TIRANË

Kryedemokrati Lulzim Basha ka qenë sonte i ftuar në News24, përballë gazetarit Sokol Balla në ‘Real Story’, ku ka folur për zhvillimet e fundit pas Kuvendit Kombëtar të PD. Ai e nisi me një përgjigje për çlirimin nga e kaluara.

Basha tha se Shqipëria ndodhet sot në udhëkryq dhe PD është shpresa e vetme, por se çlirimi vjen me përgjegjësinë e madhe. Basha theksoi se mbi PD rëndon guri i provës, kthimi i besimit tek politika si mjet ndryshimi.

Si është sensi i parë i të qenurit të themi i lirë? Pasi këtë përshtypje na keni dhënë, që tashmë Lulzim Basha është i lirë të jetë kryetar i opozitës shqiptare, jeni i çliruar më saktë?
Lulzim Basha: Dy fjalët që u përdorën më shpesh jo vetëm nga bashkëpunëtorët, por më shumë nga pjesëmarrësit në Kuvend, ishin një sens çlirimi pikërisht dhe ajri, frymëmarrje. Dhe pa diskutim që këto ndikojnë edhe tek unë, ndonëse detyra e Kryetarit të partisë është që të mos merret peng nga ndjenjat e momentit, por të shikojë përtej tyre. Këtu në këtë studio, dy javë më parë më duket, kemi diskutuar për ndarjen për dikotominë dhe dualitetin dhe problematikën që kjo ka sjell në realitet dhe në perceptim. Dhe unë nuk dua të pretendoj sot se kam diçka të re për t’i shtuar saj që kam thënë para dy javësh për këtë apo se kam qenë i pasinqertë në aspektet që i takojnë përgjegjësisë time, sikundër edhe në shpërfaqjen e një pjese të vërtetës, siç është shpërfaqur në veçanti prej 9 shtatorit e tani. Ajo që është e rëndësishme është që Shqipëria ndodhet në udhëkryq. Partia Demokratike me gjithë procesin e vështirë që po kalon është shpresa e vetme për daljen nga ky udhëkryq, sepse përballë kemi një qeveri, jo një parti të lodhur, të drobitur, të konsumuar, të ngrënë si rezultat i aleancave politike të krerëve të saj, me faktorët ekstrapolitikë të oligarkisë ekonomike, duke prodhuar korrupsionin, duke e shkatërruar mirëqenien e shqiptarëve, por dhe me krimin e organizuar siç kemi parë në dy rastet në zgjedhjet parlamentare dhe jo vetëm. Dhe në këtë kuptim në të njëjtën kohë që për shumë kënd, sikundër edhe për ju, një kritik i kahershëm i Partisë Demokratike, kaq i kahershëm sa ndoshta njerëzit e kanë harruar që keni qenë zëdhënës i një prej kryetarëve të Partisë Demokratike në vitit ’90, ndoshta ju kujtojnë dhe ju etiketojnë, si një mbështetës i flaktë dhe i përjetshëm i të majtës shqiptare

Kjo nuk ka interesuar shumë me thënë të drejtën…
Jo, po e bëj këtë hyrje për të thënë këtë gjë, që e ndiej kudo, e ndiej te demokratët, e ndiej te militantët, tek themeluesit, tek dhjetoristët tek ata që janë ndjerë të flakur prej vitesh, tek ata që janë ndjerë të anashkaluar, tek ata që janë ndjerë të zhgënjyer, edhe tek ata që janë të zhgënjyer me mua, me vendimet e mia. Por bashkë me këtë sens lirie të cilit i gëzohet shumëkush, edhe qytetarët që nuk kanë të bëjnë me Partinë Demokratike.

Dhe kjo është më e rëndësishme për ju në fakt…
Padiskutim! Në veçanti ajo pjesë e shoqërisë që nuk e shet dhe nuk e blen votën, shtresa e mesme, intelektualët, elita e vendit. Ka nevojë për besim tek politika, bashkë me këtë nuk mund të them që momenti i për ta shijuar një sens të tillë çlirimi të Partisë Demokratike nga pesha e rëndë e të shkuarës. Nuk zgjati shumë sepse vjen në mënyrë të menjëhershme, siç në fakt i një dozë të madhe realizmi e keni bërë dhe me sinkronin tuaj hapës, bashkë me përgjegjësitë e jashtëzakonshme, në veçanti në kushtet ku ndodhet Shqipëria për ta kthyer këtë identitet të rigjetur të Partisë Demokratike që lindi si parti e shpresës, lindi si partia e lirisë. Për të gjithë ata që mbajnë mend kur lindi kjo parti dhe për të gjithë ata që nuk e mbajnë mend, se s’kishin lindur dhe sot janë 31-vjeçarë, do t’ia kujtojmë që lindi në ditët më të errëta të Shqipërisë dhe lindi si partia e shpresës. Partia e lirisë, mbi ne tani rëndon guri i provës për të rikthyer besimin tek politika si një instrument ndryshimi dhe jo si një instrument përkeqësimi, korrupsioni allishverishesh që në fund të fundit rëndojnë mbi kurrizin e shqiptarëve. Guri i provës tani është tek ne, tek Partia Demokratike e Shqipërisë, askush nuk pret më dhe me të drejtë asgjë nga Edi Rama dhe nga konspiracioni i tij aktual në Partinë Socialiste. As vet socialistët nuk presin më asgjë prej tij. Dhe kjo është një barrë jashtëzakonisht e madhe.

Liria vjen me përgjegjësi të mëdha.
Vjen me përgjegjësi të mëdhaja dhe ky është edhe lajtmotivi i bisedave që kemi zhvilluar në këto 48 orë që nga mbajtja e Kuvendit Kombëtar

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: