Nga: MIMOZA KOÇIU*
Ambasada vlerëson si të turpshme që ka një anëtar të parlamentit shqiptar me dënime për trafi kimin e njerëzve.” Kjo deklaratë e Ambasadës Amerikane në Tiranë erdhi një ditë pas publikimit të Raportit të përvitshëm të Departamentit Amerikan të Shtetit për trafikimin e qenieve njerëzore në 188 vende të botës, i cili vlerësimin për vendin tonë e niste me “Shqipëria është vend origjine dhe destinacion për burra, gra e fëmijë që i nënshtrohen trafikimit për qëllime të shfrytëzimit seksual dhe punës së detyruar.”
Në fakt, kjo fjali mbetet e pandryshueshme prej vitit 2011 në raportet për Shqipërinë, por arsyetimi i këtij konkluzioni në raportin e vitit 2015, nuk kanë qenë kurrë kaq i drejtpërdrejtë. “Korrupsioni dhe qarkullimet e shpeshta brenda radhëve të policisë pengojnë veprimin e ligjit kundër trafikimit. Bashkëpunimi i zyrtarëve me krimet që lidhen me trafikun të mbetet një shqetësim domethënës.” vazhdon arsyetimi i Departamentit Amerikan të Shtetit. Dhe si për t’i vënë kapakun, vjen një shembull konkret se peshku qelbet nga koka në republikën parlamentare ballkanike. “Një anëtar i parlamentit ka qenë i dënuar më parë për krime të lidhura me trafikimin.”
Që në organin ligjvënës të Shqipërisë ka një deputet të tillë, ky nuk është lajm i papritur për publikun shqiptar. Por që ky konstatim, që pason denoncimet e përsëritura në mënyrë të palodhur nga ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu, të përfshihej e zezë mbi të bardhë në një raport, që të paktën për një vit do shërbejë si referencë për çdo profil tjetër që do i bëhet Shqipërisë nga institucionet ndërkombëtare, ky është një lajm i mirë për të gjithë ata shqiptarë, që ndihen të fyer nga një përfaqësim i tillë dhe një kokëçarje shumë serioze për Kryeministrin e Shqipërisë.
Së pari sepse është një dëshmi e sosjes së durimit të SHBA-ve me një kryeministër, që më së paku bën sikur nuk kupton se sa ndjeshmëri ka kjo çështje në arenën ndërkombëtare.
E së dyti, se dekriminalizimi tashmë nuk është më thjesht çështje e vullnetit të klasës politike shqiptare, apo e shpresës për një shoqëri llogarikërkuese siç ndodh në çdo demokraci.
Konkluzionet e raportit të DASH e lanë pa fjalë kryeministrin, e u duk sikur kjo goditje e fortë për qeverisjen e tij do kalonte me valën e pushimeve të verës. E kështu mund të ndodhte, nëse SHBA-të nuk do ta risillnin në vëmendje që të nesërmen, me një frazë të rëndë edhe diplomatikisht: “Ambasada vlerëson si të turpshme që ka një anëtar të parlamentit shqiptar me dënime për trafikimin e njerëzve.”
Të gjithë e kemi të qartë se deputeti të cilit i referohet Departamenti i Shtetit dhe Ambasada Amerikane në Tiranë është socialisti Arben Ndoka. Pikërisht një vit më parë, në korrik të 2014-ës, Partia Demokratike publikoi dokumente të dënimit të tij nga gjykata e Romës, për shfrytëzim prostitucioni, vendim i njohur nga gjykatat shqiptare, si dhe një dokument të vuajtjes së dënimit në Shqipëri. Vetë deputeti socialist i Lezhës në atë kohë, reagoi publikisht dhe tha se bëhej fjalë për një lapsus të drejtësisë italiane, e se opozita po përpiqej të nxinte imazhin e tij.
Siç bën rëndom në raste të ngjashme të sikletshme, kryeministri i kaloi në heshtje akuzat e rënda për deputetin e tij, por i gjendur përballë gazetarëve, u detyrua të japë një sqarim, duke rikonfirmuar variantin e dhënë nga deputeti Ndoka. Më shumë se mbrojtje për deputetin e Lezhës, reagimi i kryeministrit ngjau me një sfidë ndaj asaj çka shqiptarët panë të shkruar e zezë mbi të bardhë në dokumente zyrtare.
Marrëveshja për dekriminalizimin, e iniciuar nga opozita me mbështetjen e ndërkombëtarëve në dhjetor 2014, u duk se do ndryshonte diçka, por ritmi i ngadaltë i atij që duhej të ishte një proces emergjent për spastrimin e politikës, bëri që ambasada amerikane në Tiranë të merrte vetë iniciativën.
Larg syve të publikut ambasada u përcolli Ramës, Metës e Bashës shqetësimet për politikanë konkretë me të kaluar jo të denjë për funksionet që mbajnë. Reflektimi i parë ishte ndryshimi i përbërjes së grupit parlamentar të miqësisë SHBA-Shqipëri. Pak ditë më vonë, në mesin e muajit mars, ambasadori Lu përfitoi nga ceremonia e 24-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes SHBA-ve dhe Shqipërisë, që të përsëriste apelin për pastrimin e politikës nga persona me të kaluar kriminale, apo me rekorde e afera korruptive. Lajmi mbajti më pak se tri ditë në media dhe po zbehej gradualisht, por ambasadori amerikan nuk u dorëzua. Në fund të prillit, në prag të fushatës për zgjedhjet vendore, ambasadori Lu tha hapur se në listat e kandidatëve për kryetar bashkie ka persona me një të kaluar të dyshuar kriminale, për të cilët ambasada po diskuton me udhëheqësit politikë në vend, dhe nxiti median e shoqërinë civile të kërkojnë nga politikanët përmbushjen e standardeve.
Rrjeti investigativ “BIRN Albania” publikoi materiale me të dhëna policore të marra në Itali e Zvicër se tre kandidatë për kryetar bashkie, Elvis Roshi e Artur Bushi nga mazhoranca dhe Gentian Muhameti, që u tërhoq nga opozita, kishin të kaluar kriminale. Paralajmërimit që iu bë “BIRN”-it nga një prej protagonistëve të hulumtimit, se do hidhej në gjyq nëse nuk kërkonte ndjesë për akuzat e publikuara, iu përgjigjën ambasadori amerikan Lu dhe ajo e BE-së Vlahutin, që përmes “BIRN Albania”, u vunë në krah të medias dhe u bashkuan në mesazhin e fortë për hartuesit e listave të kandidatëve se “Të vendosësh nëpër lista njerëz për të cilët ka të dhëna se janë të përfshirë në aktivitet kriminal, veçanërisht trafik droge, trafik qeniesh njerëzore dhe prostitucion, është fyese dhe poshtëruese për qytetarët, votat e të cilëve kërkojnë këto parti politike.” Kryeministri nuk reflektoi dhe dy kandidatët në fjalë u votuan në zgjedhjet e 21 qershorit.
Si do vazhdojë vallë kjo matje forcash për dekriminalizimin? Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit është një kujtesë e fortë se statuskuoja e kësaj situate është krejt anormale për një vend demokratik. Përforcimi nga Ambasada në Tiranë dhe cilësimi “e turpshme” që në parlament ka një deputet të dënuar për trafik, duhet të na skuqë si shoqëri, bashkë me klasën politike që na udhëheq.
Befasuese është heshtja e kryeministrit, edhe pse kjo është deklarata-akuzë zyrtare më e rëndë për të në këto dy vite qeverisje. Reagimi përmes zv.ministres së Punëve të Brendshme, me propagandën patetike se Departamenti Amerikan i Shtetit paska vlerësuar arritjet në letër të Shqipërisë, nuk ngjan aspak me konkludimin se heshtja është pranim, por me një kokëfortësi publike për të mos reflektuar, kokëfortësi që të paktën prej një viti, ka tejkaluar çdo masë e tashmë tingëllon me një sfidë ndaj shqetësimit të përsëritur, jo vetëm të SHBA-ve.
Krahasimi klishe me qeverisjen e Berishës, siç ndodhi edhe në reagimin e Ministrisë së Brendshme për raportin e DASH, është një gjethe fiku e tharë tashmë, që nuk i qëndron si mburojë kryeministrit tonë shtatlartë. Trafikantë me imunitet, politikanë e drejtues të inkriminuar e të korruptuar është një nonsens për çdo demokraci, e jo më për një vend të NATO-s e kandidat i BE-së. “Mëkatet” e Berishës, nuk e mbulojnë dot precedentin e rëndë që ka krijuar kryeministri duke sjellë në parlament në veçanti, e vendimmarrje në përgjithësi, individë me të kaluar të errët, imazhi i të cilëve nxin përditë fasadën moderne, që shefi i qeverisë ndërton me aq mund e këmbëngulje.
Kokëfortësia për të mos pranuar gabimet, nëse janë të tilla, po shndërrohet në një sfidë që rrezikshëm po kalit durimin e miqve tejet të çmuar për një vend të vogël. Sa më shpejt që ta lexojë këtë kryeministri, aq më mirë do jetë jo vetëm për të, por për të ardhmen e këtij vendi.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: