Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç ka vizituar sot Beogradin, ku u prit në takim nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrja Ana Bërnabiç.

Abazoviç ka kërkuar që vendi i tij të bëhet pjesë e Open Ballkan si dhe ka shprehur gatishmërinë për rivendosjen e marrëdhënieve midis dy vendeve, duke e hapur një faqe të re të bashkëpunimi.

“Vizita është shumë e rëndësishme për ne, shpresoj se me këtë vizitë do të arrijmë atë që e di që dëshirojmë si kryeministra, e kjo është të rivendosim marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi dhe të hyjmë në një epokë vërtet të mirë”, tha Bernabiç në një konferencë të përbashkët shtypi me Abazoviç.

Kryeministri malazez Dritan Abazoviç tha se ishte i nderuar që vizitën e tij të parë në rajon e kishte në Beograd.

“Ne jemi këtu për të kthyer një faqe të re dhe për të ngritur marrëdhëniet tona politike dhe të përgjithshme në nivelin më të lartë,” tha Abazoviç.

Ata sqaruan se në takime janë diskutuar të gjitha temat e hapura që kanë të dy vendet, si nënshkrimi i Marrëveshjes Themelore ndërmjet Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe, çështja e shkëmbimit të ambasadorëve në Beograd dhe Podgoricë, e cila, sipas Bërnabiç, do të zgjidhet së shpejti dhe ekstradimi i ish-presidentit të bashkimit shtetëror të Serbisë dhe Malit të Zi Svetozar Maroviç, në Mal të Zi.

Në takim u diskutua edhe për vendosjen e operacioneve të pagesave ndërmjet dy vendeve, energjinë, lidhjen e infrastrukturës, ndërsa Bërnabiç i bëri thirrje sot Abazoviçit që Mali i Zi t’i bashkohet nismës Ballkani i Hapur.

“Dua të falënderoj Abazoviçin që u afrua me zemër të pastër për të parë përfitimet e nismës Ballkani i Hapur dhe që ishte në takimin në Ohër. Unë jam ofruar që të jap të gjitha informatat për atë iniciativë dhe llogaritjet që kemi për përfitimet që sjellë Ballkani Hapur dhe sot i bëjmë ftesën që të na bashkohen”, tha Bërnabiç./INA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb