Nga Ben Andoni
Ngarendja për të sjellë sa më shumë protagonizëm ka bërë që shumë njerëz të letrave të shpluhurosin arkivat dhe të sjellin kompilime pa fund për kryeheroin. Ka përpjekje lokale deri në grotesk si aktiviteti i dasmës së Skënderbeut, që u zhvillua në Kaninë, por shumë edhe shtetërore për të sjellë gjëra të reja. Në fakt, jo vetëm nuk ka asgjë të re, por kjo masë kompilimesh e ka kalcifikuar dhe më shumë heroin, që duket akoma me referimet e dekadave të shkuara. Në fakt, në vitet pas ’90, po të mos ishte monografia e Kristo Frashërit, një material i Kasem Biçokut dhe pas tij monografia “kontroverse” e Oliver Schmitt dhe një kontribut më vonë i Aurel Plasarit, përpjekjet e reja për Skënderbeun mund të quheshin të ezauruara.

Gjithsesi ka propozime dhe një e tillë është e nëj studiuesi të njohur në terren. Një e tillë, që u artikulua në një intervistë, ishte që të mos merremi vetëm me arkivat dhe kompilimet e botimeve të pafund, por me terrenin. Shembulli i ardhur së fundmi nga arkeologu veteran Skënder Muçaj tregonte realisht se çfarë të reje mund të sillnim në këtë kohë. Në apelimin e tij të fundit ishte se kakofonia e autoriteteve e kishte ndaluar mundësinë e gërmimeve dhe mëtimin e tij për zbulimet e shtresave të civilizimit shqiptar të asaj kohe në Gur të Bardhë, një nga qendrat e familjes së Skënderbeut. Ashtu, Sipas tij, që ne dimë fare pak, sa i përket kulturës materiale për historitë e princave shqiptare të Arbrit.
Është e vërtetë se që pas 500-vjetorit të kremtimit të ditë-vdekjes së tij është bërë fare pak për të hedhur dritë për heroin. Për më tepër, shteti shqiptar, sipas arkeologut të vjetër s’ka mundësuar gërmime cilësore dhe në masë arkeologjike.

Rrëmuja e autoriteteve të monumenteve të kulturës dhe braktisja e bazës ka bërë që të dimë gjithnjë e më pak për nëntokën tonë. Sensi i fundit i arkeologut veteran ishte për të gërmuar në hapësirën e asaj që njihet si vend-ndodhia e shtetit të Arbrit për të zbardhur realisht përbërjen e kulturës materiale të shekujve mesjetarë. Deri më sot, janë bërë kërkime sipërfaqësore, ndërsa nuk dihet asgjë për shekujt e tjera para ngritjes së Kastriotëve në shekullin XV, pasi nuk ka gërmime të shekujve pararendës , respektivisht, XII, XIII, XIV. Në rastin e Muçës, edhe pse gërmimet janë gati të mbështetura nga pushteti lokal, tashmë nuk i jep leje Instituti Arkeologjik!
Për të kuptuar shqetësimin, mjafton ideja e autorit, sipas të cilës, nëse në një rezidencat e Skënderbeut si është Petraalba (Guri i Bardhë) po të gjenden objekte, ekziston mundësia e të hidhet dritë për stadin e qëndrimeve dhe të evoluimit të vetë familjes së Kastriotëve. Dhe, ne flasim në mënyrë empirike, por asesi nga trashëgimia e madhe që paraqet nëntoka jonë dhe që vërteton dokumentacionin.
Në atë që shpjegon kërkuesi, një projekt i Agjencisë Kombëtare të Zhvillimit, agjencia 2 në Tiranë e nisi punën e mbarë, por gërmimi ngeli për mungesën e lejes. Me pak fjalë kjo pamundësi e gërmimeve sjell dhe përshfaq një problem shumë të madh: lidhjen e pakët të studimit me atë që vilet në bazë.
Pothuaj, një gjysmë shekulli më parë, në kuadër të 500-vjetorit, u bë një masë aktivitetesh kombëtare për të hedhur dritë për të rejat lidhur me heroin kombëtar.

Entuziastët identifikuan dhe kishën e Shën Kollit, ku mendohej se ishte varri i Skënderbeut në Lezhë, ardhur nga dëshmia e Barletit. Me këtë, zbuluesve iu dha një mundësi lavdërimi para Enver Hoxhës që e mirëpriti dhe autoriteteve të kohës, por ndërkohë pa e justifikuar me baza shkencore. Fakti dhe logjika e konsideron si të pamundur që kryeheroi të vendosej në një vend që përmbytej asokohe rregullisht nga Drini. Po kush do kishte fuqinë t’i thoshte Enver Hoxhës, që ky ishte ndoshta vetëm një hipotezë? Historiani Frashëri që e tregonte këtë analizë nuk mundi t’i shkojë deri në fund. Ndërkohë që studimet e mëvonshme jo thjesht janë inekzistente por më shumë bëhen që të mbartin bujën dhe protagonizmin. Praktikisht kontributi ynë për përkujtimin e kryeheroit është baraz me nul. Dhe, kur mendon se për heroin këto vite kanë qenë më të mirat prej angazhimit për të hedhur dritë atëherë bindesh se me këtë lloj kremtimi ai do të kalcifikohet në histori më shumë si një figurë e parë politikisht dhe aspak me përmasën e tij të vërtetë.

Ndaj kur mendon se nuk ka asnjë gjetje reale në trashëgiminë materiale apo përpjekje për të bërë një gjë të tillë në hapësirën ku ka jetuar heroi, atëherë ky vit mund të quhet realisht një vit i zakonshëm, që ne i vumë si kapuç mbi kokë emërtimin si Viti i Skënderbeut.
Mungesa e gjetjeve ka nxjerrë dhe handikapin e madh të disfatës së Reformës në Arsim dhe kërkimit shkencor. Me ndryshimet janë zbehur shumë mundësia e ekspeditave dhe moria e lejeve, kurse nga ana tjetër përplasjet e institucioneve bëjnë që shumë gjëra të mbesin, ashtu si ndodh me mundësitë e gërmimeve, që mund t’i bënte vetë Instituti Arkeologjik për të dhënë një mundësi më shumë. Skënder Muçaj megjithë kurajën e zakonshme tani duket se është edhe më i lirë të flasë sepse është në pension, por sa ka studiues që ende nuk arrijnë të flasin dot.
Ndaj, fatkeqësisht, ky vit i Skënderbeut mund të quhet pa frikë një vit i zakonshëm dhe i tepërt sepse nuk solli as edhe një gjë të veçantë për heroin. Mbase mund të shërbejë dhe si një mësim i mirë për zyrtarët shtetërorë që krijojnë vite-kremtimesh që u kushtohen personaliteteve, të kenë angazhime reale dhe jo kinse. /Gazeta Shqiptare/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb