Gazeta Panorama.al ka publikuar ekskluzivisht në numrat e kaluara ditarin e rrallë të ish-shefit të Sigurimit të Byrosë Politike, Gani Kodra, i cili ishte njeriu më i afërt i Mehmet Shehut dhe që përfundoi në bankën e të akuzuarve si pjesë e një organizate kundërrevolucionare që synonte të eliminonte Enver Hoxhën.

Në ditarin e tij, Gani Kodra ka shënuar të gjitha momentet më rrëqethëse, torutrat me të cilat u përballën ish-mninistri i Brendshëm, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti etj.
Gazeta Panorama.al publikon në numrin e sotëm përballjen e parë të ish-ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu me hetuesit në procesin gjyqësor më misterioz të mbajtur në Burgun 313-të.
Kadri Hazbiu ka rrëfyer momentet e vështira dhe torturat që pësonte çdo natë nga hetuesit dhe që udhëzoheshin nga ministri i Brendshëm i kohës, Hekuran Isai, shkruan Panorama.al

“Juve i kini përdorur torturat gjatë gjithë kohës, na kini torturuar në mënyrë çnjerëzore; në këto tortura vinte çdo natë Ministri i Brendshëm Hekuran Isai dhe merrej vetë personalisht me këto tortura. Unë ju pyes juve se a mund të rrihem unë në këtë moshë? A mund të rrihen për moshën e tyre Feçori, Llambi, Ganiu, Xheviti etj..”, theksonte Hazbiu.

Sipas dëshmisë ekskluzive të Gani Kodrës, Mehmet Shehu me zor qëndronte në këmbë para trupës së gjyqtarëve që udhëhiqej nga Aranit Çela.
Kadri Hazbiu kishte disa brinjë të thyera rrëfen Gani Kodra, por prapë ai nuk e jepte vetën thekson në ditarin e tij ish-Shefi i Sigurimit të Byrosë Politike.

ÇFARË KISHTE TË VERTETË PROCESI I MIHALLAQIT

I gjithë ai proces ishte nga fillimi deri në fund i mbushur me gënjeshtra dhe trillime, që jo një fjali, por asnjë presje nuk kishte asgjë të vërtetë. Nga mënyra se si ishin përpiluar dhe radhitur gjërat, nuk të linin dyshim se në to kishte dorë vetëm një njeri, i cili nuk mund të ishte tjetër kush përveçse Enver Hoxhës. Vetëm ai ishte i lindur dhe i talentuar për të keqen dhe trillimin. Mund të mos jetë i besueshëm për shumë njerëz fakti se ai mendonte ditë e natë që të radhiste gjërat në mënyrë të atillë që populli t’i besonte katërcipërisht dhe të thoshte: Gjithçka po del siç e ka parashikuar shoku
Enver Hoxha me zgjuarsinë e tij të jashtëzakonshme.

Gjithçka sa them ka brenda të vërtetën e padiskutueshme. Në këtë proces ishte gërmuar çdo ndodhi e vjetër e ndodhur, madje që në vitet e largëta. Ato detaje të ndodhura në kohë të largëta, pavarësisht se dihej që i kishin bërë të tjerët, ishin radhitur në proces sikur të gjitha ato i paskësh bërë “organizata kunderrevolucionare” e kryesuar nga Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu etj., dhe e drejtuar nga zbulimet e huaja për të sabotuar luftën Nacional Çlirimtare, ndërtimin e pushtetit popullor, eliminimin e udhëheqjes së lartë të partisë dhe vendosjen e kapitalizmit në Shqipëri.

KADRIUT NUK IU DHANË DOSJET ME URDHRAT QË I ISHIN DHËNË NGA UDHËHEQJA

Duhet thënë se Kadriu që në fillim të hetuesisë kishte kërkuar me insistim të gjitha materialet që përmbanin udhëzime të lëshuara për probleme agjenturore, të cilat ishin urdhra të dhëna nga udhëheqja e lartë e partisë dhe mjaft dokumente të tjerë që ndodheshin në arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Këto i donte me qëllim që të hidhte poshtë me fakte të gjitha akuzat që bëheshin në drejtim të tij.

Një ndër ato akuza ishte sikur ai kishte dhënë urdhra e udhëzime, ku, sipas tyre, ishin në kundërshtim me vijën e partisë dhe të Byrosë Politike. Por çuditërisht dhe në mënyrë shumë abuzive, megjithëse Kadriu vazhdonte të akuzohej për urdhra që binin ndesh me vijën politike të partisë asnjëherë nuk ia dhanë dosjen që kërkonte për të argumentuar mbrojtjen. Me gjithë insistimin e tij jo vetëm në hetuesi, por edhe para trupit gjykues për t’i pasur ato dokumente ata asnjëherë nuk ia dhanë duke nxjerrë pretekste të ndryshme.

PREZANTIMI I KADRIUT

Përpara se të përshkruaj hedhjen poshtë nga Kadriu të deponimeve të bëra nga Mihallaq Ziçishti, dua të flas me hollë si për karakteristikat dhe qëndrimin e tij të zgjuar, burrëror dhe shumë dinjitoz në paraqitjen e rrëzimit të çdo akuze që i bëhej. Ai ishte njeri shumë i zgjuar. Kishte një memorie të çuditshme, aq sa ishte në gjendje të mbante mend qoftë një udhëzim, qarkore apo çdo gjë tjetër që mund të kishte dalë gjatë të gjitha viteve, sado larg që të kishte ndodhur. Mbante mend çdo udhëzim, madje që të vitit 1947. Ishin këto cilësi që detyruan trupin gjykues gjatë atij procesi për ta nxjerrë atë jashtë sallës për dy herë me radhë dhe gjyqi të vazhdonte pa prezencën e tij.
Gani Kodra, ish shefi i Sigurimit te Byrosë Politike

HAZBIU FLISTE PASI ISHTE TORTURUAR

Kadri Hazbiu ishte torturuar në mënyrën më ç’njerëzore nga hetuesia me në krye Hekuran Isain. E them ketë se ai ishte njeriu më i dërrmuar nga të gjithë neve dhe kjo shihej kur iu përgjigj pyetjeve në bankën e të akuzuarve. Ai me zor qëndronte. Mbështetej sa në një krah në tjetrin. Ai ishte me disa brinjë të thyera nga torturat e megjithatë nuk e dha veten për asnjë çast… Nuk u ankua asnjëherë dhe nuk kërkoi asgjë. Me gjithë gjendjen e tij të rëndë që ne e shikonim ai asnjëherë nuk e humbi kthjelltësinë, por i përgjigjej me gjakftohtë si çdo pyetjeje, duke hedhur poshtë me neveri dhe burrëri çdo shpifje dhe trillim.

Të them të drejtën, ky qëndrim i tij ndikoi shumë edhe në ndërgjegjen time saqë thosha me vete, “është krim që ta akuzosh këtë njeri për gjëra të paqena”. Këtë e mendoja kur isha vetëm në birucë dhe në çast më vriste ndërgjegjja ta akuzoja atë njeri të ndershëm duke e quajtur armik. Prandaj Kadri Hazbiu, duke qenë i ndershëm dhe trim, nuk i pranoi kurrë ato akuza të sajuara me mjeshtëri, që Enver Hoxha i kishte radhitur në procesin e Mihallaq Ziçishtit. Ai jo vetëm nuk pranoi asgjë nga ato, por me argumente bindëse i hodhi poshtë.

KADRI HAZBIU DËNON TORTURËN QË ËSHTË BËRË NDAJ TIJ

Unë ju them këtu para trupit gjykues se kam qenë vite me radhë Ministër i Brendshëm dhe përsëri ju them që le të dalë qoftë edhe një njeri në tërë Shqipërinë që jo vetëm ta kem goditur, por edhe ta kem shtyrë. Këtë nuk e kam bërë kurrën e kurrës. Kurse juve i kini përdorur torturat gjatë gjithë kohës, na kini torturuar në mënyrë çnjerëzore; në këto tortura vinte çdo natë Ministri i Brendshëm Hekuran Isai dhe merrej vetë personalisht me këto tortura.

Unë ju pyes juve se a mund të rrihem unë në këtë moshë? A mund të rrihen për moshën e tyre Feçori, Llambi, Ganiu, Xheviti etj. Kjo për mua ka dy gjëra, e para se juve nuk keni fakte se unë jam armik, se nuk kam qenë asnjëherë armik i partisë, juve përdorni drurin për të nxjerrë ndonjë gjë qoftë edhe të pasaktë, mjafton që të mbushni procesverbalin; e dyta ju jeni të paaftë në detyrat që kryeni, duke menduar se vetëm me dru zgjidhen detyrat. Kështu që konkluzioni im për të gjitha akuzat që janë përpiluar në procesin e Mihallaqit janë të sajuara nga druri dhe torturat çnjerëzore, të cilat janë pa vlerë, përralla dhe i hedh posh të si të qëllimshme.

VIJON NESER…

  • foto galeri

PANORAMA.AL(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: