Nga: Dritan HILA
Dëbimi i 60 diplomatëve amerikanë nga Rusia është hapi përshkallëzues i konfliktit të perëndimit me Rusinë. Është një rast pa precedent ky në të shkuarën, i cili megjithatë nuk ka ngjallur shqetësim të madh në perëndim, le të themi aq sa me Korenë e Veriut.

Perëndimi gjithmonë ka pasur një marrëdhënie të çuditshme me Rusinë. Megjithëse janë të së njëjtës racë dhe i përkasin krishtërimit, kanë qenë gjithmonë në një distancë të kontrolluar me njëri-tjetrin. Dashuri? Kurrë.

Hapësira ruse ka qenë fushëbetejë e suedezëve, polakëve, francezëve dhe gjermanëve. Për të vazhduar me mongolët dhe turkmenët. Historia e Rusisë është një histori mbrojtjeje dhe ekspansioni. Por sa herë fuqitë evropiane kanë qenë në konflikte të bllokuara, ka qenë ndërhyrja ruse, ajo që ka zhvendosur balancën e fitores.

Shteti më i madh i botës ka në themelet e tij kulturën perëndimore. Oborri i carëve të Rusisë ka qenë strehë e iluministëve dhe intelektualëve francezë. Arkitektura është mbizotëruese italiane. Ushtria moderne që në fillimet e saj ishte me ndikime të forta gjermanike dhe një pjesë e madhe e gjeneralëve vinin prej andej, ashtu si edhe shtëpia perandorake. Shën Petërburgu është imitim i Venecias. Pa piktorët rusë, botës do t’i mungonte shumë; Çehovi dhe Gogoli janë themeluesit e letërsisë moderne evropiane. Ndërsa shkenca ruse i dha botës ¼ e shpikjeve, shkruan Enzo Biaxhi tek “Lubjanka”. Perandoria e cila ka me dhjetëra popuj në gjirin e saj, ka edhe një kulturë të elaboruar integrimi, ekspansioni dhe vetëpërmbajtjeje.

Atëherë pse është gjetur armiku tek Rusia? Cili është shkaku që perëndimi lufton të ngjashmin e saj? Përgjigjet mund të jenë me qindra dhe secila thotë një pjesë të së vërtetës. Por ndoshta në themel është shkaku se në qindra vjet fqinjësi, luftëra dhe armiqësi, e dinë që asnjëra prej palëve nuk do ta kalojë vijën e kuqe. Fundja perëndimi e di se me shkatërrimin e Rusisë nuk zgjidh asnjë problem, përveçse krijon një pluhurnajë mikroshtetesh, tribush dhe hapësirash pa zot, të cilat do të duhet t’i administrojë. Dhe nuk do të zgjidhë asgjë, sepse pas Rusisë vjen Kina dhe pas Kinës, India. Ndërsa Rusia e di se nuk është aq e zonja sa të pushtojë perëndimin. Ndoshta është një lojë për të krijuar dypolaritetin e një bote që nuk po mundet të gjejë ekuilibrin e saj pas luftës së ftohtë. E kundërta do jetë çmenduri./Dritare.net

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: