Mjeku pneumolog, Adrian Jorgji në një intervistë për emisionin ‘Kjo javë’ në ‘News24’ i ka dhënë përgjigje disa pyetjeve që shqetësojnë sot qytetarët, të cilët përballen me dilema sapo iu nisin simptomat e para të COVID-19.

Jorgji tha se kurimi për koronavirusin varion sipas simptomave të secilit pacient. Mes të tjerash ai tha se e gjitha bota po përballet me shifra në rritje të rasteve me COVID, ndërsa shtoi se problematikë për përhapjen e virusit janë bërë fëmijët dhe të rinjtë. Po ashtu, mjeku sqaroi edhe rolin e grafisë, apo dhe dita kur është e këshillueshme bërja e skanerit.

PJESË NGA INTERVISTA
Pak më parë u njohëm me shifrat e 24 orëve të fundit por edhe rastet e vdekjeve janë të larta. Si është ky raport për ju?

Numri i të infektuarve vazhdon të ngelet i lartë. Do i referohem edhe vendeve të rajonit që janë ngjitur me ne. Kanë shtim të rasteve. Sidomos po veçoj Italinë. Ka një ngritje jo të vogël që vlerësohet diku tek 9 %. Vigjilenca duhet të jetë maksimale.

Sa shqetësues është numri i vdekjeve?
Shqetësues duhet të jetë patjetër. Kjo edhe për një fakt tjetër. Mosha mesatare e të infektuarve ka rënë shumë. Muaj më herët flisnim mbi 70 vjeç, kurse sot 40-44 vjeç e të infektuarve. Është rritur shumë numri i infektimeve tek moshat e reja. Kur flas për moshat e reja, flas për 10-17 vjeç apo dhe 6-10 vjeç. Shumë është përhapur edhe tek fëmijët e vegjël.

Ndalemi tek fëmijët e vegjël. Fëmijët bëjnë simptoma të lehta, por ajo që nuk dihet është se si e përcjellin tek familjarët…
Është shumë shqetësuese situata. Po marr si shembull Italinë, ku po bëhet një bisedë e madhe rreth kësaj çështje. Fëmijët e marrin virusin në shkolla dhe ua transmetojnë prindërve apo gjyshërve. Ata kanë ndikuar shumë tek rritja e infeksioneve, sidomos me format e reja që po vështirësojë punën.

Rekomandohet grafia tek fëmijët?
Në dëmtimet e COVID grafia nuk është një armë që ndihmon shumë. Sidomos në fazën e parë. Në fazën e parë ajo thuajse nuk tregon asgjë. Kjo e bën të vështirë diagnostikimin. Unë mbështetem shumë tek klinika.

Dëgjoni shumë me veshë?
Pavarësisht se të gjithë të sëmurët i dëgjoj me veshë, në fazat e para mund të mos dëgjohet asgjë me veshë deh dëmtimet të kenë nisur. Do kujdes kjo gjë, ndaj mbështetem tek klinika, simptomat.

Dua të ndalemi tek skaneri…
Ka njerëz që kanë kaluar COVID dhe unë nuk iu kam bërë skaner, kjo duke u ndikuar dhe nga shenjat e pakta klinike. Këtu duhet dhe marrëveshje ‘zotërinjsh’ me pacientët që ‘ndiqemi në këtë mënyrë dhe shohim rrugës’. Skaneri është zgjedhje, e mjekut sa i përket klinikës së pacientit, por dhe e këtij të fundit. Pacienti sa vjen thotë; unë dua të bëj skanerin. Unë iu them; ‘skaneri nuk mjekon’.

Sa i dëmshëm është skaneri?
Është një ekzaminim që nuk doli sot, por aplikohet prej shumë vitesh. Nuk e quaj korrekte këtë bisedë, por nga ana e atyre që e ngrenë këtë problem. Kam dëgjuar abuzime me këtë temë. Ai do duhet të bëhet kur është e domosdoshme. Kur kërkohet nga mjeku, për të tjerat pastaj kam rezerva.

Kur duhet bërë skaneri?
Përgjigja ndaj COVID, po bien dakord i gjithë komuniteti shkencor në botë, është individual. Ndaj jam pro ndjekjes individuale, dhe jo përmes telefonit. Pacienti dëgjohet me vesh dhe përmes ankesave të tij. Për skanerin do të thoja se nuk duhet të bëhet më parë se dita e 7.

Në momentin kur bëjmë temperaturë, ajo mund të jetë e lartë dhe zgjat 4-5 ditë..sa duhet të shqetësohemi?
Temperatura është prezantimi i COVID, por jo gjithnjë. Në të tilla raste nuk ka vlerë asgjë, përveç lëngjeve, ushqimit të mirë dhe aspirinës. Kaq! Dhe durim! Kur bëhet e pabindur dhe shqetësuese temperatura, atëherë mund të alternohet aspirina, paracetamoli me antiimflamator. Ka njerëz që në temperatura të larta mund të kenë çrregullime neurologjike.

Kur duhet të shqetësohemi për kollën?
Kur flasim për COVID, kolla duhet ta bëjë mjekun vigjilent. Mund të ndodh prekja e mushkërisë edhe pa kollë. Unë kur më vjen një pacient, e pyes se si e ka kollën, si e ndjen frymëmarrjen.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: