Nga: VASIL KURETA*
Sistemi i marrëdhënieve ndërkombëtare është në lëvizje e zhvillim të përmbajtjes së tij, nga lëvizjet që janë duke bërë disa aktorë të rëndësishëm, duke mundësuar një model konkret marrëdhënieje, sjelljeje, roli, përgjegjshmërie, ambicie, dakortësi, ndarje apo përplasje interesash. Po shfaqet një raport konkret ndaj rregullave, standardeve e marrëveshjeve të nënshkruara, ku shfaqet dhe respektimi, por edhe mosnjohja apo shkelja, që për ndonjë ka qenë sistematike. Në këtë proces është evidentuar marrëdhënia kontradiktore mes SHBA-ve dhe Rusisë, që shfaq edhe mospajtimet e tensionet, që janë shkaktuar nga avancimi konkret i strategjisë së superfuqisë nga Rusia, por, siç dëshmoi dhe takimi i fundit në Soçi, edhe dialogu e ndoshta bashkëpunimi në axhenda të caktuara. Në një farë mënyre, zhvillimi më i fundit i Socit, shoqëruar me “patate-diplomacinë”, mund të konsiderohet edhe si një lloj “zyrtarizimi” i “luftës së ftohtë 2”.
Ka mjaftuar një stërvitje e përbashkët ushtarake në Detin Mesdhe mes Kinës dhe Rusisë, që të lëvizë supozimi rreth një niveli të ri partneriteti strategjik mes Kinës dhe Rusisë. Natyrisht, kjo lëvizje dhe disa të tjera, në të kaluarën e afërt dhe kohët e fundit, mundësojnë të diskutohet për një lloj partneriteti të kontrolluar reciprokisht mes Kinës dhe Rusisë. Marrëdhënia komplekse mes tyre ka tashmë një përmbajtje e cilësi konkrete, ku spikat veçoria pragmatiste e kuptimit dhe zbatimit të pragmatizmit. Kina dhe Rusia kanë nënshkruar marrëveshje të rëndësishme në fushën e ekonomisë dhe tregtisë, ku më e fundit është ajo e blerjes së gazit rus nga Kina, edhe pse me çmim të lartë. Po kështu, Kina ka një vend e rol të saj në të ashtuquajturin organizëm ushtarak euroaziatik CSTO, ku ka marrë pjesë në disa aktivitete dhe ka bërë deklarime që kanë tërhequr vëmendjen e analistëve të ndryshëm, sepse ka shfaqur unisonin me Rusinë me kritika ndaj misionit të NATO-s për sigurinë, duke e cenuar disi fytyrën e neutralitetit të Kinës.
Kina dhe Rusia vijnë në këtë stërvitje të përbashkët ushtarake, që është një formë e demonstrimit të fuqisë së tyre, jo rastësisht, por si pasojë e evolucionit të një marrëdhënieje mes tyre, që edhe pse me axhenda specifike të qarta, në lançimin e strategjisë së superfuqisë botërore, i kanë dhënë frymëmarrje, një lloj aleance dyshe të kujdesshme e të vështruar me vëmendje nga të dyja palët. Kina në fakt e dha një sinjal lëvizjeje, duke nxjerrë një diplomat të saj nga Brukseli, ku në mënyrë kinezçe, tregoi se do të bënte një lëvizje konkrete me Rusinë. Edhe pjesëmarrja e kreut më të lartë të Kinës në paradën e festimit të 70-vjetorit mbi nazizmin gjerman, përmes një demonstrimi të zëshëm të fuqisë ushtarake të Rusisë, kur shumica dërmuese e vendeve perëndimore e bojkotuan, për shkak të implikimit direkt të Rusisë në shpërthimin e konfliktit ukrainas, ishte një shfaqje e njohur domethënëse. Edhe simbolika e vendosjes së Xi Ping në krah të djathtë të Putinit në aktivitetet përkatëse, si përfaqësues i një vendi shumë të madh e aktor i rëndësishëm ndërkombëtar, ishte gjithashtu demonstrim i idesë se “jemi bashkë”.
Në kushtet e një izolimi ndërkombëtar të rëndë ku ndodhet Rusia, shoqëruar me sanksione ekonomike nga SHBA dhe BE, që realisht kanë afektuar rëndë ekonominë dhe financat e Rusisë, shfaqja tani e kësaj aleance dyshe me Kinën, si një lloj partneriteti strategjik, i intereson shumë Rusisë. E lehtëson realisht edhe ekonomikisht e financiarisht ndoshta, edhe pse do të ketë kosto, sepse dardha e ka bishtin prapa, por i intereson edhe Kinës, e cila mendon ndoshta të përfitojë nga vështirësitë që kalon Rusia tani, që ka shumë nevojë për financime e investime. Kjo logjikë nuk mund të përjashtohet lehtë, se në politikë ka vetëm interesa e jo dashuri e bamirësi. Të dyja palët do t’i kenë bërë mirë llogaritë se çfarë humbin e çfarë fitojnë dhe, me sa duket, kanë menduar se fitojnë. Megjithatë, për të folur për një partneritet strategjik, apo nivel të ri të tij, nuk mund të ndalesh te fasada, pa zbuluar përmbajtjen e vërtetë të kësaj “aleance” apo lëvizjeje, për të kuptuar interesat që i bashkojnë, se sa dhe si mund të zgjasë ky lloj partneriteti, por sidomos se ku ndahen e përplasen objektivisht strategjitë e tyre të superfuqisë.
Tashmë, Kina dhe Rusia kanë nisur stërvitjen e parë të përbashkët ushtarake në Detin Mesdhe, që do të zgjasë 10 ditë, duke dëshmuar se kanë vërtet një lloj marrëdhënieje partneriteti, aq më tepër që këtë e zhvillojnë shumë larg ujërave të tyre territoriale. Në këtë stërvitje, që u çel në portin Novorosijsk në Detin e Zi, secili vend do të marrë pjesë me nga 10 anije ushtarake. Madje kjo hapje është shoqëruar edhe me njoftimin se trupat ruse janë ftuar të marrin pjesë në një paradë ushtarake, që Kina ka përgatitur të zhvillojë në muajin shtator, si një gjest i përkujtimit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Cilat mund të jenë arsyet që Rusia dhe Kina zhvillojnë në këtë moment një demonstrim ushtarak në Mesdhe? Kjo pyetje është e ligjshme, për faktin se nuk jemi përballë ndonjë vizite turistike, as ndonjë aktiviteti çlodhës për disa ushtarakë të tyre. Nuk është ndonjë lloj plotësimi kërkese nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, për zgjidhje të ndonjë konflikti eventual. Nuk është as ndonjë aktivitet ndihme për qeverinë italiane për të bllokuar fluksin e ndjeshëm të emigrantëve, që një pjesë jo e vogël kanë gjetur edhe vdekjen. Nuk është as ndonjë ekspeditë ekologjike apo ambientaliste, përkundrazi, është një aktivitet ndotës. Nuk është as ndonjë nevojë e shkaktuar nga aktiviteti tregtar i tyre apo lloji tjetër humanitar. Nuk ka ndonjë kërkesë zyrtare nga vende të caktuara që lagen nga Deti Mesdhe. Nuk ka ndonjë kërcënim konkret ndaj ndonjë pakice etnike, për liritë e të drejtat e tyre, se s’ka të tilla.
Ka vërtet qytetarë kineze në disa nga këto vende, por janë të integruar korrektësisht në shoqëritë përkatëse. Ata nuk kanë kufij tokësorë e detarë me rajonin e Mesdheut, apo kanë me bollëk hapësira ujore e detare në brigjet e tyre. Po pse atëherë kanë zgjedhur ujërat e këtij deti për të demonstruar forcën e tyre ushtarake? Normalisht, duhet t’i përgjigjen kësaj pyetjeje drejtuesit e këtyre vendeve, që e kanë llogaritur këtë det si hapësirë pa zot. E kanë zgjedhur për ta shpallur kështu zonë të interesit strategjik të tyre, në funksion të objektivave të superfuqisë. Madje Rusia, përveç bazës së saj ushtarake në Siri, ka nënshkruar së fundmi dhe një marrëveshje ushtarake me Qipron, vend anëtar i BE-së. Ndoshta kanë menduar një qëndrim e rol konkret të tyre në rajonin problematik të Lindjes së Mesme. Ndoshta kanë edhe plane e orekse roli edhe nga Deti Adriatik e Ballkani Perëndimor. Kjo stërvitje e tyre nuk mund të nënvleftësohet as nga vendet mesdhetare, por as dhe nga SHBA-të dhe BE-ja, sepse përmban në vetvete ambicie ekspansionizmi, zgjatimi influence e ndikimi të llojeve të ndryshme.
Mirë këto dy shtete, duke e ndjerë veten të fuqishme i japin të drejtë vetes të zhvillojnë aktivitet ushtarak pranë vendeve mesdhetare, por pse nuk ka asnjë reagim nga qeveritë e këtyre vendeve, të cilat nuk kanë bërë ndonjë stërvitje ushtarake në hapësirat ujore të Kinës dhe Rusisë? Pse nuk po reagojnë popujt e këtyre vendeve? Po pacifistët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut, ku janë? Po ekologjistët dhe ambientalistët? Po të ashtuquajturit “të indinjuarit”, pse nuk ndihen? Po mediat e lira, pse nuk po dëgjohen as si zile e jo pastaj si kambana? Pse nuk reagojnë vendet mesdhetare që janë anëtare të BE-së e të NATO-s dhe vetë BE-ja, që pranë shtëpisë së saj, vende të mëdha bëjnë demonstrim force ushtarake? Para disa ditësh, njerëz të ardhur nga shumë vende, gati sa nuk i vunë flakën Milanos, për shkak të një ekspozite panairi, që kishte mision ofrimin e mundësive për biznese të ndryshme. Pra, pse nuk ka reagim ndaj këtij shantazhi ushtarak, ndaj këtij demonstrimi të fuqisë ushtarake, shumë larg territorit të tyre? Kjo është vërtet tronditëse, sepse fenomeni më i përhapur tashmë është marrja, jo me parandalimin e ngjarjeve të rënda, por me pasojën. Pra, shumë pyetje mund të bëhen, por përgjigje nuk jepet nga askush, se qëllimet ushtarake e strategjike janë e mbahen sekret.
Kjo stërvitje ushtarake në Mesdhe, me sa duket, dëshmon se kanë menduar që disa objektiva të këtyre dy vendeve mund të afrohen në lançimin e një roli superfuqie në marrëdhëniet ndërkombëtare, sidomos në rivalitetin e pashmangshëm me SHBA, por dhe me vendet e BE-së. Për sa i përket Kinës, kjo lëvizje dëshmon për një ndryshim të ndjeshëm strategjik të saj, që ndoshta mund të lidhet edhe me një avancim konkret objektivi në rajonin e Azi Paqësorit e, pse jo, të jetë një presion ndaj SHBA-ve për problemin e Tajvanit. Interesat kryqëzohen, se Rusia ndjen nevojën e Kinës për mbështetje në arritjen e objektivave strategjikë të saj në Europë, ndërsa Kina, edhe pse nuk mund të lejojë një rol të Rusisë në Azi, është e interesuar për mbështetje prej saj.
Disa lëvizje të Kinës dhe Rusisë, që tentojnë një aleancë mes tyre, të shtyn të pyesësh se a mund të flitet për një partneritet strategjik mes tyre, madje në nivel të ri? Nëse mund të konturohet rreth disa interesave që i bashkojnë, atëherë, a mund të jetë efektiv e të funksionojë? Kush do të përfitojë më shumë e kush do të humbasë? Dhe, me shumë rëndësi, a do të ketë pasoja në zhvillimin e marrëdhënieve ndërkombëtare? Rusia ndjen më shumë nevojën e bashkëpunimit me Kinën në momentet aktuale të izolimit të madh dhe rënies ekonomike, por është në kushtet që nuk mund të diktojë e të imponohet. Ka dhe do të ketë një pozitë që nuk mund të pajtohet dot. Dhe kjo nuk mund të mos e vështirësojë “partneritetin”. Kina nuk mund të mos e llogarisë këtë pozicion të vështirë të Rusisë, por mendon dhe një marrëdhënie disi të vështirë të Perëndimit, brenda vetes, ku kriza e zgjatur ekonomike e eurozonës ka dhënë efekte jo të vogla, siç po shfaqen, në plotësimin e detyrimeve financiare për mbrojtjen kolektive, edhe në harmonizimin e qëndrimit në zgjidhjen e krizës ukrainase, të shkaktuar nga Rusia, por edhe në vështirësitë që ka BE në realizimin e një politike të jashtme të unisuar. Ndikimi i krizës ekonomike, por edhe moszgjidhja e disa problemeve të funksionimit të brendshëm, e kanë bërë Europën jo shumë aktive në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Kina po nxiton të futet me investime në Europë, ndërsa Rusia përpiqet t’u fryjë dallimeve e problemeve të BE. Po kështu, SHBA, si udhëheqësja e Perëndimit dhe superfuqia e vetme botërore, që po i përmbahet qëndrimit të shpallur, se e vetme nuk mund t’i përballojë mjaft probleme globale e kriza rajonale pa bashkëpunimin me aktorët kryesorë ndërkombëtarë, po kritikohet se nuk është shumë aktive. SHBA, duke i dhënë jetë bashkëpunimit, duket sikur ka lënë shumë hapësira veprimi, për grupe shtetesh e iniciativa që synojnë të zhvillojnë përgjegjësitë në përballimin e krizave rajonale, por që kanë dhe kosto të madhe financiare. Kina, këtë moment sjelljeje të SHBA, duke e vlerësuar me sa duket si një lloj “pasiviteti”, përpiqet ta shfrytëzojë, duke bërë presion për rol në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, më vete dhe duke u shfaqur në aleancë me Rusinë.
Kina, që e njeh mirë problematikën e brendshme të funksionimit të modelit ekonomik e politik të saj, e mendon, se nuk mund të jetë në të ardhmen e afërme, në kushte optimale ekonomike që ka sot. Që sivjet, organizmat ndërkombëtarë kanë parashikuar një rënie edhe pse të lehtë të saj, për këtë vit, pa përmendur problematikën që lidhet me cilësinë e demokracisë dhe funksionimin e shtetit juridik. Kinezët kanë metodat e tyre për t’i trajtuar, fshehur, zgjidhur e moszgjidhur problemet e brendshme dhe është vështirë t’i deshifrosh shqetësimet, por edhe ambiciet.
Pra, me lëvizjet aktuale të afrimit me Rusinë, nuk përjashtohet që Kina të mendojë një “menaxhim” të vështirësive të Rusisë në interes të objektivit strategjik të superfuqisë botërore. Pragmatizmi kinez mbështetet në një filozofi interesante, ku një koncept bazë është ai i shtruar në formën: “Si është më mirë, një të ndahet në dy apo dy të bashkohen në një”. Këtu nuk ka një aritmetikë të thjeshtë, as një koncept mekanik, por një koncept e filozofi kineze bashkëpunimi, për të përfituar më i forti, më i zhvilluari, ku Kina këtë e mendon për vete, aq më tepër që ka treguar rritje ekonomike të lartë e të qëndrueshme. Nëse kjo analizë i është afruar së vërtetës, atëherë nuk mund të mendohet ndonjë partneritet solid, afatgjatë, efektiv dhe i lehtë në funksionim. Përmbajtja e ambicies ruse për superfuqi botërore është konkrete e specifike, që përfshin brenda një histori, përvojë dhe objektiva, që e vështirësojnë partneritetin. Ajo që i ndan qartë dhe prerë dhe ajo që i afron është shumë e dallueshme. Vija bashkuese është pragmatizmi i secilës palë, ku secila kërkon të përfitojë më shumë nga tjetri nga ky afrim. Të dyja palët e dinë mirë çfarë kërkojnë, por Kina “mban shënim” dhe Rusia nuk harron, as të kaluarën e as të sotmen. Nuk besoj se Kina shqetësohet shumë për Rusinë që ta ndihmojë atë të kapërcejë vështirësitë, as se e ka seriozisht një aleancë afatgjatë strategjike me të, se punon intensivisht për arritjen ambicioze të superfuqisë botërore.
Si Kina, ashtu edhe Rusia, e kanë të qartë se, që të mundësojnë një rol superfuqie në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, duhet të kërkojnë e të ndryshojnë rendin botëror, që presupozon rivalitetin dhe ndarjen e fuqisë me SHBA. Kina dhe Rusia nuk e rivalizojnë dot veç e veç SHBA, prandaj kanë menduar të aleancojnë që të “shkurorëzojnë” SHBA si superfuqia e vetme botërore. Kjo i shtyn të bashkojnë muskujt. Veç e veç, asnjëra prej tyre nuk e realizon dot këtë synim-kusht, prandaj kanë menduar të “të bashkohen”, të koordinojnë disa punë mes tyre, pa harruar ambiciet individuale dhe bërrylat e kundërvënies mes tyre. Aktualiteti, përfshi dhe bashkëpunimin e fundit ushtarak, dëshmon për një avancim konkret të përpjekjes për ndryshimin e rendit botëror, të statuskuosë, ku SHBA është superfuqia e vetme.
Me sa duket, Kina dhe Rusia tash mendojnë të shfaqen në bllok e aleancë. Problemi është nëse mundet vërtet të konturohet një aleancë e plotë dhe, më e rëndësishmja, që të funksionojë gjatë? Ka shumë pikëpyetje në këtë iniciativë e pak arsye për ta besuar. Rusia, edhe pse shfaqet në një marrëdhënie partneriteti me Kinën, vazhdon të punojë direkt me SHBA. Putini tashmë e ka bërë publik filozofinë e Rusisë për marrëdhënien me SHBA, që ka në themel edhe rivalitetin, edhe bashkëpunimin, ndërsa Kina nuk flet në këtë drejtim, por vepron. Takimi i fundit i nivelit të lartë në Soçi, është fakti më i fundit i specifikës ruse në lëvizjen e saj për superfuqi botërore.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: