Kryeministri Edi Rama sulmoi kundërshtarin e tij politik, Lulzim Basha, teksa tha se ai është thjesht korrieri, që pas 25 prillit do të bëhet një figurë e shkuar, e harruar.

Gjatë fjalës së tij në fushatën përmbyllëse të PS në Tiranë, Rama iu bëri thirrje shqiptarëve të mos pranojnë kurrë të udhëhiqen nga dikush që pranon se është i kënaqur.

Mes të tjerash, ai u ndal dhe te vaksinimi, duke e cilësuar këtë një arsye të votuar PS, pasi sipas tij, edhe pse Shqipëria nuk është mes vendeve të fuqishme e të pasura, ja doli të ishte mes të parave për vaksinimin.

“Lulzim Basha është korrieri, që pas 25 prillit do të bëhet figurë e shkuar, e harruar. Kam një pyetje për të gjithë ata që janë prindër: Cili prej jush është i kënaqur? Cili prej jush nuk zgjohet në mëngjes me pikëpyetjet ‘çfarë do bëj sot për familjen tim, çfarë do ndodhë sot me fëmijët e mi?’ Askush, të jesh prind do të thotë të jesh i pakënaqur. Prindërit e kënaqur nuk mund ta mbajnë familjen e bashkuar. Nëse unë nuk do të isha i pakënaqur, nuk do të isha këtu sot, nëse do të isha i kënaqur e do të ndjehesha se e përmbusha detyrën time ndaj vetes, ndaj njerëzve, pse duhet të isha unë këtu sot. Kurrë mos pranoni të udhëhiqeni nga dikush që pranon se është i kënaqur. Ata, kur duhet t’iu kërkojnë votën, ju thonë ‘erdha t’iu shoh’, por pasi mbaron fushata, ua lënë takimin te tramvaji i Tiranës. Sot është dita për të kuptuar se ne jemi në një udhëkryq shumë të rëndësishëm, dhe se kush voton më 25 prill, nuk voton për pragun e shpisë, për hallin që ka, por voton për një gjë shumë më të madhe, voton për t’i dhënë një shtysë tjetër, një shtysë të jashtëzakonshme, këtij vendi, në mënyrë që edhe ato hallet e tij të mund të zgjidhen, sepse ne nuk po vijmë nga pushimet këtu, ata po vijnë nga pushimet.

Shqiptarët u bënë bashkë, solidariteti i shqiptarëve me ata që humbën shtëpitë ishte i pari, pastaj erdhën miqtë tanë. Shqiptarët bëhen bashkë, kur shikojnë të ardhmen para syve. Ne nuk jemi një brumë frikacakësh, një brumë hileqarësh, ne jemi brumi i atyre që na kanë lënë amanet dhe brumi i atyre, të cilëve do iu lëmë Shqipërinë. Si mundet ne të jemi të mpirë, të pafuqishëm, kur ne shohim tani majën dhe është në dorën e zemrën tonë për t’u ngjitur. Më pas, tamam kur Shqipëria e shqiptarët buzëqeshën, sepse u mblodhën bota mbarë edhe dhanë të gjithë një dorë, që të fillonim rindërtimin, erdhi goditja tjetër, e dyta, erdhi për gjithë botën, po për ne ishte e tepërt. U mbyll bota brenda, e ne nuk jemi Amerika, Franca, Gjermania, e ne nuk hyjmë te të fuqishmit e të pasurit, por pikërisht se jemi nga ai brumë, ne jemi lart sot, hyjmë në atë kategori vendesh që janë në Champions League me vaksinimin. A nuk është kjo një arsye dreqi e mori që t’i themi vetes jo vetëm kur halli i madh na e kërkon, por kur fëmijët na e kërkojnë, ne duhet të vazhdojmë të ngjitemi, sepse dalja nga tuneli i kësaj pandemie ka sjellë sërish diellin. Ne sot kemi përpara nesh projektet e shumëdëshiruara në vite, por tanimë të përgatitura, të financuara, për të futur në ekonominë tonë 10 miliardë euro, për të hapur katër porta nga qielli, katër porta nga deti, dhe për t’i dhënë këtij vendi të bekuar gjithë atë energji të madhe që vjen nga dielli e qielli”, u shpreh Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb