A kërcënon pandemia të dalë jashtë kontrollit te fqinji i Gjermanisë në fillim të shkollës? Vala e dytë e Corona-s në Francë po ringjall edhe rivalitetin e vjetër midis dy vendeve.

Kështu nuk e kishin përfytyruar ushtarët festën e tyre. Përkujtimi i betejës plot humbje të Bazeilles saktësisht 150 vjet më parë zhvillohet në kushte të vështira. Sekretarja e shtetit Geneviève Darrieussecq nga Ministria e Mbrojtjes si dhe oficerë dhe veteranë mbajnë maskë mbrojtëse dhe ruajnë distancën mes tyre.

Armiku i padukshëm, virusi, kërcënon edhe trupën elitare të marinës. Dhe ka ringjallur frikën franceze për humbjen e pushtetit. Për shkak se përparësia ushtarake gjermane e atëhershme është temë diskutimi sërish në Francë, përveç paradave dhe nderimeve në Bazeilles 2020.

Jo sepse ka ende pakënaqësi midis ushtarëve gjermanë dhe francezë, por sepse përsëri lind pyetja se sa e madhe është bërë distanca me fqinjin. “Franca nuk luan më në të njëjtën kategori me Gjermaninë,” tha filozofi dhe historiani i njohur Marcel Gauchet kohët e fundit.

Në Gjermani për mjekim

Shkencëtari e lidh këtë, ndër të tjera, me politikën ndaj Coronas”Sistemi ynë shëndetësor, të cilin e konsideronim si një nga më të mirët në botë, nuk ka kapacitete dhe menaxhohet keq”.

Ekzistojnë disa prova që e mbështesin këtë diagnozë. Për shkak se Franca ka shumë pak shtretër të kujdesit intensiv, 19 pacientë me Covid u desh të trajtoheshin në vendet fqinje evropiane – përfshirë Gjermaninë.

Me më shumë se 30.000 vdekje, Franca me një popullsi prej 66 milionë banorësh tani ka më shumë se tre herë më shumë njerëz që kanë vdekur nga ose me virusin sesa Gjermania, e cila ka një numër shumë më të madh popullsie.

Pas protestave të jelekverdhëve dhe lëvizjes greviste kundër reformave të Presidentit Macron, problemet e sistemit shëndetësor e kanë zgjeruar hendekun midis politikës dhe popullsisë. “Që nga fillimi, popullsia ishte kritike, e bezdisur dhe e zemëruar për menaxhimin e krizës”, analizon studiuesja e Francës Julie Hamann nga Shoqëria Gjermane për Politikën e Jashtme (DGAP) në Berlin.

Midis bllokimit dhe relaksimit

Në fillim, mungesa e maskave ishte një simbol i këtyre dështimeve, pastaj objekt i kritikave u bë menaxhimi i krizës nga presidenti. Emmanuel Macroni e lidhi me betim popullin me fjalë luftarake për një “luftë kundër virusit”. Por ndërsa Gjermania organizoi disa qindra mijëra teste në javë në fazën fillestare të pandemisë, në Francë në dy javët e para të marsit u bënë vetëm 12.000 teste.

Në të njëjtën kohë, presidenti u imponoi njerëzve të tij kufizime, shumë më të ashpra se ato në vendin fqinj. Francezëve u lejohej të lëviznin vetëm një kilometër në afërsi të banesës së tyre – po të tregonin një “formular daljeje” të nënshkruar. Pasi u qetësua vala e parë, lehtësimet qenë më të gjera sesa përtej Rinit.

Prej disa kohësh, numri i infektimeve në Francë është rritur përsëri. Në fund të javës së kaluar, autoritetet madje njoftuan një rritje eksponenciale. Qeveria gjermane tani ka lëshuar një paralajmërim udhëtimi për rajonin e kryeqytetit të Parisit dhe bregdetin mesdhetar.

Fund i alarmit nga provincat

A po del pandemia përsëri jashtë kontrollit në Francë? Sabrine Pinto është një mjeke e familjes në një qytet të vogël 40 kilometra në jugperëndim të Parisit. Prej disa ditësh tani, në klinikën e saj shkojnë gjithnjë e më shumë pacientë me Corona. Mesatarisht, rreth një e treta e testeve në klinikë janë pozitive.

Për momentin, megjithatë, mjekja nuk sheh rrezikun e një mbingarkese të re të sistemit shëndetësor. Ajo flet pothuajse vetëm për pacientë pa simptoma, të cilët dalin pozitivë në teste. Shpesh të rinj të moshës 20 deri në 30 vjeç. Pa temperaturë të lartë, pa rrufë, pa kollë – shumë ndryshe nga marsi ose prilli.

Që këto teste janë shpesh pozitive kjo lidhet edhe me faktin se një numër i madh i kundërshtarëve të maskave dhe refuzuesve të distancës mund të gjenden në këtë grupmoshë. Sidoqoftë, në klinikën e saj dhe në dyqane, thotë Sabrine Pinto, pothuajse të gjithë iu binden rregullave.

Fakti që Franca regjistron disa mijëra infektime të reja çdo ditë nuk lidhet vetëm me rritjen e numrit të infektimeve gjatë pushimeve, por edhe me zgjerimin masiv të testimeve. Testet falas për Coronan aktualisht ofrohen edhe përpara vendeve të njohura të festimeve në kryeqytet.

Ndërkohë, politika po përpiqet të marrë masa. Që nga e premtja, është e detyrueshme të mbash maskë në Paris dhe në departamentet ngjitur, madje edhe jashtë. Qytetet e tjera të mëdha kanë futur rregullore të ngjashme.

Kur të marrin fund të martën pushimet për më shumë se dymbëdhjetë milionë nxënës, vetëm fëmijët nën moshën njëmbëdhjetë vjeç do të përjashtohen nga kërkesa për të mbajtur maskë gjatë gjithë ditës në shkoll. Ministria e Arsimit nuk e ka përjashtuar shprehimisht një ashpërsim të mëtejshëm të rregulloreve.

Por ndryshe nga pranvera, qeveria e Francës tejet të centralizuar dëshiron të delegojë në të ardhmen në nivele më të ulëta më shumë vendime për të luftuar Coronan, te prefektët dhe kryetarët e pothuajse 35.000 bashkive.

Sidoqoftë, “Gjermania si shembull” është një model me kufijtë e tij. Oficerët në Bazeilles kanë regjistruar me vëmendje që dhjetëra mijëra kritikë të Coronas që dolën në rrugë në Gjermani fundjavën e kaluar. Një skenar i tillë aktualisht është i papërfytyrueshëm në Paris.

“Përvoja e pranverës me njësitë e kujdesit intensiv të mbipopulluar u tregoi francezëve se sa i rrezikshëm mund të jetë Covid-19”, thotë studiuesja e Francës Julie Hamann. Një mësim që Gjermanisë deri tani nuk i është dashur ta mësojë./DW

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb