Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot përpara mediave kryenegociatorin për Integrimin e vendit Zef Mazin, një diplomat karriere, që ka punuar edhe në institucione ndërkombëtare.

I pyetur nga gazetarët se a e ka biseduar me presidentin Ilir Meta emrin e kryenegociatorit të Shqipërisë për negociatat me BE-në, Rama u shpreh me ironi se “nuk kam pasur kohë për muhabet”.

Më tej, Rama tha se sidoqoftë është takuar me Metën në Komisionin e Integrimit, duke thënë se të gjitha palët duhet të japin kontribut që të mund të hapen negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian.

“A më ka ftuar presidenti mua të flasim për integrimin? Nuk kam pasur kohë për muhabet.  Integrimi është proces, është një strukturë. Po kemi qenë së bashku tek Komisioni i Integrimit. Patjetër, në çdo rast që presidenti e ka të nevojshme të komunikojë me mua për integrimin, unë jam i gatshëm të ulem, mjafton mos jetë datë zgjedhjesh imagjinare.

Sa i përket pyetjes se kur është data për integrimin, mos prisni që të jap data, sepse në një martesë datën nuk e cakton më i vogli. Boll më bëmë shtyrje dasmash. Problemet për shtyrjen e dasmës ishin tek ata, jo tek ne. Ata na vendosin detyra ne, sepse jemi ne që duam të hyjmë në BE. Një ide e kam, por mos nxirr datë kur flet për BE, e mësova këtë gjë”, tha Rama.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb