Ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim, e ftuar në studion e emisionit “Përballë”, u shpreh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk kanë preferenca sa i përket kandidatëve apo partive politike, e shtoi se në interes të tyre, janë demokracia dhe organet gjyqësore.

“Mendoj se është mënyra e gabuar e të menduarit. Mendoj se nuk është ky roli ynë. Nëse po pyesni, a e vrasim mendjen për çfarë ndodh? Po, e vrasim mendjen. A kemi një kandidat të preferuar? Jo, nuk kemi. Nuk është ky pozicioni i Shteteve të Bashkuara. Ajo për të cilën vrasim mendjen janë institucionet dhe proceset. Dhe, prandaj nuk flas për këtë kandidat apo atë kandidat, këtë apo atë parti, por flas për rëndësinë, rëndësinë kritike që ka që të sigurohemi që rregullat dhe proceset janë të ndershme, janë transparente, që fusha e lojës është e njëjtë për të gjithë, dhe që rregullat të zbatohen edhe në kohë, që të gjithë të kenë të njëjtat shanse. Kjo është ajo për të cilën kemi interes”, u shpreh Yuri Kim.

Ndër të tjera, Kim u shpreh e lumtur për bashkëpunimin prej 30 vitesh mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, e shtoi ëndrra e saj është që të në Shqipëri të ketë sisteme gjyqësore të ndershme e që gjykojnë drejtë mosmarrëveshjet e krijuara mes qytetarëve.

“Në jetë nuk ka garanci, por kur shoh situatën, e dini, jam thellësisht në diskutime me të gjithë udhëheqësit përkatës. Mendoj se e kuptojnë rëndësinë që ka ndjekja e rregullave në maksimumin e mundësive, që ka transparenca. Mendoj se e kuptojnë se sa rëndësi kanë për të ardhmen e Shqipërisë. Mendoj e kuptojnë se sa rëndësi ka nga pikëpamja e SHBA, si mbështetëse dhe mike e Shqipërisë. Kemi qenë me ju për 30 vjet dhe tani jemi të lumtur të festojmë 30 vjet së bashku. Kemi bërë një investim shumë të madh tek Shqipëria si demokraci dhe si demokraci e begatë. Nuk kemi për ta humbur atë investim. Në fakt, preferojmë të sjellim më shumë investime, më shumë investime tradicionale, tek biznesi.

Prandaj më dëgjon shpesh Lutfi të flas për demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin. Këto tri gjëra janë të lidhura. Ëndrra ime është të kemi një situatë në Shqipëri ku sundimi i ligjit vjen duke u forcuar, në mënyrë që t’u them investitorëve amerikanë: rregullat e investimit në Shqipëri janë të qarta. Nëse vini këtu, do të gjeni një popullsi, një forcë punëtore që është e aftë dhe që mund të trajnohet; se do të gjeni një sistem gjykatash që do t’ju japin një gjykim të drejtë në rast mosmarrëveshjeje; se ia vlen të vish në Shqipëri për të krijuar vende pune. Do të doja ta shihja këtë që të ndodhte nga Shkodra në Sarandë. Mendoj se është e mundur por e dini që duhet të merren ca vendime të vështira këtu. Nëse nuk keni një sistem gjykatash të pastra, njerëzit nuk do të investojnë”, tha Kim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: