A mund të kombinohen dhe të merren dy doza të ndyshme vaksinash COVID-19? Ka të ngjarë që një gjë e tillë të jetë e sigurt dhe efektive, por studiuesit ende po grumbullojnë të dhëna për të qenë të sigurtë.

Vaksinat e autorizuara në të gjithë botën për COVID-19 janë krijuar për të stimuluar sistemin tonë imunitar dhe për të prodhuar antitrupa kundër virusit, megjithëse mënyra se si ato e realizojnë një gjë të tillë ndryshon, vë në dukje Dr. Kate O’Brien, drejtore e departamentit të vaksinave në Organizatën Botërore të Shëndetësisë. “Bazuar në parimet bazë sesi funksionojnë vaksinat, ne mendojmë se kombinimi i tyre duhet të funksionojë,” thotë zonja O’Brien.

Shkencëtarët në Universitetin e Oksfordit në Britani janë duke testuar kombinimin e vaksinave COVID-19 me dy doza të prodhuara nga AstraZeneca, Moderna, Novavax dhe Pfizer-BioNTech. Prova klinike më të vogla po kryen ndërkohë në Spanjë dhe Gjermani. “Ne thjesht duhet të marrim të dhëna për secilin prej këtyre kombinimeve të vaksinave”, tha zonja O’Brien.

Të dhënat e siguruara deri tani sugjerojnë se një dozë e vaksinës AstraZeneca pasuar nga një dozë tjetër nga Pfizer-i është e sigurt dhe efektive. Ky kombinimi megjithatë duket se vjen me shanse më të lartë për efekte anësore të përkohshme si dhimbje trupi dhe të ethe.

Arsyeja mund të jetë se përzierja dhe kombinimi i llojeve të ndryshme të vaksinave shpesh mund të prodhojë një përgjigje më të fortë imune, thotë Lawrence Young, një virolog në Universitetin Warwick në Britani. Në disa vende, zyrtarët shëndetësorë kanë sugjeruar tashmë kombinimin e vaksinave në rrethana të caktuara.

Pasi vaksina AstraZeneca u zbulua të kishte lidhje me një mpiksje të rrallë të gjakut, disa vende evropiane, përfshirë Gjermaninë dhe Francën, rekomanduan që njerëzit që morën këtë vaksinë si dozë të parë, të merrnin vaksinën e Pfizer-it ose Modernës si dozë të dytë. Të enjten, Kanada bëri të njëjtin rekomandim.

Disa vende si Britania sugjerojnë që njerëzit të synojnë të marrin të njëjtën vaksinë në të dyja dozat nëse është e mundur. Nëse ata marrin vaksinën e AstraZeneca-s si dozën e tyre të parë, njerëzit këshillohen të marrin një vaksinë tjetër në dozën e dytë vetëm nëse kanë një histori të mpiksjes së gjakut ose sëmundje të tjera që mund t’i venën ata në rrezik më të lartë për mpiksjen e gjakut./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb