Parimi i kapjes së karbonit duket i thjeshtë. Filtrat në ventilatorët masivë në uzinën Orca në Hellisheidi, të Islandës, kapin karbon nga atmosfera dhe e ruajnë atë nën tokë në shkëmbinj vullkanikë bazalti, ku mund të mineralizohet.

Fabrika është ndërtuar nga kompania zvicerane Climeworks duke përdorur teknologjinë e një kompanie tjetër islandeze të quajtur Carbfix.

“Kemi një kuti me një material filtri që tërheq CO2. Kjo do të thotë se kur fryhet ajër përmes kolektorit, dioksidi i karbonit ngjitet në materialin e filtrit. Kur materiali i filtrit është i ngopur, ndalojmë, e mbyllim kutinë dhe fillojmë ta ngrohim me nxehtësi të ulët deri në afërsisht 38 gradë. Ndërsa e bëjmë këtë, CO2 çlirohet nga materiali i filtrit dhe mund të pompohet jashtë kolektorit”, thotë Nathalie Casas, drejtuese e punës kërkimore në kompaninë Climeworks.

Procesi fillon nga e para pasi është pastruar materiali i filtrit dhe është mbledhur dioksidi i karbonit. Ngrohja për të krijuar dioksid të shkallës së lartë, i cili futet në shkëmbinjtë e bazaltit, harxhon energji që sigurohet nga burime të rinovueshme.

“Jemi të përkushtuar të përdorim vetëm energji të rinovueshme, kështu që nuk duam të çlirojmë dioksid karboni gjatë kapjes së tij. Bëmë një analizë të plotë për të kuptuar se sa CO2 po lëshojmë gjatë kapjes së tij. Në impiantin që kemi në Islandë, efikasiteti është më i lartë se 90 përqind, që do të thotë se për çdo një ton që po kapim, emetojmë rreth 10 përqind. Pra çlirojmë rreth 100 kilogramë”, thotë zonja Casas.

Sipas kompanisë Climeworks, fabrika ka një gjurmë të vogël fizike dhe nuk konkurron me bujqësinë për tokën.

Kompania thotë se një fabrikë si kjo mund të ndërtohet në çdo vend me energji të rinovueshme dhe kushte magazinimi. Sipas teknologjisë së kompanisë Carbfix, dioksidi i karbonit hollohet në ujë, derdhet në tokë dhe mineralizohet shpejt. Në Islandë objektivi është nxjerrja e 4000 tonëve karbon nga ajri çdo vit.

Fabrika Orca është e vendosur përballë një termocentrali gjeotermik gjigant që ndodhet mbi Hengill, një vullkan nëntokësor aktiv që shpërtheu për herë të fundit dy mijë vjet më parë. Dhjetëra kanale gjigante bartin avull të nxehtë nga thellësitë e Hengillit në turbina, për të gjeneruar energji elektrike.

Ende nuk ka plane për ta kthyer karbonin në një nënprodukt, teknologjia është akoma shumë e shtrenjtë për këtë. Por, ekzistojnë forma të tjera.

“Kapja e karbonit, është një term i gjerë, përfshin një numër të madh teknologjish të ndryshme. Ka zhvillime të fundit në lidhje me thithjen e karbonit, dioksidin e karbonit nga atmosfera përmes një sërë teknologjish për kapjen direkte të ajrit. Ato kanë ngjashmëri me një teknologji shumë më të vjetër për kapjen dhe ruajtjen e karbonit, e cila nuk thith dioksidin e karbonit nga atmosfera, por në të vërtetë kap dioksidin e karbonit nga djegia e karburanteve fosile dhe fabrikat industriale të prodhimit dhe qymyrit, si dhe termocentralet me gaz. Ajo teknologji e kapjes dhe ruajtjes së karbonit ka qenë pak zhgënjyese për sa i përket shkallës në të cilën ishte në gjendje të testohej, demonstrohej dhe zgjerohej”, thotë Dr. Ajay Gambhir, nga Instituti Grantham në Kolegjin Imperial në Londër.

Sidoqoftë, Dr. Gambhiri beson se fabrikat si Orca kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur kur bëhet fjalë për të trajtuar ndryshimet klimatike.

“Duhet të kemi një fokus shumë më të madh tek kapja e karbonit drejtpërdrejt nga ajri në mënyrë që ta zhvillojmë në mënyrë aktive këtë teknologji të kapjes së drejtpërdrejtë të ajrit. Ka avantazhin se paralelisht me dekarbonizimin e sistemit energjetik të botës, mund të na ndihmojë gjithashtu të bëjmë diçka shumë të rëndësishme më vonë gjatë këtij shekulli – tërheqjen e dioksidit të tepërt të karbonit nga atmosfera”, thotë Dr. Gambhir.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: