Prej dy muajsh mbarë, bota rri e vështron dhe dëgjon me shqetësim lajmet mbi Koronavirusin, që shpërtheu në qytetin Vuhan të provincës Hubei në Kinë. Një virus ky i ndryshëm nga paraardhësit, më agresiv dhe mundësi të shumta përhapjeje. Presidenti kinez këtë e quajti emergjencën shëndetësore më të madhe që po kalon Kina, qysh nga viti 1949. Habi shkakton fakti se ende nuk është gjetur një vaksinë as nga superfuqitë si SHBA, apo vendet evropiane. Deri para tri ditësh në Europë, rastet në Gjermani, Francë, Itali numëroheshin lehtë sepse ishin pak.

Por lajmet nga Italia e përmbysën qetësinë relative të europianëve dhe të shqiptarëve. Deri në këtë moment, numri i të prekurve ka arritur në shifrën 152, i shoqëruar me masa drakoniane nga qeveria e Romës, e cila një zonë me shumë komuna dhe mbi 50 mijë banorë e ka vënë në karantinë, si dhe ka pezulluar çdo aktivitet publik në tri krahina: Lombardi, Veneto dhe Rexhio Emilia.

Në ato zona jetojnë me mijëra shqiptarë, por deri tani nuk ka asnjë lajm të ketë të prekur mes tyre, edhe për faktin se identitetet e pacientëve nuk bëhen publike për etikë humane. Italia është një vend shumë afër nesh dhe me lidhje të pafundme me ne, ajrore e detare. Me dhjetëra avionë nga qytete të ndryshme italiane mbërrijnë çdo ditë në Tiranë, si dhe tragete në Durrës e Vlorë. Pra, janë me mijëra ata që vijnë e shkojnë. Fatmirësisht, deri tani në vendin tonë nuk ka asnjë rast të deklaruar zyrtarisht me koronavirus. Shteti shqiptar është ai që është, tash 108 vjet që ka marrë pavarësinë. Si kudo tjetër, arritjet dhe dështimet vihen re më brutalisht në sistemin mjekësor, i cili në 30 vite liri nuk ka kurajë të modernizohet, të bëhet efikas, të dalë nga keqtrajtimi i politikes, se kjo e fundit nuk e lë. Shëndeti i sistemit tonë mjekësor na preokupon për shëndetin tonë. Për viruset që xhirojnë në botë nuk mund të fajësojmë Edi Ramën dhe Manastirliun, po t’u kërkojmë llogari për masat që kanë marrë këto dy muaj kemi të drejtë.

Pa rënë aspak në racizëm, opinioni duhet informuar nëse janë ekzaminuar kinezët që jetojnë në vendin tonë? A është ndërmarrë protokolli i duhur i karantinës për shqiptarët që gjatë kësaj periudhe kanë udhëtuar në linjën e largët? Nuk na rezulton deri tani të ketë një fushatë mediatike për masat parandaluese. Po kaq, nuk e dimë nëse në spitalet tona të kenë arritur ilaçet dhe pajisjet, me të cilat po bëhet mjekimi në vendet e tjera? A janë evidentuar zona dhe objekte specifike që mund të shërbejnë si spitale, pikërisht për këtë situatë?! Situata në Itali na vë përballë një sërë dilemash. Duke ditur mungesat tona, mbase e udhës do të ishte një “vetizolim” disaditor me Italinë, duke ndaluar përkohësisht linjat e fluturimit dhe ato të udhëtimit me traget.

Ne i kemi mbijetuar një izolimi 50- vjeçar me gjithë botën e me gjasë mund t’i mbijetojmë një izolimi të plotë ose të pjesshëm për 10 ditë me Italinë. Kjo është një ngjarje, e cila duhet menaxhuar pa rënë në panik, por pa propagandë njëkohësisht. Shembulli italian flet shumë. Vendi fqinj ka një nga sistemet shëndetësore më të mira në botë dhe kapacitete ekonomike e logjistike të pashterueshme dhe përsëri shoqëria atje ka ankth legjitim. Të gjithë po i përgjigjen apelit për masa higjienike e bindje civile ndaj urdhëresave. Ndërsa ne ende kemi probleme me higjienën. Në mes të bulevardit pështyjnë me tërsëllimë, ta lëshojnë te këmbët, kruajnë fytin, mbushin bulçinjët dhe lëshojnë një phuuuu të zgjatur dhe një eh delirjeje.

Teksa teshtima në fytyrë dhe butësia e fëlliqtë e stërkalave të përkëdhel fytyrën shpesh! Falë Zotit, Shqipëria ende nuk është prekur nga ky virus e duhet lutur Zoti që të mos ndodhë, megjithëse qëndrimet jo rrallë janë të kundërta. Dje drejtoresha e Spitalit “Sacco” në Milano, Maria Rita Gismondi, e cila po përballet në vetë të parë me këtë problem, e ka thënë “se nuk e kuptoj se si diçka pak më e rëndë se një influencë e zakonshme po konsiderohet si pandemi e rëndë”, duke relativizuar në maksimum atë që po ndodh, ndërsa masat e shtetit italian janë ekstreme për verifikim, diagnostikim e izolim. Shqiptarët nuk qetësohen me qyfyre e folklor, as me deklarata propagande e as duke bërë politikë mbi këtë fakt.

Ne rrimë me shpresë (por shpresa nuk është garanci) që të mos vihemi në provë, por nëse ajo troket, duhet të përballemi dhe kjo kërkon mjete në dispozicion, të shumta e të posaçme dhe ato duhet t’i sigurojë qeveria. Të kërkosh siguri, nuk do të thotë të përhapësh panik, i cili të kthehet kundra po aq sa neglizhenca. Zoti na pastë në hatër!/panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: