e zgjedhësve që për dy vjet nuk zunë dot një punë dhe a do të votojnë ata symbyllur, ose kundër, ose pro, dmth për siglën e partisë dhe emrin e kryetarit, pavarësisht nga interesi vetjak dhe cilësia e kandidatit të ofruar prej kreut të partisë?….
Vështirë që këtyre pyetjeve do t’u japë përgjigje fushata e ardhshme. Sado të jetë fatura e padeklaruar e fushatës, kësaj here manipulimi mediatik do të jetë më i vështirë. Mjafton një dalje nga qendra e Tiranës për të kuptuar se këto shqetësime gëlojnë te zgjedhësit më fort në periferi, aty ku ha pula gurë. Nuk ka dyshim që zgjedhësi i sotëm, pavarësisht nga niveli arsimor, nuk është ai i fillimviteve ‘90-të. Identifikimi i partisë me emrin e kryetarit dhe militantizmi i verbër kanë pësuar më tepër ndryshime dhe bjerrje se mjedisi. Shumica e zgjedhësve, pas gati një çerek shekulli, e ka kuptuar vlerën e votës. Zgjedhësi, edhe më i pashkolluari e ka provuar gjatë 25 vjetëve, në kurrizin e tij se vota e tij është pushtet, një pushtet që nuk duhet dhënë si kapar, as si bakshish, as si qerasje për mikun e shtëpisë, pasi nesër e paguan shtrenjtë.
Duke qenë vend i vogël, ne e njohim njëri-tjetrin me dhëmb e dhëmballë, ndaj ç’vlerë do të kenë fjalimet dhe posterat e kandidatëve nëpër mure e shtylla telefoni, sikurse edhe negativat e fotove të ish-sejmenëve partiakë të transformuar brenda një apo dy mandatesh në pashallarët më të karfosur e dhjamosur të krahinës… Krahasimi automatik: ç’ishin dje e si janë transformuar ata sot nuk ka nevojë për koment, për debate, për sqarime, për spote e premtime fushatash, qoftë edhe të ideuara nga specialistët e Blerit a të Obamës…
E sigurtë është: zhgënjimi, papunësia, arrestimet për energjinë e papaguar elektrike, prishjet e ndërtimeve pa lejë, korrupsioni, krimi, tritoli, pandëshkueshmëria, arroganca e administratës, klientelizmi dhe emërimet me kritere mercenarërore të zyrtarëve, etj., etj. janë kosto elektorale. Ende nuk dihet çmimi dhe kush do të paguajë. Vetëm se të ashtuquajturat reforma në të vërtetë jo vetëm që nuk e kanë ndalur yryshin e anarkisë e të zullumeve në jetën tonë, por kanë amplifikuar bindjen te shumëkush se, pavarësisht kush është në pushtet, PD apo PS, të majtë apo të djathtë, Rama apo Berisha, këtejpari vazhdon i njëjti avaz. Ngjarja më e fundit e tipit “Doshi” do të jetë një nga zërat e kësaj fature elektorale.  
Pabarazia dhe hendeku mes skamorëve dhe të kamurve (kryesisht të të fortëve partiakë të cilët, pa e bërë qejfin qeder ose bëjnë shantazh, ose deklarojnë se qenkan “pasuruar jo për vete, por për të mirën e popullit!”…) i ka shtuar radhët e të pakënaqurve, dmth. rrjedhjen e votave. Loja primitive, bajraktërore e kryetarëve të partive, të cilët kanë marrë në dorë të gjithë vendimmarrjen, si të ishin sovranë: kush do të bëhet deputet, ministër, kryebashkiak, etj., etj., pa përfillur kontributin, meritat, përvojën dhe vlerat, por vetëm besnikërinë pa kushte ndaj kryetarit, po luan rol parësor në zhgënjim… Duke mos përfillur votimin formal në grup e në parti, as statutin e partisë, as gjykimin e opinionit publik (jo vetëm të popullit e të anëtarësisë, por as të forumeve partiake), kjo autokraci banale e megalomane është benzina e hedhur mbi zjarrin në rritje të mosbesimit mbarëpopullor.
Fatkeqësisht kjo dukuri, – e izolimit dhe e diferencimit të krerëve nga populli, – vihet re jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Për sebepe të ndryshme, por për shkaqe të njëjta, ky hendek po bëhet gjithnjë e më i thepisur. Pikërisht kjo dukuri justifikon bojkotin spontan të zgjedhjeve, si e vetmja mënyrë e shprehjes të dëshpërimit, mosbesimit dhe zhgënjimit të votuesve. Dihet që në Kosovë, në zgjedhjet e kaluara, numri i bojkotuesve ishte shumë i lartë, bash për këto arsye. Braktisja e Kosovës, po edhe e Shqipërisë, janë ilustrim i trishtë i kësaj pandehme ndjellakeqe. Ishte  bojkoti, dmth., pasiguria e votuesve në Kosovë që nuk i dha mandat të plotë asnjë koalicioni, duke e lënë vendin pa qeveri dhe pa institucione legjitime tepër gjatë, aq sa ambasadorja amerikane u detyrua të shpërthejë me zemërim, në shqipen më vulgare: “Mos e dh…punën!”
Por kur ndëshkimi me bojkot i popullit dështoi, pra kur armiqtë e djeshëm, të përbetuar, PDK dhe LDK, që nuk kishin lënë gjë pa thënë kundër njëri-tjetrit u bashkuan në një qeveri, duke thyer e shpërfillur çdo skrupull e normë morale, prej zhgënjimit dhe prej humbjes së shpresës e besimit, populli vendosi të braktisë vendin. Kjo do të thotë se, kur edhe bojkoti, si mjet i fundit i ndëshkimit dështon, pra kur paria sunduese mbetet në pushtet, pavarësisht nga vullneti i popullit, nëpërmjet marrëveshjeve okulte e të pamoralshme, nuk ka zgjidhje tjetër, veç rrugës së emigracionit.
 ***
Tanimë nuk habitet kush kur sheh se krerët partiakë vetëshpallen hapur se kanë më shumë drojë dhe frikë ekranet dhe pronarët e tyre, se sa opinionin publik. Populli, zgjedhësi, ca më tepër anëtarësia e partisë po vlerësohen si ca enë bosh, shumë-shumë si plaçkë tregu e firmës gabi, që mund të lahet e shpëlahet kollaj në lavatriçen mediatike, falë propagandës me hidheprit e mëthetëthashë të kryetarëve që dinë të bëjnë efekte me batuta, me shpotira dhe shpif-sharje për njëri-tjetrin. Rasti i koncesionit të parkingjeve në kryeqytet, i mbetur në tentativë, e provoi përbukuri këtë dukuri.
Vetëm se, për hir të së vërtetës, tërheqja në minutën e fundit e Bashës nuk erdhi nga frika e zgjedhësve, po nga reagimi i ashpër i disa kanaleve televizive, të cilat me të drejtë dyshuan se tenderin e kishte fituar paraprakisht një rival i tyre televiziv për të bërë, në këmbim, trafik influence në zgjedhjet e ardhshme. Më e shqipëruar kjo trysni do të thotë: ai projektvendim me siguri që do të kishte kaluar në Këshill me votat e të dyja palëve e tani do të quhej “një punë e kryer në mënyrë demokratike”, pa përfillur interesin dhe gjykimin e qytetarëve të Tiranës, gjë që provon se për krerët tanë nuk ka pikë rëndësie ç’interesa kanë e ç’mendojnë votuesit, po si dhe a do të mund të manipulohen ata nesër në zgjedhje.     
Ka shumë shembuj të tjerë që dëshmojnë se partitë, siç e ka thënë disa herë Lubonja, sillen më së tepri si banda politike, se sa si parti elektorale. Rasti më i fundit, kur një deputet i maxhorancës paralajmëroi jo me argumente, por me pëllëmbë kryeministrin, para kamerave, është shprehja më groteske e më shprehëse e mënyrës se kush dhe si po e bën politikën ndër ne. Edhe po të ishte gjallë Faik Konica, ai me siguri që të thosh që edhe në Zululandin e tij nuk do të bënin vaki ngjarje të tilla Rama-Dosh. Andaj, edhe një agjenci sondazhesh, ndonëse pak e besueshme në zgjedhjet e kaluara, parashikoi këto ditë një rritje shqetësonjëse e ngjyrës “gri”, e atyre qytetarëve të cilët, të pyetur, deklaronin zëplotë, ende pa nisur fushata, se kësaj here nuk do të shkonin fare të votonin.
Historia e bojkoteve të partive deri më sot ka shërbyer më shumë si mjet shantazhi se sa si veprim politik. Edhe pse përherë bojkotet me aq shumë tamtame kanë dështuar, falë ndërhyrjeve të “krokodilëve” ndërkombëtarë, gjithsesi nuk mund të thuhet se bojkoti, si mjet shantazhi, është një punë e mbyllur. Por nëse bojkotin e partive mund ta mbyllin komisionerët e lartë të BE-së, bashkë me ambasadorët e huaj në Tiranë, kush mund ta shpjegojë, justifikojë e, për më tepër, mund ta mbyllë bojkotin e popullit, nëse ndodh? Askush.
E poqese ndodh ky lloj bojkoti i padëshiruar, i paparashikuar dhe i pandodhur më parë, si do të garantohet mbas sodit legjitimiteti i qeveritarëve, i të zgjedhurve, jo vetëm i atyre lokalë, por edhe qendrorë? Mjerisht, krerët tanë nuk po e vrasin mendjen për këtë hall mbi hall që na pret prapa derës; ata kujtojnë e besojnë se i kanë zgjedhësit në xhep e mund t’i përdorin edhe kësaj here për riciklim, si ato shishet e bidonat plastikë të kazanëve të plehrave apo të buzës së lumenjve, nj’ashtu si i kanë pas trajtuar, jo pa sukses, në këto vite.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: