Nga 13 shtatori i këtij viti të gjithë nxënësit që do ulen për herë të parë në bankat e shkollës krahas shqipes do marrin edhe bazat e gjuhës angleze. Mesa duket vendosja e anglishtes si lënde e detyrueshme që klasë të parë nuk ngeli vetëm premtim elektoral.

“Gjuha angleze do te mësohet kudo, në të gjitha shkollat e vendit që në klasën e parë”,-u shpreh Kryeminisri Rama gjatë prezantimit të programit për arsimin më datë 16 mars 2021.

Për ta bërë të mundur këtë, ministrja e arsimit Evis Kushi ka firmosur urdhrin ku shpallet konkursi mes shtëpitë botuese do të botojnë tekstet për nxënësit e klasave të para. Nesër më 12 korrik sipas urdhrit në fjalë do të shpallet fituese shtëpia botuese. Kështu anglishtja do të mësohet paralelisht me shkrim e këndim dhe do të jetë gjuhë e parë e huaj.

Për t’ua bërë sa më të lehtë vogëlushëve e për mos të shkaktuar ngarkesë, plan-programi për të mësuar anglishten do të zhvillohet kryesisht nëpërmjet lojës, vizatimeve dhe këngëve, për të vazhduar përforcimin me lexim dhe shkrim në shkallët e tjera.

Duket se vendosja e anglishtes ka gëzuar mësuesit e anglishtes që presin të rekrutohen këtë vit më shumë në numër por nga ana tjetër ka futur në ankth mësuesit e gjuhëve të tjera alternative me frikën se mos dalin jashtë loje. Por kjo do të thotë edhe kursim për xhepat e prindërve që shpenzojnë ekstra duke i regjistruar fëmijët nëpër kurse jashtëshkollore të anglishtes.

Mësimi i hershëm i anglishtes shihet si i lidhur ngushtë më njohjen dhe përdorimin e teknologjisë. Për t’i mbajtur fëmijët sa më të lidhur më teknologjinë e informacionit, këtë vit shkollor do të implementohet edhe një risi tjetër, pasi përpos anglishtes që në klasën e parë do të futet në program edhe edukim për teknologjinë dhe informacionin, po për këtë të fundit nuk ka ende shumë detaje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb