Ambasadori i Bullgarisë në Shqipëri, Momchil Raytchevski, foli sot nga Korça për rrugën e integrimit evropian të vendit tonë.

I pyetur lidhur me qëndrimin e Bullgarisë për integrimin e Shqipërisë, kryediplomati bullgar është shprehur se “Pozita e Bullgarisë sa i përket pozitës së Shqipërisë është shumë e qartë, për ne Shqipëria ka krijuar atë që është e nevojshme, ju jeni të gatshëm dhe ne e mbështesim që në momentin kur të ketë një vendim në familjen europiane që shteti të vazhdojë në rrugën e vet europiane dhe të zhvillohet konferenca e parë”.

Më tej, ambasadori i është përgjigjur edhe interesit të gazetarëve lidhur me faktin se “Prej vitit 2019 Bullgaria ka penguar proceset integruese te Maqedonisë së Veriut nëpërmjet vetos, veto e cila ka penalizuar dhe Shqipërinë, sa afër zgjidhjes se mosmarrëveshjeve janë Bullgari dhe Maqedoni e veriut aktualisht?”

“Si qeveria e vjetër, ashtu edhe qeveria e re në Bullgari, gjithmonë ka mbështetur pozitën që Bullgaria është një prej promotoreve dhe mbështetëset më të mëdhenj të zhvillimit të BE gjithashtu edhe për të ardhmen europiane të vendeve të rajonit, kjo që po ndodh është mes Sofies dhe Shkupit, po zhvillohen biseda shumë intensive në nivel të lartë.

Vetëm gjatë muajve të fundit ka parur disa vizita të ndërsjella, kemi mirëkuptimin edhe të partnerëve tanë në Maqedoninë e Veriut se bëhet fjale për një proces që ka për synim që të realizohen rezultate të qëndrueshme që të dyja palët së bashku me partnerët në BE po vazhdojmë të punojmë mbi temat delikate dhe aktuale dhe të gjithë po shpresojmë që në një moment do të arrimë atë që është me rëndësi ,atë që partnerët tanë e dinë shumë mirë që nuk ka ndërlidhje me fate konkrete është cështje e krijimit të mirëbesimit dhe të arritjes së mirëkuptimit mbi çështje të përbashkëta”, ka thënë ambasadori.

Ndërsa, i pyetur për konfliktin mes Ukrainës dhe Rusisë, ambasadori nuk ka pranuar të japë një koment, duke thënë shkurtër se “Unë jam ambasadori i Bullgarisë në Shqipëri dhe nuk mund të komentoj atë. Dialogu për shtetet është varianti më i mirë”.

Ambasadori i Bullgarisë në Shqipëri, Raytchevski, ishte këtë të martë ne mjediset e rektoratit të universitetit të Korçës në një takim me rektorin prof. Dhimitri Bello, me fokus zgjerimin e bashkëpunimit midis Universitetit “Fan S. Noli” me universitetet bullgare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb