TIRANË- Kreu i LSI-së Petrit Vasili ka dhënë një mesazh të fortë nga Busti i “Qemal Stafës” pranë Presidencës, ku ka marrë pjesë në homazhet për 5 Majin. Ashtu si edhe dje, kur mbajti të njëjtin qëndrim si paraardhësi i tij Ilir Meta, kreu i LSI-së përsëriti se është e nevojshme që të gjithë të sakrifikojnë për një Shqipëri të sigurt. Ndërsa LSI është shfaqur e gatshme të lërë postet e saj, Vasili në një mesazh për politikën shqiptare thotë se na duhet të lëshojmë nga vetja.

“Na duhet qartazi që të lëshojmë nga vetja pasi kjo do të ishte një sakrificë shumë e vogël për një Shqipëri më të sigurt, për një stabilitet më të garantuar të vendit dhe njëkohësisht për të bërë që vendi ynë të vazhdojë rrugën e integrimit evropian. Pra, sakrifica që na kërkohet të bëjmë sot është shumë më e vogël në raport me mësimin e madh që na vjen nga historia dhe nga dita e 5 Majit, ku të rinjtë dhanë gjakun e tyre, janë këtu për të na bërë apel për përgjegjshmëri më të lartë ndaj vendit dhe çfarë s’duhet të kursejmë ne absolutisht për të mirën dhe për qetësinë dhe sigurinë e vendit”, theksoi Vasili nga “Varrezat e Dëshmorëve”.

Ndërkohë edhe sot vijojnë negociatat për zgjidhjen e krizës dhe rolin më të madh duket se po e luajnë ndërkombëtarët. Deri tani janë zhvilluar dy takime tek Presidenti mes Ramës e Bashës ku palët nuk kanë arritur të bien në konsensus, pasi opozita nuk heq dorë nga kërkesa për qeveri teknike dhe dorëheqje të kryeministrit, njëkohësisht dhe shtyrje të zgjedhjeve. Nga ana tjetër, kryeministri iu ka lënë disa poste zëvendësministrash, një ministër politik për votimin elektronik si dhe poste të tjera për monitorimin e procesit zgjedhor.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: