Në një konferencë për media, pas vendimit të DASH për ta shpallur “non grata” në SHBA, ish-kryeministri Sali Berisha u pyet nga gazetarët nëse ka pasur dijeni për vendimin më herët.

Berisha deklaroi se ka pasur një tendencë të tillë, për shkak, sipas tij, të kundërshtimit që i ka bërë projektit të ndarjes së Kosovës apo ndryshimit të kufijve.

“Ka pasur një tendencë, për shkak të kundërshtimit që i bëra projektit të ndarjes së Kosovës apo ndryshimit të kufijve, projekt çnjerëzor, ogurzi, dhe jam krenar për qëndrimin që kam mbajtur, që të kualifikohej qëndrimi im si konspiracion ndaj policisë së jashtme të SHBA. Unë çdo gjë e kisha publike. Ata të cilët e iniciuan, dështuan. Kjo ka qenë në dijeninë time. Ajo ishte një gjë që dëmtonte në mënyrë të tmerrshme popullin shqiptar, rajonin, etj”, tha Berisha.

Më tej, ish-kryeministri u pyet dhe për qëndrimin e kryedemokratit Lulzim Basha, i cili tha se shprehte keqardhje për vendimin e DASH dhe se duhej transparencë e plotë, duke u shprehur se “Z. Basha ka shprehur qëllimin e tij, tani unë mendoj se PD, që qëndrim do të shprehte, dhe ai shprehu qëndrimin e PD. Unë jam pjesë e asaj partie dhe e atij grupi parlamentar”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb