Bëhen 3 vjet nga vrasja e ish-efektivit të Policisë Arben Bilali në zonën e Selitës në Tiranë. Emisioni “Në shënjestër” i gazetares Klodiana Lala në News24 ka sjellë dëshmi dhe detaje nga krimi dhe hetimet për zbardhjen e vrasjes. Ndërkohë në studio pedagogu i kriminalistikës Ervin Karamuço tha se detyra e Policisë së Shtetit është parandalimi dhe se kjo vrasje mund të ishte parandaluar, pasi Bilali ishte i ngujuar dhe në shënjestër, kur dy vëllezër i ishin vrarë më parë.

“Sidomos kur në ngjarje të tilla ne i referojmë të lidhura me ngjarje të tjera të mëparshme, që këto janë pjesë e një sistemi, sigurisht që mund të parandalohen sepse detyra e policisë së shtetit është të parandalojë krimin. Përgjegjësia vjen si rezultat i një fakti, që ky person është i ngujuar, i rrezikohet në mënyrë permante jeta. Ky ka një histori, një rival, persona që e ndjekin dhe duan ta vrasin pra është në shënjestër. Policia e Shtetit e konsideron si pjesë e një dosje të caktuar dhe thotë në fund që është për larje hesapesh. Kallashnikovi është një armë lufte. Sot ne kemi strategji 2021-2024 për luftën kundër armëve, flasim deri tek armët 3D, por ne kemi akoma kallashnikovë në mes të kryeqytetit, një armë luftarake vdekjeprurëse. Parandalimi është një kambanë alarmi që duhet të ndërtohet si një fizionomi e qëndrueshme e Policisë së Shtetit”, tha Karamuço.

Avokati penalist, Bledar Meminaj sugjeron ngritjen e një drejtorie të posaçme të survejancës së vrasjeve. “Problemi i policisë së Shtetit është sepse ka mangësi në strukturën e vet. I mungon një drejtori përkatëse që të quhet drejtoria e survejancës së vrasjeve. Një drejtori të posaçme. Në mangësi të kësaj ne kemi dhe produkte të kësaj natyre. Ky ishte një rast shumë i kollajshëm për t’u parandaluar. Pritej, viktima ruhej dhe nuk ishte e vështirë për policinë të parandalonte këtë rast. Policia mund ta merrte në mbrojtje familjen dhe viktimën ose ndoshta mund t’i garantonte dhe një banim diku tjetër. Të trajtohej në një mënyrë ndryshe”, tha Meminaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb