Debati për zhvendosjen e “Sunny Hill Festival” në Tiranë është tema më e zjarrtë e momentit në Kosovë dhe Shqipëri, duke shkaktuar reagime dhe hipoteza të shumta.

Një nga hipotezat e krijuara ka qenë edhe fakti nëse familja Lipa u joshën nga kryeministri Rama dhe Erion Veliaj dhe kjo gjë u piketua që të ndodhte kështu, një vit më parë kur ishin me pushime ne Shqipëri?

Gjë që është hedhur poshtë ditën e sotme nga një prej përfaqësuesve të Festivalit, Alban Kastrati. Në një intervistë për “Ftesë në 5”, Kastrati u pyet nëse familja Lipa u josh nga Rama dhe Veliaj, gjë që e mohoi, duke thënë se e gjitha erdhi natyrshëm.

Sipas tij, diskutimet kanë ndodhur ditëve të fundit dhe ky problem do zgjidhej edhe në Prishtinë po mos të ishte për vonesat proceduriale dhe faktin që jo çdo hapësirë është e pranueshme për Festivalin.

“Ka qenë një diskutim shumë i natyrshëm dhe një kërkesë që të shohim mundësitë që ka Tirana. Në fillim e kemi patur me shumë rëndësi hapësirën.

Nuk qëndron kjo hipotezë. Ka qenë diskutim i natyrshëm dhe pyetja jonë ka qenë e natyrshme “Pse jo Tirana?” Diskutimi ka ndodhur ditëve të fundit. Edhe në Komunën e Prishtinës do zgjidhej nëse çdo hapësirë do ishte e pranueshme për neve. Por, jo çdo hapësirë i plotëson kushtet e Festivalit tonë. Ne kemi bërë vizitën javën e kaluar dhe këto janë teknikalitete për të cilat nuk do doja të flisja.”– tha ai.

Në komunën e Prishtinës, vendimi për dhënien e tokës ishte përcjellë me debate të ashpra, pasi opozita ishte kundër dhënies prej 17 hektarësh në pronësi të një kompanie për kaq shumë vjet. Për të votuar, VV dhe dy partitë e tjera opozitare, AAK dhe AKR, kërkuan të ndryshohen disa pika.

“Një pronë publike prej 17 hektarësh, përafërsisht është 30 fusha futbolli, po ja japim një kompanie. Jemi fuqishëm t’i ndajmë parcelë ‘Sunny Hillit’, por duhet të arrihet një barazi interesi”, ka thënë shefi i asamblistëve të Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla.

Sipas tij, kontrata ka më shumë obligime sesa përfitime për Komunën e Prishtinës. “Nuk jemi kundër, por janë diskutabile disa pika. Ndërprite sot dhe kthehu pas dy apo tri dite me një kontratë më të favorshme dhe na keni të gjithë asamblistëve pro.

Dukagjin Lipa, ka publikuar edhe letrën që ia ka dorëzuar presidentes, kryeministrit, ministrës së jashtme dhe ministrit të kulturës.

“Sunny Hill sjell disa prej emrave më të mëdhenj të muzikës botërore në Prishtinë, krijon publicitet masiv për vendin tonë në tërë botën (vlera e publicitetit ndërkombëtar të krijuar vetëm nga edicioni i fundit është llogaritur në vlerën prej 23 milionë eurove si dobi direkte për imazhin e shtetit), ka sjell deri në 10 (dhjetë) milionë euro për ekonominë e kryeqytetit, si dhe promovon vlerat më të mira të kulturës, muzikës dhe rinisë tonë nëpër botë. Për më shumë, me dhjetëra mijëra njerëz ose mbi 50 për qind të pjesëmarrësve në Sunny Hill Festival në çdo edicion kanë ardhur nga jashtë Kosovës, nga më shumë se 40 vende të ndryshme të botës’, thuhet ndër të tjera në letrën e Dukagjin Lipës dërguar krerevë të shtetit./panoramaplus

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb