Merita Reveli, nëna e parë në fshatin SOS rrëfen në emisionin “Jeta pa filtër” përballë psikologes Ervisa Lula eksperiencën e saj 17-vjeçare të punës me fëmijët pa kujdes prindëror. 70-vjeçarja nga Tirana nuk u martua kurrë, por rriti disa fëmijë dhe u bë nënë për ta. Ja si i kujton ajo fillimet e saj si nënë në SOS: “Më dhanë dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë, vajza ishte pa bërë dy vjeç, ndërsa djali s’kishte mbushur ende tre vjeç. E pata pak të vështirë në fillim, por ishte një zonjë e cila ishte nënë dhe kishte eksperiencë, i kërkova ndihmë asaj nja dy here, më pas përvesha mëngët vetë dhe bëra punët”.

Reveli thotë se vajzën e parë që rriti e ka dashur aq shumë sa ka menduar edhe birësimin e saj, por nuk mundi dot. Edhe sot që ajo vajzë është bërë vetë nënë raportet me njëra- tjetrën mbeten po njësoj, Merita vazhdon të jetë nëna e saj. Një nga momentet e vështira të cilat ajo kujton është çasti i përballjes me vajzën, kur ajo donte të dinte të vërtetën: “Vajza më thirri e më tha se donte të më pyeste për diçka. Aty e ndjeva se çfarë donte, përnjëherë më vajti mendja. Më tha: Nëna kush më ka lindur mua? E mora pranë vetes dhe i tregova se nuk isha martuar kurrë dhe nuk e kisha lindur unë , menjëherë më tha se më donte…”.

Puna me fëmijët pa kujdes prindëror ishte një punë e bukur, por edhe e vështirë, gjithsesi Merita thotë se tani që është në pension i mungon shumë. Emisioni “Jeta pa filtër” transmetohet çdo të mërkurë ora 10:20 në ekranin e News24.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb