Gazetari i Birn, Gjergj Erebara dhe ekspertja Aranita Brahaj në emisionin “Në Shenjestër” folën për tenderat dhe se si ka vepruar SPAK me hetimet kundrejt tenderave korruptivë.

Gjatë bisedës në studio, gazetari tha se krimi financiar është shumë i lehtë për t’u hetuar sepse lë gjurmë. Erebara tha se në institucione financiare mund të gjesh arkiva dhe dokumente të cilat mund të zbardhin shumë raste.

Nga ana e saj ekspertja Brahaj tha se SPAK deri më tani nuk ka kryer një hetim që të sjellë besim të qytetarët, dhe se po aktualisht po merret vetëm me raportim të statistikave.

Pjesë nga biseda:

Erebara: Rasti i Lefter Kokës mund të thuhet se është nivel i lartë. Hetimi ishte i thjeshtë por edhe habitës. Puna e Prokurorisë është e thjeshtë të verifikojë vërtetësinë e faturave. Paratë kanë dalë nga buxheti i shteti dhe kanë hyrë në kompanitë dhe është shumë kollaj të hetohen sepse paratë gjurmohen me dokumente. Krimi financiar është shumë i lehtë për t’u hetuar dhe shumë i vështirë për t’u bërë sepse lë gjurmë. Në institucione financiare ka arkiva dhe ka dokumente.

Brahaj: Është një patate e nxehtë që duhet të dilte. nëse marrim çështjen e tenderit të uniformave SPAK është në shpërdorim detyre. Me shpalljen e parë që u bë u kuptua që procedura ishte klientelise dhe jo ligjore dhe që këtu SPAK mund të hetonte, por nuk ndërhyri në kohë dhe kjo bëri që të kishim një hetim kur paratë ishin shpërdoruar.

Akuzë shkelje të barazisë në tendera??

Brahaj: Hetimi i SPAK nuk mund të jetë me një fajtor. Një denoncim i ardhur nga PD, LSI apo shoqëria civile nuk mund të mjaftohet vetëm me një ministër. Të mos harrojmë se procedura është me shkelje të madhe ligjore. Një hetim i pjesshëm është hetim i gabuar, duhet të ishin edhe njerëz të tjerë në këtë hetim. Nëse ajo kontratë është bërë në shkelje të ligjit mendoni sa është marzhi i korrupsioni dhe dëmi ekonomik, atëherë kuptojmë se sa pak ka hetuar SPAK. Pra këtu ka krijuar atë metodologjinë soft dhe thotë unë me statistika jam në rregull…Pra ende nuk po tregon se meriton besim, që çështjet t’i hetojë në mënyrë të tillë që njerëzit të besojnë. Të gjitha këto nuk janë rezultate pozitive për SPAK, por një statistikë për të thënë ne jemi të ashpër kundër korrupsionit. Ende nuk është trimëruar sa të na tregojë një çështje të vërtetë….

Nëse SPAK ndjek paratë sa lart shkon në hierarki?

Erebara: Nuk di sa larg, por shkon më thellë se sa ka shkuar deri më tani. Ka kaq shumë korrupsion, rasti i inceneratorëve është vetëm brenda Shqipërisë dhe të çudit fakti që të korruptuarit nuk e kanë problem parajsën fiskale me sa duket parajsa fiskale e tyre është Shqipëria. Duket se janë të bindur se nuk do të hetohen sa kanë bërë skema tmerrësisht të thjeshta të pastrimit të parave të cilët janë tmerrësisht të thjeshta për t’u zbuluara.

Brahaj: Presim që SPAK të japin rezultate që janë thellësisht hetime dhe jo hetime segmenti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: