Kryeministri Edi Rama mbajti sot një konferencë për mediat me gazetarët, ku foli gjerë e gjatë për situatën politike në vend, me një fokus të veçantë në protestat e opozitës së bashkuar.

Gazetari i “News 24” Erjon Skëndaj e pyeti Ramën për tri pika kryesore, ku ndër të tjera ishte edhe ajo se Rama dënon sot dhunën, ndërsa më 21 janar opozita e atëhershme gjithashtu ka përdorur dhunë.

Skëndaj: Kam qenë më 21 janar i pranishëm dhe jam përdorur. Kemi shkuar drejt Kryeministrisë. Për fat të mirë edhe atëherë, edhe tani nuk janë përdorur armët, larg qoftë. E para, a keni besim se policia nesër nuk do të shkojë deri aty sa të përdorë armët? E dyta, ka shumë biznese dhe ambiente të mbushura me njerëz pranë Kryeministrisë që iu rrezikohet përditë paqja dhe rrezikohen nga gazi lotsjellës. Ç’mund të na thoni për këtë? E treta, mund të na thoni çfarë lloj gazi është përdorur ndaj protestuesve?

Edi Rama: Unë sa mbaj mend më 21 janar nuk ka pasur ndonjë tymnajë apo kapsollë te dera e Kryeministrisë apo dritarja. Këtë gjë nuk di ta kemi bërë. Por edhe nëse ka ndodhur dhe unë nuk e mbaj mend, atëherë ndjesë po qe se ka ndodhur. Di që është djegur një makinë larg Kryeministrisë, por këtu nuk di të ketë pipëtirë gjë. Mbaj mend se në atë kohë, policia kishte një organizim dizastër. Por ne kurrë nuk kemi qenë në nivelin e dhunës së këtyre, të cilët e kanë dhunën barbare.

Për nesër, unë nuk e di se çfarë do të bëjë policia se nuk jam Drejtori i Policisë. Por kam besim te Policia e Shtetit se do ta bëjë punën e saj në mënyrë të shkëlqyer. Së treti, nuk e di çfarë gazi është, por ta siguroj që nuk është i dëmshëm për jetën e njerëzve.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: