Franca mund të përballet këtë javë me rrëzimin e një tjetër qeverie, vetëm dy muaj pas emërimit të kryeministrit François Bayrou. Pas rënies së kabinetit të Michel Barnier në dhjetor 2024, qeveria e re ndodhet përpara një prove vendimtare: miratimin e buxhetit për vitin 2025, në një parlament të fragmentuar dhe pa shumicë të qartë.
Prej fillimit të vitit, Franca – si fuqia e gjashtë botërore – funksionon pa një buxhet të miratuar, një situatë e paprecedentë në historinë e saj moderne. Siç analizon gazetari Genc Burimi, kryeministri Bayrou pritet të përdorë nenin 49.3 të Kushtetutës, një mekanizëm që i lejon atij të kalojë buxhetin pa votim parlamentar, por me një çmim të lartë: nëse opozita arrin të mbledhë mjaftueshëm vota për një mocion mosbesimi, qeveria bie menjëherë.
Ky skenar i kushtoi postin paraardhësit të tij, Michel Barnier, kur në dhjetor 2024, partitë ekstremiste e detyruan të largohet pas përdorimit të këtij mekanizmi. Tani, François Bayrou përballet me të njëjtin rrezik.
Më shumë sesa buxheti, objektivi i partive ekstreme të majta dhe të djathta është rrëzimi përfundimtar i Presidentit Emmanuel Macron. Nëse qeveria bie, Franca do të futet në krizën më të thellë politike të viteve të fundit. Skenari më i mundshëm është shpallja e zgjedhjeve të parakohshme, që mund të riformatojnë tërësisht skenën politike franceze.
Sipas Genc Burimit, shpresa kryesore e Bayrou është që Partia Socialiste të mos bashkohet me ekstremet për të rrëzuar qeverinë. Dy javë më parë, socialistët mbështetën kabinetin e tij në votëbesim, duke sinjalizuar se mund të mos jenë të gatshëm për një tjetër krizë qeveritare.
Në orët në vijim, fati i qeverisë Bayrou do të vendoset në një betejë politike të tensionuar, që mund të ketë pasoja të gjera për stabilitetin e Francës dhe të gjithë Europës.