NGA SHABAN MURATI

Procesi i Bashkëpunimit të Vendeve të Europës Juglindore, SEECP, i krijuar me nismën e Bullgarisë në korrik të vitit 1996, mbush 20 vjet nga themelimi dhe për koincidencë të bukur protokollare shteti nismëtar ka aktualisht edhe kryesinë e radhës së kësaj nisme. Por 20 vjet pas krijimit të SEECP, për shumë zyra dhe diplomatë si autori i këtyre radhëve, që për shkak të detyrës e ka ndjekur që nga fillimi dhe ka marrë pjesë në shumë takime, ministeriale dhe samite të SEECP, është e natyrshme se ka ardhur koha të shtrohet pyetja hamletiane: A ka SEECP një identitet rajonal? Në raportet zyrtare, diplomacitë e të gjitha shteteve anëtare e kanë të preferueshme shprehjen se SEECP është e vetmja nismë rajonale, gjë që po ta shohësh në gjenezën dhe në dinamikën e vet, nuk duket se i përputhet aq shumë me specifikën e pretenduar rajonale.

Në fakt, SEECP lindi si nismë e gjymtë që në fillimet e saj, sepse nuk qe në gjendje të siguronte pëlqimin dhe pjesëmarrjen e të gjitha shteteve të rajonit. Vetëm 8 shtete pjesëmarrëse figurojnë në takimin e parë në Sofje në vitin 1996 dhe do të duhej të kalonin shumë vite që të plotësohej formati real rajonal. Nuk mori pjesë as Kroacia dhe as Sllovenia, dy shtete të rëndësishme dhe nga më të zhvilluarit e rajonit. Nuk ka qenë plotësisht e qartë përse Kroacia dhe Sllovenia nuk e vlerësuan të përshtatshme që të ishin pjesë e kësaj nisme rajonale dhe përse ata nuk paraqitën interes për këtë nismë që në fillim. Por, mungesa e gjatë e dy shteteve të rajonit në tryezën e SEECP kuptohet se hiqte një element të rëndësishëm identifikues në portretin e SEECP si nismë rajonale. Kroacisë iu desh që të mendohej 9 vjet para se të vendoste që t’i bashkohej SEECP.

Sllovenia u mendua 14 vjet që të vendoste për të hyrë në SEECP dhe e ndërmori këtë hap vetëm pasi u anëtarësua më parë në Bashkimin Europian dhe në NATO. Lëvizja tjetër e SEECP drejt dëmtimit të identitetit të saj rajonal ishte anëtarësimi absurd i Moldavisë në vitin 2006. Anëtarësimi i një shteti jashtëballkanik, ish-republikë sovjetike, ku kishte një konflikt të ngrirë prej 15 vitesh dhe ku ishin të dislokuara forca ushtarake ruse, jo vetëm që nuk kishte asnjë element identifikimi me rajonin, por solli komplikime negative nga faktorë jashtëballkanikë. Këmbëngulja e Rumanisë për të anëtarësuar Moldavinë SEECP, një lloj sponsorizimi i diplomacisë ruse për këtë lëvizje dhe tolerimi i shteteve të tjera anëtare për ta pranuar në SEECP nuk kishte të bënte as me nismën, as me rajonin, por me interesa dhe llogari individuale të shteteve të veçanta.

Në librin tim “Çështja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës”, kam shkruar lidhur me këtë: “Moldavia, duke qenë një shtet ish-sovjetik dhe duke mos pasur lidhje me jetën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare ballkanike, u ftua të bëjë pjesë në SEECP. Dhe ajo u pranua, duke sjellë brenda organizatës problemet e saj të mëdha me Rusinë”. (Tiranë, 2009, fq.76). SEECP bëri edhe shkeljen tjetër në samitin e saj të shkurtit të vitit 2001 në Shkup, kur e pranoi Serbinë, pa aplikuar për anëtarësim, siç i takonte pas prishjes së ish-Jugosllavisë. Serbia sapo ishte pranuar si anëtare e re në OKB dhe në OSBE, ku kishte aplikuar si shtet i ri, sepse ajo nuk trashëgonte karriget, që kishte pasur ish-Jugosllavia në organizatat ndërkombëtare.

Maqedonia shkeli rregullat dhe e thirri në samit si anëtare, pa informuar paraprakisht dhe pa kërkuar miratimin e vendeve të tjera anëtare. Në entuziazmin e parakohshëm, që kishte kapluar diplomacinë europiane dhe ballkanike pas largimit nga pushteti të presidentit Sllobodan Millosheviç dhe ardhjes në pushtet të Vojislav Koshtunicës, u ligjërua ky gabim strukturor në heshtje. Në të gjitha ministerialet dhe samitet dominon objektivi i bashkëpunimit rajonal, por ai mbetet një parullë pa përmbajtje, nëse pesë shtete të SEECP nuk e njohin një shtet tjetër të rëndësishëm të rajonit si Kosova, të cilën e kanë njohur 111 shtete të OKB. Serbia, Rumania, Bosnjë-Hercegovina, Moldavia dhe Greqia nuk e njohin shtetin e Kosovës dhe kjo i heq SEECP një element tjetër të identitetit rajonal. Në vitin 2014, në samitin e SEECP në Bukuresht, shtetet anëtare ranë dakord që Kosova të marrë pjesë me të drejta të plota në të gjitha veprimtaritë e SEECP. Por vendimi alla ballkanik nuk e saktësoi dhe as e sanksionoi zyrtarisht që Kosova është shtet anëtar i SEECP.

Dhe kemi situatën absurde, kur në uebsajtin e Ministrisë së Jashtme të shtetit nismëtar të SEECP, lexohet që SEECP ka 13 shtete anëtare, kurse në uebsajtin e ministrisë së Jashtme të Serbisë lexohet se SEECP ka 12 shtete anëtare, sepse për Beogradin Kosova nuk është shtet anëtar. Dhe a mund të quhet identitet rajonal, nëse kjo nismë nuk e sanksionon zyrtarisht Kosovën shtet anëtar të saj? Dinamika e arritjeve të veprimtarisë së SEECP gjatë 20 viteve të deziluzionon me rezultatet e dobëta dhe efektet e saj minimale në bashkëpunimin, në pajtimin dhe në afrimin real ballkanik. SEECP nuk ka qenë në gjendje gjatë 20 viteve të ekzistencës së saj të zgjidhë as edhe një problem ose konflikt ballkanik ose përplasje në marrëdhëniet dypalëshe të shteteve të rajonit anëtare të saj.

SEECP ka qenë out dhe as ka tentuar ndonjëherë të japë ndonjë kontribut, jo për zgjidhjen, por të paktën për lehtësimin e tensioneve dhe të konflikteve në rajon. SEECP i ka kaluar anash të gjitha problemeve të mprehta rajonale, sikur ato nuk ekzistonin apo sikur u takonin planetëve të tjerë, duke provuar në fakt se SEECP vetë nuk ekzistonte dhe nuk hynte në punë në momentet kritike, kur rajoni kishte nevojë. Për SEECP nuk kanë ekzistuar tensionet midis Greqisë dhe Maqedonisë, midis Greqisë dhe Turqisë, midis Serbisë dhe Kroacisë, midis Serbisë dhe Bosnjë- Hercegovinës, midis Serbisë dhe Malit të Zi, midis Kroacisë dhe Sllovenisë, midis Bullgarisë dhe Rumanisë, midis Rumanisë dhe Moldavisë, etj. SEECP nuk ka lëvizur dhe nuk ka ndërmarrë kurrë asnjë nismë diplomatike në këtë drejtim. Se cili ka qenë niveli i besueshmërisë rajonale të saj nga vetë shtetet anëtare, e tregon edhe fakti që në forumet e saj të larta nuk është shtruar ndonjëherë që SEECP të ndërhyjë apo të ndërmarrë përçapje shumëpalëshe diplomatike për uljen e tensioneve dypalëshe dhe shumëpalëshe në rajon, ku të afirmonte në një farë mënyre peshën dhe rolin e saj diplomatik.

Kjo tregon se edhe vetë shtetet anëtare nuk kanë pasur dhe nuk kanë besimin se SEECP mund të zgjidhte ndonjë problem të mprehtë në rajon. Është vështirë të gjesh një ministerial apo samit të SEECP, gjatë 20 vjetëve, ku shtetet anëtare të kenë marrë pjesë të gjitha në nivelin e duhur zyrtar. Për ta bërë më të qartë mungesën e identitetit rajonal të SEECP, mund të përmendim se gjatë 20 vjetëve asnjëherë faktori ndërkombëtar dhe organizatat ndërkombëtare, që nga OKB, BE e deri tek OSBE nuk i janë drejtuar dhe as e kanë ftuar SEECP të jetë pjesë e aksioneve dhe e ndërhyrjeve diplomatike ndërkombëtare për shuarjen e vatrave të konflikteve apo të tensioneve në rajonin tonë. Është lehtë të konstatohet se pesha dhe veprimi politik dhe diplomatik rajonal i SEECP ka ardhur duke u dobësuar dhe shtetet anëtare kanë synuar që problemet e rajonit t’i adresojnë në lidhjet, në bashkëpunimin, në nismat dhe në organizatat ndërkombëtare, që janë jashtë rajonit.

Në fakt, nisma tjetër e “Procesit të Stabilizim- Asocimit” me BE, e cila u krijua në vitin 2000, doli më efektive për rajonin dhe me procesin e saj të integrimit europian, ndikoi më shumë në bashkëpunimin dhe në afrimin rajonal se sa SEECP. Procesi i integrimit të shteteve të rajonit në Bashkimin Europian e la më shumë në hije nismën e SEECP, sepse i zhvleftësoi asaj një nga dimensionet kryesore të mandatit, që ishte ai i integrimit rajonal në funksion të integrimit europian. Anëtarësimi i Sllovenisë, Bullgarisë, Rumanisë dhe Kroacisë në BE, marrja e statusit të shtetit kandidat në BE nga Turqia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Shqipëria, natyrisht e zbehën akoma më shumë rolin e SEECP në rajon, si dhe interesin e shteteve anëtare për të. Edhe vetë krijimi më vonë në rajon i nismave si ajo e “Brioni- Bërdos” , “Ballkan 6”, etj. tregon se kuadri rajonal i SEECP është jashtë loje. SEECP nuk arriti gjatë 20 viteve të krijojë në rajon një kohezion politik, ekonomik, energjetik, diplomatik, sigurie, etj.

Në këtë mosarritje kanë pasur ndikimin e vet orientimet, lidhjet dhe aleancat e kundërta të shteteve të rajonit me fuqi të mëdha, rivale për influencë në rajon. Ndërsa Serbia i mban sytë tek aleanca e ngushtë me Rusinë, për hir të së cilës, sipas vetë presidentit serb, është gati të sakrifikojë anëtarësimin në BE, shumica e vendeve të rajonit janë anëtarësuar në NATO ose po presin të anëtarësohen në të. Edhe në planin ekonomik, SEECP nuk mund të mburret për ndonjë projekt dhe sipërmarrje të rëndësishme mbarërajonale, ku të bashkohen të gjithë apo shumica e vendeve të rajonit. As mund të mendohet se ajo mund të jetë në gjendje të realizojë projekte si ato të “Procesit të Berlinit”, të iniciuar nga Gjermania dhe të mbështetur nga BE dhe as projekte si ato të Kinës për Europën Juglindore.

Në këto rrethana është realiste të shtrohet pyetja se si do të ekzistojë më tutje SEECP pa këtë identitet rajonal, që i ka munguar dhe të cilin vetë ajo e ka penguar ose nuk e ka dashur për 20 vjet. A do të kthehet në një NGO qeveritare, me ministeriale dhe samite turistike, ku retorika dhe frazeologjia fabrikate ballkanike kalon nga një presidencë te tjetra? Apo duhet të kërkojë dhe të gjejë një specifikë, që i krijon dhe i ruan identitetin rajonal. Në fakt, SEECP noton në mentalitetin individualist ballkanik dhe në ndjenjën primitive të epërsisë mbi fqinjin. Sëmundja, që zgjat prej 20 vjetëve, është se vetë shtetet anëtare nuk kanë besim te SEECP dhe duket sikur ajo u ka mbetur në derë si forum regjistrues i betimeve dhe i premtimeve për mirëkuptimin ballkanik. Mirëkuptim ballkanik, të cilin vendet anëtare e harrojnë sapo mbyllen takimet zyrtare. Mirëkuptim ballkanik, të cilin e kanë të vështirë ta besojnë edhe kryeqytetet e rëndësishme diplomatike jashtë Ballkanit.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: