Pedagogia e Universitetit Luarasi, Nadia Elbasani, në podcastin Eduvision në News24, duke folur për  GovTech tha se ky sistem revolucionalizon sistemin e administratës publike.

Ajo tha se përdorimi i teknologjisë në mirëqeverisje, e bën më pak burokratike, një zgjidhje e së ardhmes.

Elbasani u shpreh se gjithashtu përdorimi i GovTech do të minimizojë edhe korrupsionin.

Pedagogia tha se përdorimi i Inteligjencës Artificiale mund të shërbejë jo vetëm për rritjen e transparencës, por veçanërisht edhe në sektorin apo fushën shëndetësore.

“Përmes Inteligjencës Artificiale mund të zgjidhen një seri problematikash në sistemin shëndetësor. Përshembull mund të zgjidhë mungesën e medikamenteve, pra nuk ka pse të gjehet një zgjidhje e momentet e fundit, por përmes programeve të bëhet njoftimi që në ‘X’ qendër shëndetësore mungon ky apo ai medikament”, tha Elbasani.

Por sipas saj, përdorimi i Inteligjencës Artificiale apo përdorimi i teknologjisë mund të aplikohet edhe në çështjen e pronave. “Mendoni vetëm kaq që dokumenti i pronësisë nuk mund të humbasë duke kaluar nga një zyrë në tjetrën, por do të jetë atje në një regjistër elektronik ku i interesuari mund ta aksesojë”, tha ajo.

Elbasani tha se fillimisht duhet krijuar një bazë e teknologjisë sa më e plotë. “Zhvillimi teknologjik duhet të eci përkrah aftësisë së administratës, në mënyrë që të krijohet një GocTech sa më i plotë”, tha ajo.

Përdorimi i teknologjisë në mirëqeverisje, tha Elbasani, duhet bërë me një plan strategjik.

Por a ka legjislacioni shqiptar për përdorimin e Teknologjisë së Informacionit?

Elbasani tha se në Shqipëri nuk ka një legjislacion përsa i takon Inteligjencës Artificiale. “Duhet patjetër të krijohet baza ligjore, janë disa hapa që Qeveria duhet të ndërmarrë për të plotësuar boshllëkun që ka. Por mos harroni edhe burimet njerëzore, pasi ka një rezistencë për tu përshtatur me teknologjitë e reja”, tha Elbasani. Sipas saj, administrata shtetërore duhet të përshtatet me teknologjitë e reja.

“Aftësia digjitale është e ulët në administratën publike, ndaj duhet një tërheqje të talenteve të reja”, tha ajo.

Elbasani tha se nëse teknologjia zëvendëson një pjesë të stafit të administratës publike, duhet të shoqërohet me një aftësim të kësaj pjese të administratës për një tjetër pozicion.

Shëndetësia dhe çështjet e pronësisë konsiderohen nga pedagogia e Universitetit Luarasi si dy fushat ku Inteligjenca Artificiale duhet të përdoret, pasi kjo i shërben qytetarëve.

Por a mund të jetë Shqipëria një rast suksesi?

Elbasani tha se kemi një shans të madh pasi jemi vend i vogël dhe të rinjtë po drejtohen drejt Teknologjisë së Informacionit.

“Nëse ka një plan të mirëfilltë, të paktën 5-vjeçar, natyrisht që mund të kemi sukses në këtë drejtim”, u shprej ajo.

Gjithashtu ajo tha se duhet të kemi një standardizim në përputhje me ato ndërkombëtare përsa i takon sulmeve kibernetike. Ajo vuri theksin te mbrojtja e të dhënave personale, ndërsa shtoi se mund të ndiqet rruga e Estonisë.

 

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb