Në një shkrim të mëparshëm kam shkruar se futja e fenomenit Soros në shoqërinë shqiptare, ka qenë e keqja më e madhe e kësaj shoqërie në 30 vitet e fundit. Dëmin më të madh e kanë pësuar shtresat e djathta dhe në veçanti Partia Demokratike, e cila nga parti e shtresave të djathta dhe të persekutuara nga rregjimi komunist, në vitet e fundit pati si në program po ashtu edhe në zbatim, një zhvendosje graduale drejt qendrës me shumë elemente të së majtës globaliste. Si rezultat i kësaj, për një kohë të gjatë ndodhi një opozicion absurd dhe i pakuptimtë ku një pjesë e madhe e elektoratit të djathtë ndihej i papërfaqësuar.

Procesi i foltoreve erdhi si nje reaksion dhe kundrapeshë kundrejt ketij tjetërsimi të Partisë Demokratike. Dr. Sali Berisha e ndjeu i pari peshën e përgjegjësisë ndaj partisë së tij që e krijoi dhe e rriti, por që po i rreshqistë nën këmbët e tij. Ai, tashmë i plakur, por me energji dhe ide të reja u ngrit si “feniks” dhe nga hiçi filloi dhe fitoi një betejë kundër Sorosizmit apo globalizmit. Këte rikthim dhe këtë fitore, për mendimin tim, dr. Berisha e realizoi pikësëpari nga adoptimi dhe futja si bazë te Partisë Demokratike, siç e ka theksuar ai vetë, të vlerave konservatore. E para që u shfaq në krah të Berishës për të folur dhe shtjelluar vlerat konservatore, ishte shqiptaro-amerikanja Evi Kokalari, në këtë rast edhe si një përfaqësuese e shtabit elektoral të Presidentit Trump. Sali Berisha, me ndihmën direkte të znj. Kokalari po kryente pak-a-shume një binjakëzim të PD-së me një parti amerikane, të asaj Amerike që i pati dhënë atij non-gratën, por në këtë rast me gjysmën tjetër më të mirë, me Partinë Republikane. Znj. Kokalari u bë pjesë e aksionit politik të Foltoreve, tashmë jo vetëm si një këshilltare amerikane, por si një frymë e re në Partinë Demokratike. Fyma konservatore që Evi përcolli në daljet e saj publike dhe në mediat vizive, patën një efekt pozitiv, ngjallën entuziazëm dhe shpresë, që u panë në ovacionet e fuqishme, në komentet, reagimet dhe “bumi” mediatik i intervistave dhe emisioneve me praninë e saj. Me pak fjalë, suksesi aksionit të Foltores dhe prej aty rithemelimi i Partise Demokratike pati si gur themeli ringjadhjen e vlerave konservatore të shoqërise shqiptare të reflektuara në këtë parti.

Foto 2

Nga ky kontekst, duke vërenjtur një lloj debati brenda Partisë së rithemeluar Demokratike, lëkundja e disa figurave kryesore të PD-së vjen nga fakti se ata nuk e ndiejnë veten konservatorë dhe kërkojnë që të devijojnë nga motivi mbi të cilin kjo parti u rithemelua.

E bëra këtë shpjegim, edhe për ti dhënë kuptim një farë lukunie mediatike që është aktivizuar së fundmi kundër aktivistes së rithemelimit të PD-së znj. Evi Kokalari. Për mendimin tim, qëllimi nuk është për të sulmuar atë si person, mbasi modestia e Evit për të mos qenë pjesë e srukturave të reja të PD-së, dhe pavarësia e jetës dhe biznesit të saj nga politika shqiptare, i ka çmontuar të gjithë nga ndonjë akuzë ndaj saj. Në vazhdim të këtij perceptimi personal, i cili vjen nga njohja e gjerë e rrjedhës së politikës shqiptare, por edhe asaj amerikane, është tepër herët që të spekuloj se këto sulme janë të orkestruara nga elementë sorosistë brenda PD-së por një gjë është e qartë, se ato kanë për synim për të ç’aktivizuar burimin e frymës konservatore brenda Partisë Demokratike dhe lidhjet parimore dhe njerëzore te PD-së me Partinë Republikane Amerikane, burim dhe lidhje të cilat në muajt e fundit dhe sot-për-sot janë proklamuar dhe garantuar nga znj. Kokalari.

Më ra në sy një publikim i fundit i një mesazhi privat ku paraqitej znj. Kokalari në përpjekje për të mbledhur fonde për një takim të shqiptarëve në Michigan me ambassadorin Richard Grenell, në kuadër të fushatës së Presidentit Trump. Për shqiptarët në Shqipëri, ku kultura e fushatave elektorale është e dobët dhe mbledhja e fondeve në përgjithësi bëhet në kamuflazh dhe ilegalisht, ky mesazh u paraqit si jë rast korruptiv alla-shqiptar. Në fakt, për mua si amerikan shqiptar, pëmbajtja e tekstit më duket si metoda më normale e komunikimit, aq më teper për Evi Kokalarin, në atë kohë anëtare e Komitetit Financiar të fushatës së presidentit Trump. Në fakt znj. Kokalari pati shumë merita gjatë kësaj fushatë, si në favor të Presidentit Trump, po ashtu edhe si lobuese me senatorë dhe kongresistë. “Qershia mbi tortë” e këtij lobimi ishte takimi, me të cilin ka lidhje ky mesazh, në Restorantin shqiptar BESA ne Detroit, me Ambasadorin Grenell. Ky takim i gjerë dhe entuziast me një funksionar të rëndësishëm në atë kohë të Partisë Republikane, një ndër njerëzit më të besuar të Presidentit Trump, me perspektivë siç flitej të jetë sekretari i ardhshëm i shtetit amerikan, pati jehonë në komunitet si dhe u përcoll direkt dhe gjerësisht edhe nga mediat në Shqipëri. Në këtë takim morën pjesë përfaqësuesve të të gjitha shoqatave atdhetare dhe kulteve fetare te dy Kishave Katolike, Qendres Islamike shqiptare dhe Teqes Bektashiane në Michigan. Në këtë takim pati ngrohtësi dhe familjaritet të plotë. Tema kryesore ishte çështja e Kosovës, ku la shenjë edhe fjala e Imam Gërgurit mbi situatën në Kosovë dhe dorëzimi i një libri nga imami për ambasadorin Grenell, me përmbajtje të krimeve dhe genocidit  të pushtuesve serbë ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Ndërsa vetë Grenell i tha të pranishmëve se ishte mik i shqiptarëve. Ky takim është mbajtur në Tetor 2020. Në shtator 2021, që duket në tekst, nuk ka pasur ndonjë event apo perpjekje për ndonjë event, mbasi fushata për presidentin Trump u mbyll ditën e zgjedhjeve në Nëntor 2020.  Të kthehem tek fondet. Në këtë takim si edhe në takime të tjera, pati disa nga ata që dhuruan mijëra dollarë, dikush për të ndihmuar çështjen shqiptare dikush për të ndihmuar Presidentin Trump dhe dikush për të krijuar njefarë lidhje me një VIP, që mendon se e ndihmon ne biznesin e tij. Por sqaroj lexuesit, meqenëse edhe unë kam qenë një nga donatorët e fushatës Trump nëpërmjet znj. Kokalari, se fondet që bëhet fjalë depozitohen në llogari online të paracaktuara nga drejtorët e fushatës së presidentit, me transparencë të plotë, e shoqëruar edhe me një letër falenderimi nga Presidenti apo zyrtarë të tjerë dhe në asnjë rast nuk i jepen dorazi znj. Kokalari apo ndokujt. Dua të shtoj se suksesi i lidhjeve te Evi Kokalarit me familjen Trump dhe drejtues të lartë të Partisë Republikane e ka bazën në suksesin e punës së saj në organizimin e Fundraiser-ve dhe aktiviteteve të tjera të fushatës. Unë si aktivist i angazhuar në këtë fushatë të Presidentit Trump me levizjen “ALBANIANS FOR TRUMP”, shtoj se Evi ka edhe meritën e saj kryesore edhe në legalizimin nga ana e Presidentit Trump të kësaj lëvizjeje mbarëkombëtare amerikane ku u angazhuan mijëra shqiptarë.

Foto 3

Në dijeninë time, znj. Kokalari ka pasur edhe nje perpjekje tjetër ne Dhjetor 2019 për një takim të komunitetit shqiptar në New York me Donald Trump Jr., por që nuk u realizua mbasi shumica e personave që ajo kontaktoi, refuzuan që të marrin pjesë duke e etiketuar Trump-in si kontraversal.

Për ne shqiptarët e Amerikës, që i përkasim të djathtës konservatore apo partisë republikane, znj Kokalari ka qenë pika kryesore e kontaktit, si nyjë lidhesë dhe informimi me strukturat, aktivitetin dhe axhendën e presidentit Trump. Në atë kohë, por edhe sot, kur niveli i lobimit dhe lidhjeve të faktorit shqiptar në Kongres dhe Senat kanë rënë si kurrë më parë, atë që shoqata e as grupime shqiptare në Amerikë nuk kanë arritur që ta bëjnë, aktiviteti dhe lidhjet e Kokalarit me eksponentë të fuqishëm te Partisë Republikane kanë qenë të dallueshme dhe që në çdo rast përkthehen si përfaqësim shqiptar në këto nivele.

Si përfundim, shqiptarët në përgjithësi dhe mediat me politikanët që i orkestrojnë në veçanti, duhet që t’i japin fund artikujve linçues ndaj znj. Kokalari dhe duhet që të jenë falenderues, mirënjohës dhe inkurajues ndaj saj për punën dhe kontributin që i dha Foltores dhe Partisë Demokratike dhe për frymën konservatore amerikane që përfaqësoi, si shablloni më i mirë në përngjasim të vlerave tradicionale mijë-vjeçare shqiptare. Ne amerikanët shqiptarë nuk duam një parti amalgamë copash dhe gjithfarë ideshë apo interesash, por një Parti Demokratike në emër por të pastër konservatore në përmbajtje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb