PRISHTINË- Grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në një konferencë të jashtëzakonshme para Ambasadës së Sllovenisë në Prishtinë, ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të ndërmarrin hapat e menjëhershëm për zbatimin e rezolutës së miratuar në Kuvendin e Kosovës për lirimin dhe kthimin e menjëhershëm të Ramush Haradinaj në Kosovë.

Po ashtu, AAK ka shprehur kundërshtimin e përdorimit të dhunës ndaj objekteve të bizneseve sllovene.

Shefja e Grupit parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, para gazetarëve tha se po e ndjekin mesazhin e grupit parlamentar të AAK-së për institucionet e vendit, që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për zbatimin e rezolutës së miratuar në Kuvend.

Ajo akuzoi Qeverinë se u mundua ta ndalojë Kuvendin dhe deputetët që ta miratojnë rezolutën për kthimin sa me të shpejtë të Haradinaj në shtëpi.

“Ne kërkojmë nga presidentja e vendit, nga Qeveria dhe MPJ-ja që menjëherë dhe pa asnjë vonesë të hartojnë notën e protestës për shtetin slloven, që po vazhdon ta mbajë Haradinaj në Slloveni duke ia konfiskuar pasaportën. Po ashtu kërkojmë kthimin e tij të menjëhershëm përmes veprimeve institucionale, të cilat deri në këtë moment nuk janë bërë”, tha Kadaj-Bujupi, shkruan “Kosova Press”.

Ajo po ashtu ka bërë thirrje për qetësi të qytetarëve për mospërdorimin e dhunës.

Protesta e zyrtarëve të lartë të AAK-së dhe mbështetësve të saj para ambasadës sllovene do të vazhdojë edhe me tej, deri në lirimin dhe kthimin e Ramush Haradinaj në shtëpi.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb