TIRANE- Inspektorati i Shtetëror Teknik dhe industrial ka propozuar revokimin e licencës për 40 subjekte të tregtimit të hidrokarbureve. ISHTI e ka propozuar zyrtarisht revokimin e licencave, të cilat kanë humbur kushtin e kapacitetit depozitues si detyrim ligjor i përcaktuar. Ligji përcakton se impiantet e depozitimit të gazit të lëngshëm, të naftës duhet të jenë me kapacitet të instaluar 500 m3. Për licencën e llojit “C”. Kapaciteti depozitues duhet të jetë jo më pak se 50 m3 deri në 1000 mijë m3.

Njësitë e shitjes me pakicë duhet se nuk i kanë respektuar kriteret e depozitimit, ndaj inspektorati i ka kërkuar ministrisë së linjës, asaj të Energjetikës, që të miratojë revokimin e licencës për 40 subjekte në të gjithë vendin. Më parë subjektet janë gjobitur, por nuk kanë reflektuar përmirësimin e infrastrukturës në kriteret e kërkuara. Ligji për ISHTI thotë se në rast se konstatohet mosmarrja e masave për përmirësimin e shkeljes, përsëritje e shkeljes apo kryerje e një shkeljeje tjetër të ndryshme nga shkelja e parë, masa e gjobës rritet me 50 për qind dhe nëse subjekti gjobitet për herë të tretë, masa e gjobës dyfishohet.

Më pas inspektorati shtetëror përgjegjës ka të drejtë që, paralelisht me aplikimin e gjobës, sipas parashikimeve të vendosë edhe dënimet plotësuese: bllokimin e përkohshëm të veprimtarisë, por jo më shumë se 90 ditë dhe propozimin pranë ministrisë përgjegjëse të hidrokarbureve për fillimin e procedurave të heqjes së licencës së koncesionit, licencës së përpunimit, licencës së tregtimit me shumicë apo licencës së tregtimit me pakicë në stacionet e karburanteve apo njësitë e tregtimit të lëndëve djegëse. Ky dënim plotësues merret në rast se subjekti nuk respekton kushtin e bllokimit të përkohshëm të veprimtarisë ose përsërit shkeljen apo kryen një shkelje tjetër. Në këtë rast, vendimi për heqjen e licencës duhet të merret nga organi kompetent jo më vonë se 90 ditë nga data e konstatimit të shkeljes.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: