I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në “News24” me gazetaren Nisida Tufa, Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri foli për Presidentin e ri të Republikës.

Gjatë bisedës në studio Gjiknuri theksoi se janë të hapur për t’u ulur me opozitën dhe për të diskutuar.

Gjithashtu i ndalur tek zhvillimi i procesit në prani të kamerave, Gjiknuri tha se kjo tregoi thjesht paaftësi, pasi sipas tij diplomacia nuk bëhet në këtë mënyrë.

“Kjo e kamerave është si njeriu që ka frikë të marrë vendime. Ka natyrë vendimesh që merren para kamerave, por kjo është thjesht paaftësi për të marrë vendime,. Nuk bëhet diplomacia kështu, nuk bëhet vendimmarrja me ultimatume”, tha ai, duke shtuar: “Disa zhvillime të orëve të fundit të opozitës më kanë shqetësuar. Prisnim një dialog, pra do të thotë që palët të ulen pa kushte dhe opozita të vinte me një listë dhe të uleshin në një tavolinë negociata, por kjo nuk ndodhi.”, tha Gjiknuri.

Pjesë nga intervista:

U la që opozita duhet të propozojë në dy raunde përse ndryshoi?

Gjiknuri: Ne i presim të vijnë në tavolinë negociatash. Palët ulen, vihen me emra, s’ka nevojë për kamera, ulen dhe diskutohet.

Nëse edhe ky raund digjet si do procedohet?

Gjiknuri: Do të presim deri sa të konsumohet edhe raundi i tretë.

Si e shihni profilin e presidenti, keni thënë një president jo si Ilir Meta?

Gjiknuri: Të mos jetë nga Grupi Parlamentar i PS, jo se nuk e meritojnë, por për të dhënë mesazhin se kërkojmë president mbi palët.

Përse të mos jetë që të vijë nga opozita por jo kundërshtar i Ramës?

Gjiknuri: Nëse ata propozojnë një kandidat që përmbush kushtet, unë jam i hapur. Ne i dimë personalitet kush janë, e mira është që palët të ulen dhe të flasin për emra konkretë dhe se do të ruajnë ekuilibrat.

A po bën PS një farsë për të marrë Presidentin?

Gjiknuri: Nuk e di pse paragjykohet, PS i ka votat. Theksoj se kemi ndryshime thelbësore, ku u ndryshua sistemi zgjedhor po ashtu u ndryshua edhe mbrojtja që kishte qeveria nga mocioni i besimit dhe mosbesimit në parlament.

Shumëkush mund të mendonte që PS i ka të gjitha pushtetet , përse i duhet presidenti?

Gjiknuri: Po qe synimi për të pasur një personazh aktiv në politikë, ne do ta kishin shumë të thjeshtë. Ne nuk kemi thënë hajde me firma, por hajde me emra. Nëse ne bien dakord për një emër natyrshëm që është edhe detyrimi për të mbledhur firmat. PS në momentin që bien dakord për emrin garanton votat e saj, por edhe ti duhet t’i garantosh se ndryshe ç’konsensus mund të jetë ky.

10 emrat e propozuar nga opozita?

Gjiknuri: Një pjesë të tyre i njoh, por nuk mund të jap opinione sepse jam pjesë e tavolinës së negociatave. Është shumë mirë që kanë  dalë këto emra dhe të ulemi ti marrim me radhë. Janë të gjithë njerëz të nderuar, dhe janë personazhe të lidhur me PD në të kaluar, me përjashtim të Princ Lekës.

A vijojnë konsultimet?

Gjiknuri: Ne i qëndrojmë ofertës tonë, i presim në çdo orë të ditës të vijmë të ulemi.

Nuk ka konsensus për emër konkret?

Gjiknuri: Jo nuk ka, s’ka negociata dhe më vjen keq.

Gjithashtu ekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri, i pyetur në News 24 për akuzat e bëra nga deputeti i opozitës Agron Shehaj në lidhje me çështjen e Butrintit,i cilësoi ato shpifje dhe deklaroi se tashmë ka depozituar në gjykatë dhe padinë.

“Unë kam shkuar në gjykatë për shpifje ndaj Shehajt se ai thotë se unë kam interesa aty dhe ai është çuni I xhaxhait etj. Së pari njëherë kjo është injoranca më e madhe, ajo objektivisht nuk qëndron, ai nuk është i asaj lidhje të afërt familjare që pretendohet aty. E dyta nuk e di se çdo njeri që merret me biznes dhe ka mbiemrin tim dhe s’ka përfituar asgjë nga shteti përbëka problem. Por kjo më jep një siguri që nuk ka për të thënë asgjë kundra ndaj meje që dhe gjurmojnë çdo njeri që ka mbiemrin tim. Po me Shehaj po merrem në Gjykatën e Tiranës. Kam dorëzuar padinë për shpifje Shehaj të shkojë të vërtetojë atje deklaratat që ka bërë dhe shkeljet apo përfitimet që mund të kem bërë unë nga ajo që më ka akuzuar. Unë e kam bërë dhe ndaj personave të tjerë dhe i kam fituar”., tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: