TIRANE– Procesi i zgjedhjeve brenda Partisë Socialiste ka ngjallur mjaft debate gjatë ditëve të fundit. Shkak për këtë është bërë kërkesa e Ben Blushit për të zhvilluar zgjedhje edhe për vetë kreun e PS, ku ai do të kandidojë. Por kjo nuk është pritur mirë nga anëtarët e tjerë të PS, të cilët janë shprehur pro një votëbesimi të kryetarit aktual Edi Rama. Drejtori i Informacionit në ‘News 24’, Enton Abilekaj, ka komentuar debatet politike në vend, duke u ndalur edhe tek diskutimet për zgjedhjet për kreun e PS.

“Është e rëndësishme ajo që po ndodh në PS, pasi nuk duhet të kishte debat. Në një vend normal, dhe parti normale nuk duhet të diskutohet a do të bëhen zgjedhje për kryetarin apo jo, pasi statuti i partisë e parashikon. Kemi diskutuar për PD, ku ndodhte ndryshe, pasi statuti shkelej vazhdimisht. Kështu funksiononte me Berishën, deri kur u zgjodh Basha. Atëherë diskutohej për mungesën e demokracisë së brendshme, dhe shkeljen e statutit. Dhe diskutohej që kjo gjë reflektohej edhe në qeverisje.

Pati shkeleje ligjesh, kjo qeverisje pati probleme të rënda më korrupsionin. E njëjta situatë është sot. Kemi një parti që nuk po respekton rregullin. Dhe sot diskutohet nga ministri i Brendshëm, kjo gjë që është kryetari i PS për Tiranën, dhe është kreu i institucionit më të madh ligjzbatues të vendit. Kjo çështje as nuk duhet të diskutohet, pasi rregullat duhet të respektohen. Ky është një debat skandaloz, që po përpiqet të justifikojë mungesën e ligjit. Ka hyrë në një absurd kjo parti. Rama nuk e ka qejf konkurrencën, por të bëjë një proces qesharak sa të lajë gojën me statutin. Ka hapur një debat i cili nuk duhej hapur”, tha Abilekaj.

Një tjetër çështje mjaft e diskutuar gjatë ditëve të fundit është edhe ‘shkrirja’ e Urgjencës së Tiranës. Për këtë vendim, nuk kanë munguar as akuzat nga Partia Demokratike, ndërkohë që diskutimet kanë qenë edhe më të forta gjatë mbledhjes së sotme të Komisionit të Shëndetësisë.

“Shëndetësia është gjithmonë prioritet, pasi pas atij projekti janë disa interesa të tjera, prioritare me sa duket për qeveritarët, të cilat deri tani janë të fshehta, por kuptohet që aty ka një projekt. Beqaj sot deklaroi se aty ka një projekt, por që nuk është transparent si të gjithë projektet e tjera të qeverisë për shëndetësinë. Ajo çfarë kemi ndjekur sot në Komisionin e Shëndetësisë, nga mjekët u tha se kjo mënyrë zgjidhje e çështjes nuk i pëlqen. Jam i prirur të besoj mjekët, që mbulojnë prej shumë vitesh këtë çështje. Edhe pse nuk e njoh projektin e ministrisë. Edhe Petrit Vasili u deklarua hapur kundër këtij projekti. Pavarësisht misterit për këtë vendim, në kemi të bëjmë me një reagim që duhet të dëgjohet. Do shohim deri ku do të shkojë mbrojtja e këtij interesi kombëtar”, tha Abilekaj.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: