4 administratorë subjektesh janë proceduar në Tiranë pasi abuzuan me cmimet pasi vendi u prek nga COVID 19.

Zyrtarisht policia e shtetit tha se pas një inspektimi në tregun agroushqimor në Kashar, katër të proceduarit, dyshohen se kanë përpiluar fatura tatimore me shitje fiktive të çmimit të produkteve që i tregtojnë pikave të pakicës, duke abuzuar dhe përfituar me çmimet e tyre, si dhe kanë ushtruar aktivitetin e tyre tregtar, duke mos e pasqyruar me dokumentacionin përkatës, ku u administruan dhe materiale te tjera jotatimore.

Njoftimi i plotë:

Vijojnë kontrollet e pandërprera në të gjithë vendin, për parandalimin dhe goditjen e rasteve të abuzimit me çmimet e medikamenteve, produkteve ushqimore dhe fruta-perimeve.

Procedohen në Tiranë, 4 administratorë subjektesh, të cilët kishin abuzuar me çmimet në tregun  agroushqimor në Kashar, Tiranë, nëpërmjet përpilimit të faturave fiktive.

Në zbatim të masave për parandalimin e abuzimit me çmimet si pasojë e shfrytëzimit të situatës, si dhe nga denoncimet e shumta të bëra nga qytetarët  në  numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital, të cilët kanë denoncuar subjekte që abuzojnë me çmimet e produkteve që tregtojnë në pikat e shumicës dhe të pakicës të tregut të fruta-perimeve, ushqimeve dhe produkteve farmaceutike, në të gjithë vendin vijojnë kontrollet e përbashkëta për këtë qëllim.

Në këtë kuadër, Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, nëpërmjet strukturave të Hetimit Tatimor në kuadër të task-forcës, ngritur për monitorimin e tregut dhe rritjes artificiale të çmimeve, ushtruan kontroll të befasishëm në tregun agroushqimor në Kashar, Tiranë, ku konstatuan dhe proceduan penalisht shtetasit  K. Y., 43 vjeçe, M. S., 26 vjeç, I. B., 32 vjeç dhe A. XH., 44 vjeç, banues në Tiranë.

Pas hetimit me metoda speciale, nëpërmjet ndjekjes së linjës të tregtimit të fruta-perimeve (kryesisht të produkteve mollë, portokalle, limonë), u identifikuan subjekte e mësipërme, ku u ushtrua kontrollet përkatëse, bazuar në deklaratat e disa subjekteve (tregtar të pikave të pakicës).

Shtetasit e mësipërm, në cilësinë e administratorëve të pikave të shumicës në tregun agroushqimor në Kashar, dyshohen se kanë përpiluar fatura tatimore me shitje fiktive të çmimit të produkteve që i tregtojnë pikave të pakicës, duke abuzuar dhe përfituar me çmimet e tyre, si dhe kanë ushtruar aktivitetin e tyre tregtar, duke mos e pasqyruar me dokumentacionin përkatës, ku u administruan dhe materiale te tjera jotatimore.

Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve të sipërpërmendur, për veprat penale “Fshehja e te ardhurave”, “Mospagim i taksave dhe tatimeve” dhe “Manipulim i tregut”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: