76 mijë punonjës do përfitojnë pagën e luftës nga paketa e dytë ekonomike e akorduar nga qeveria në kuadër të ndihmës financiare për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19. Në një lidhje skype për ‘News24’ drejtoresha e Tatimeve Delina Ibrahimaj pohoi se ditën e martë do të lançohet kjo paketë, fondi i të cilës është 7.04 miliardë lekë.

“Fondit i është shtuar në 7.04 mld lekë. Nga ky fond përfundojë një numër më i gjerë punonjësish, krahasuar me fondin e parë, i cili është në përfundim të tij sa i përket pagave që janë dhënë gjatë këtij muaji, pra pagat e muajit mars. U vendos që ky fond të shtohet, duke parë ecurinë e procesit. 65 mijë e ca nipte, nga të cilat janë miratuar 29.621 nipte, mbi 56 mijë të punësuar, pjesa tjetër janë refuzuar. Duke nisur nga nesër do të rishikojmë kërkesat e refuzuara. Këtu futen subjektet e transportit apo ato subjekte që realisht nuk janë mbyllur me urdhër të ministrisë së Shëndetësisë. Ato biznese do të analizohen. Ky proces pritet të finalizohet brenda javës tjetër. 76 mijë punonjës do përfitojnë nga paketa e dytë, sipas llogaritjeve që kemi bërë. Aplikimi do të jetë më automatik. Ne kemi evidentuar punonjësit që përfitojnë nga paketa e dytë. Tatimpaguesve do u dërgohet një e-mail dhe adresës së tyre në portalin, ku do të komunikohen se janë përfitues dhe më pas do të aplikojnë. Formulari do të jetë i parambushur. Ne kemi nevojë që të marrin informacione mbi llogaritë bankare të përfituesve. Procesi do të jetë automatik dhe do të gjenerohet brenda sistemit. Subjektet që do kenë pretendime se janë përfitues dhe se anë marrë e-mailin, do të ketë një procedurë që do ndiqet dhe për ta.”, tha Ibrahimaj.

Teksa u ndal tek fakti nëse përfitojnë pagë lufte të dy punësuarit, Ibrahimaj e tha të qartë se kjo kategori është e përjashtuar.

“Të dy punësuarit do të përfitojnë vetëm 1 pagë lufte. Një person që është duke marrë një pagesë, nuk përfiton pagë lufte. Pagë lufte marrin ata të punësuar që janë brenda paketave. Nëse një subjekte është i përfshirë në të dyja paketat, do përfitojë vetëm një pagë.”, pohoi ajo.

Mes të tjerash drejtoresha e Tatimeve tha se kategoria që përfshihen në paketën e dytë ekonomike është e gjerë, nga e cila përjashtohen profesionet e lira, si noterë, avokatë, apo dhe sektori i farmaceutikës dhe tregtia ushqimore.

“Kategoritë e bizneseve që përfitojnë nga paketa e dytë janë të shumta. Ne kemi përjashtuar nga kjo paketë aktivitetet që operojnë të plota, si tregu farmacitë, tregtia ushqimore, aktivitetet e OJF dhe profesionet e lira. Si kontabilistët, sipas VKM, noterë, avokat, etj.”, tha Ibrahmaj. Ndër të tjera drejtoresha e Tatimeve tha se biznesi që është pjesë e paketës së dytë ekonomike do të njoftohet me një email nëse është përzgjedhur.

“Biznesi do të marrë një njoftim dhe do të jetë një formular i parambushur dhe aty subjekti do të vendos numrat e llogarive, që aty të gjenerohen pagesat dhe ato të kalojnë në banka. Paketa e dytë do të lançohet ditën e martë dhe mënyra e aplikimit do të shpjegohet që sot në websitin e Drejtorisë së Tatimeve. Jemi duke përgatitur listat.”, theksoi ajo.

Po ashtu, pyetjes së gazetares Ola Bruko se sa është numri i personave të papunë që përfitojnë pagë lufte, Ibrahimaj tha se numri i tyre, për periudhën 10-mars-10 prill, ka shkuar në 2300, ndërsa shtoi se përfituesit e paketës nr.2 janë 40 mijë (të papunë).

“Numri i të papunëve që përfitojnë nga paketa nr, 2 (nr i të papunëve deri në datën 10-mars-10 prill), është rreth 2300. Ky është numër normal, në një kohë normale. Përfituesit e daljes nga puna të paketës nr.2 janë 40 mijë. Tregu i punës është dinamik, në të cilin kemi hyrje dhe dalje nga tregu i punës shumë të lartë.”, përfundoi Ibrahimaj.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb